Partizani i prish planin Vllaznisë, akord me Edon Hasanin

Jul 27, 2017 | 9:23
SHPËRNDAJE

Edon Hasani është objektivi i radhës së skuadrës së Partizanit në merkaton vendase. Mesfushori shkodran ka zhvilluar ditët e fundit bisedime intensive me drejtuesit e kuq dhe mësohet se ka arritur në parim një akord për të veshur fanellën e Partizanit në sezonin e ardhshëm futbollistik. Megjithatë, prezantimi i tij nuk është bërë për shkak se pritej që më parë të prezantohet trajneri Iuliano dhe më pas të hidhen firmat mbi kontratë për lojtarët që do të jenë pjesë e kryeqytetasve.

hasani

Gjithsesi, trajneri italian e ka bërë të qartë se do të ketë bazën pikërisht te lojtarët vendas, duke qenë se në fushën e lojës mund të aktivizoje vetëm katër të huaj. Kështu, pas largimit të Ramadanit, Cetkoviçit dhe Torasës, Hasani duket goditja e duhur për mesfushën e kuqe.

hasani

Burime pranë klubit kanë bërë me dije se tashmë mbetet vetëm që të përcaktohen disa detaje për kontratën dhe më pas të bëhet zyrtarizimi i tij. Hasani do të jetë pjesë e të kuqve në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Itali.

Gara – Për të marrë shërbimet e Edon Hasanit, kohët e fundit ka qenë në garë edhe skuadra e Vllaznisë, që ka kërkuar të rikthejë futbollistin në shtëpi. Por, duket se shkodrani është joshur nga oferta që i kanë bërë të kuqtë dhe e ka pranuar atë. Hasani prej tre muajsh nuk është pjesë e asnjë skuadre në vendin tonë pas largimit nga Kukësi.

Hasani Edon

Sezonin e shkuar 25- vjeçari ka vuajtur nga dëmtimet dhe aktivizimi i tij ka qenë i paktë, për këtë arsye ka prishur edhe kontratën me verilindorët. Megjithatë mësohet se kohët e fundit lojtari është rikuperuar edhe ka rifituar formën e tij më të mirë dhe do të jetë gati për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Iuliano.

Drejtuesit e kuq vazhdojnë të jenë në merkato për të afruar lojtarë të tjerë të Superiores, por po tregohen shumë të kujdesshëm, për shkak se një pjesë e tyre janë nën kontratë dhe duhet arritur më parë akordi me klubet që i kanë në pronësi.

Edon-Hasani1-(1)

Gjithsesi, merkato momentale e Partizanit është përqendruar në Itali, nga ku edhe do të afrohen lojtarë sidomos për repartin e mesfushës dhe të sulmit.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura