Partizani i bëri ofertë, Gega i prish punë të kuqve dhe bllokon lojtarin (E PLOTË)

Aug 12, 2020 | 23:46
SHPËRNDAJE

Kukësi është duke u riformatuar pas largimeve “big” që pati në mbylljen e sezonit 2019-2020. Me ardhjen e ishtrajnerit të Partizanit, Skënder Gega, në skuadër kanë nisur edhe lëvizjet në hyrje. Ekipit i janë bashkuar mesfushori me tipare sulmuese Albin Gashi, portieri Angelos Tafa, mbrojtësi i krahut Redon Dragoshi, si dhe sulmuesi nigerian Patrik Eze.

emiliano musta

Ndërsa çështje orësh është edhe zyrtarizimi i mesfushorit Bruno Telushi, i cili është larguar nga Partizani dhe ka gjetur akordin me Kukësin. Tashmë vetëm detajet mbeten që mesfushori të nënshkruajë për kuksianët. Por klubi njëkohësisht ka pasur fokusin edhe te futbollistët aktualë të ekipit, të cilët duke qenë me mjaft peshë, kontratat e tyre duhet të rinovohen.

Një prej tyre është pikërisht lojtari që luan në gjithë linjën e majtë, qoftë në mbrojtje, dhe sulm, Emiljano Musta. 28-vjeçari nga Elbasani ka shkëlqyer këtë sezon me Kukësin dhe trajneri Gega e ka në planet e tij, por çështja mbetet te kontrata, e cila i skadon sapo Kukësi të mbyllë aventurën europiane. Gazeta mëson ekskluzivisht nga burime të sigurta se është Partizani ai që ka kërkuar ta “rrëmbejë” lojtarin, pasi duke ditur situatën, i ka bërë ofertë konkrete për ta transferuar në kryeqytet.

Mirëpo kjo është kuptuar nga drejtuesit e Kukësit, të cilët nuk duan të lejojnë kurrsesi që të humbasin Mustën dhe të forcojnë rivalin. Ata ia kanë bërë të qartë lojtarit se ai është në planet e tyre dhe nuk mund të lëviz në ekipet shqiptare, aq më tepër te rivalët. Për këtë arsye, drejtuesit i kanë dhënë ofertën konkrete lojtarit.

“Panorama Sport” mëson se ka ndërhyrë edhe trajneri Gega, i cili duket se e ka bindur mbrojtësin. Tashmë pritet që të mbyllet marrëveshja mes palëve dhe Musta të jetë edhe për një vit tjetër futbollist i Kukësit. Elbasanasi, për vetë karakteristikat që ka, është një lojtar i preferuar për çdo trajner në Superiore.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura