Partizani, ikën Abdurrahimi, por “vjen” Lukas Kardozo. Ja kur është gati braziliani për Gegën

Aug 27, 2018 | 10:34
SHPËRNDAJE

Merkatoja e verës te Partizani është shoqëruar me largimin e disa lojtarëve me eksperiencë, ndërsa afrimet nuk janë të bujshme si në të shkuarën. Java e fundit shënoi largimin zyrtar të dy sulmuesve, të cilët konsideroheshin të “divorcuar” që pas përfundimit të aventurës në Ligën e Europës. Pas Edgar Çanit, Partizani ka komunikuar dje mbylljen e bashkëpunimit me sulmuesin Besart Abdurrahimi. 28-vjeçari iu bashkua “demave” në janarin e këtij viti, ku falë eksperiencës së tij pritej shumë.

partizanii

Sulmuesi u aktivizua në 11 ndeshje në kampionat, ku shënoi 2 gola. Nëpërmjet postimit në faqen zyrtare, Partizani tregon se marrëveshja është ndërprerë me mirëkuptim dhe lojtari do të jetë i lirë. Ja njoftimi: “Klubi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Besart Abdurrahimin. Sulmuesi 28-vjeçar dhe drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi lojtarit të jetë i lirë. Abdurrahimi ishte pjesë e skuadrës nga fillimi i këtij viti dhe me fanellën e kuqe regjistroi 11 ndeshje duke realizuar edhe dy gola. Klubi i uron njëkohësisht Besart Abdurrahimit suksese në karrierën e tij sportive”. Sulmuesi u “ftoh” me të kuqtë pas përfundimit të Ligës së Europës, ku ndaj Mariborit luajti si zëvendësues, pasi u tha se kishte pësuar një lëndim në fazën përgatitore në Ohër. Në dallim nga të tjerët, është thënë se Abdurrahimi ka pasur dëshirë vetë të largohet, duke e motivuar me arsye familjare. Përveç lëndimit në gju, që mendohej se mund të operohej, mësohet se lojtari kishte babanë të sëmurë dhe gruan shtatzënë, ndaj kishte kërkuar që të ishte pranë familjes në Zagreb.

LUKAS KARDOZO – “Vala” e largimeve është ndërprerë nga një “blerje” brenda familjes, pasi është kthyer Lukas Kardozo. Braziliani u dëmtua ndaj Skënderbeut më 23 prill dhe iu desh që të kryente një ndërhyrje në gjurin e majtë. Braziliani e ka kryer në vendlindje fazën e parë rikuperuese, por tashmë ka mbërritur në Tiranë për të vijuar fazën intensive.

Në fillim, kur kreu operacion në maj, u tha se Lukas mund të ishte i gatshëm për të kuqtë në vjeshtë, ndaj nëse rikuperimi ecën sipas planit, i bie që në fillim të tetorit sulmuesi të jetë një vlerë e shtuar për trajnerin Skënder Gega. 24- vjeçari iu bashkua Partizanit në janar dhe, për aq sa luajti, tregoi se nëse gëzon formën e duhur, është shumë i vlefshëm për “demat” në fazën sulmuese.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura