Partizani i bën planet e sezonit pa mesfushorin e talentuar

Jul 16, 2016 | 16:06
SHPËRNDAJE

Partizani është shumë pranë humbjes së shërbimeve të mesfushorit të talentuar kosovar, Mentor Mazrekaj. 2016-ta ka sjellë daljen nga skena të 27- vjeçarit, i cili ka humbur shkëlqimin që tregoi te “demat”.

Mentor-Mazrekaj

Lojtari është vlerësuar për cilësitë e tij në fushën e blertë, por në jetën private ai ka qenë gjithnjë problematik. Për shkak të karakterit të Mazrekajt, situata ka arritur deri në atë pikë sa Partizani t’i bëjë llogaritë sezonin e ri pa mesfushorin kosovar. Pas operacionit që kreu në mars, lojtari nuk ka zbritur në asnjë rast në fushën stërvitore me ekipin.

Rikuperimi i Mazrekajt ka qenë shumë i ngadaltë, por, përpos kësaj, për arsye personale lojtari ka preferuar që të qëndrojë më shumë në Kosovë. Me sa duket, drejtuesit e kuq janë lodhur nga sjellja dhe karakteri i lojtarit, kështu që Partizanin e sezonit të ri e shikojnë pa shërbimet e Mazrekajt.

Mazrekaj ne pab

 I vetmi trajner i epokës “Demi” që ka arritur ta menaxhojë për një edicion të plotë Mentor Mazrekajn ka qenë Shpëtim Duro. Madje, nën drejtimin e tij, mesfushori doli golashënuesi i dytë më i mirë i Partizanit, ku i pari ishte Raçiç me 14 gola. Shkak për mosllogaritjen e Mazrekajt për momentin nga të kuqtë është forma e tij sportive, e cila është larg pritshmërive. Por më shqetësuese konsiderohet sjella e 27-vjeçarit në jetën e përditshme, e cila është e mbushur me problematika të ndryshme.

Emri i Mentor Mazrekajt figuron i regjistruar në listën e lojtarëve që klubi kryeqytetas ka federuar në UEFA për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Klubi kishte shpresë te rikthimi i mesfushorit, por kjo gjë duket shumë larg për momentin dhe lojtari vijon të luajë kalçeto në Kosovë. Në fillim të përgatitjeve për në Europë, klubi e pezulloi pa afat lojtarin, për shkak të problemeve të lartpërmendura.

mentor mazrekaj

Me shumë mundësi palët janë pranë një divorci përfundimtar. Për 2016-ën Mazrekaj ka zbritur tri herë në fushë për kampionat. Ka luajtur të plota dy ndeshjet e para të fazës së tretë dhe 9 minuta në derbin e 4 marsit. Më pas mesfushori kreu një operacion në kaviljen e këmbës së djathtë duke e mbyllur sezonin me të kuqtë.

Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura