Partizani ndan premion të hënën, ja sa përfitojnë titullarët

Jul 24, 2016 | 15:01
SHPËRNDAJE

Kualifikimi në turin e tretë të Champions League do të mbushë edhe xhepat e futbollistëve të Partizanit. Para ndeshjes me Ferencvaroshin, presidenti Demi kishte vendosur një premio prej 300 mijë eurosh dhe tani që kalimi i turit është realitet, lojtarët pritet të marrin edhe paratë që i takojnë.

festa partizani

Burime pranë të kuqve kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se shpërndarja e premiove për futbollistët do të bëhet gjatë ditës së hënë, kur grupi do të jetë i grumbulluar në Elbasan. Gjithashtu, mësohet se lojtarët që ishin titullarë dhe ata që janë aktivizuar do të marrin rreth 20 për qind më shumë se pjesa tjetër e skuadrës nga premio.

sormani partizani

Ndërsa ende nuk është e qartë se si do të ndahet premio për lojtarët e tjerë dhe a do të përfitojnë ata që nuk ishin grumbulluar nga trajneri Sormani për këtë ndeshje. Po ashtu, në momentin që do të ndahen edhe premiot, nga ana e drejtuesve mund të bëhet me dije edhe premio e radhës për kualifikimin në përballjet ndaj Salzburgut. Këto sfida do të jenë mjaft të vështira dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe premio të jetë më e madhe.

partizani udhetim

Axhenda

Partizani do të udhëtojë sot drejt Elbasanit ku edhe do të grumbullohet në pritje të takimit ndaj Salzburgut, që do të luhet të martën, në orën 20:00. Gjatë periudhës së grumbullimit trajneri do të analizojë edhe ekipin kundërshtar me anë të pamjeve filmike për t’u dhënë detyrat futbollistëve që do të hedhë në fushë nga minuta e parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura