Partizani humb 2 milionë euro/ Nuk u zëvendësuan “senatorët”, tek të kuqtë ka një ngërç

Jul 25, 2021 | 11:45
SHPËRNDAJE

Partizani ishte shumë pranë titullit kampion sezonin e shkuar në Superiore, duke luftuar mes shumë problemesh deri në javën e parafundit. Në mbyllje të edicionit futbollistik, “demat” e mbyllën në vend të tretë, me një pikë më pak se Teuta që fitoi titullin kampion.

Partizani 2

Duke parë problemet e shumta me merkaton dhe me pezullimin e Çinarit, kjo renditje e Partizanit u pa si një arritje shumë e mirë dhe për sezonin pasardhës, parashikohej një Partizan favorit absolut për të fituar titullin kampion. Por, merkatoja e verës nuk shkoi ashtu siç drejtuesit e “demave” apo tifozët e kishin menduar…

LARGIMET – Thuajse i gjithë ekipi titullar i Partizanit nuk pranoi të rinovojë dhe zgjodhën të transferoheshin në ekipe më të mëdha jashtë Shqipërisë. Bitri firmosi për Astanën në Kazakistan, ndërsa Hakaj dhe Çinari u transferuan te Samsunspori në Turqi. Mala firmosi për ekipin e Girensusporit në elitën e futbollit turk, ndërsa Jasir Asani iu bashkua Kisvardës në Hungari. Dominguez, që po ambientohej në kampin e kuq dhe tregoi paraqitje të mira në dy javët e fundit, u rikthye në vendlindje, ndërsa Rron Broja po pret ende oferta në këtë merkato. Largimi i këtyre 6 lojtarëve, e ka ulur me plot 2 milionë euro vlerën e Partizanit në merkato, pasi sipas “Transfermarkt”, kaq ishte totali i kartonëve të tyre.

watermark

NGËRÇI – Edhe pse largimet e sipërpërmendura ishin të vështira për t’u zëvendësuar, Partizani është munduar që gjatë kësaj merkatoje vere, t’i zëvendësojë sa më mirë të jetë e mundur dhe madje edhe të ulë moshën mesatare dhe shpenzimet financiare. Klubit i janë bashkuar emra të rinj si Shehi, Marku, Rrapaj e Sota, si dhe tre “senatorë” si Gligorov, Damçevski dhe Musta. Rrapaj e Sota shihen si lojtarë për të ardhmen, ndërsa Marku e Shehi shumë shpejt pritet të kapin kulmin e tyre, pasi mund të konsiderohen ende si lojtarë që po fitojnë eksperiencë, konkretisht 25 dhe 24 vjeç. Ndërsa Musta dhe Gligorov kanë marrë rolin e titullarit në krahët e mbrojtjes. Carës i është besuar si titullar në krahun e djathtë të sulmit për të plotësuar hapësirën e lënë bosh nga Asani, ndërsa Kardozo po zëvendëson mirë deri diku largimin e Çinarit. Por, ngërçi i vetëm, është boshllëku i madh i lënë nga largimi i Rron Brojës…

broja partizani

MESFUSHA – Në repartin e mesfushës, stafi i Partizanit ka afruar Herald Markun dhe Arinaldo Rrapajn deri më tani, si dhe po integrohet gjithmonë e më shumë Kristi Kote si titullar. Por, asnjëri nga këta futbollistë nuk po e zëvendëson siç duhet largimin e një shkatërruesi si Broja. Në ndeshjen e parë kundër Sfintulit, u provua Murataj si numër 6, por nuk u përshtat dot. Ndërsa Kristi Kote është më shumë një organizator i tërhequr sesa shkatërrues. Marku është një lojtar që jep shumë përpara me pasimet e tij. Të gjitha largimet tjera deri diku janë zëvendësuar, por duket se Daja ende nuk e ka zgjidhur problemin e hapësirës bosh para mbrojtjes, që është krijuar pas largimit të Brojës, i cili sezonin e shkuar pati një rritje me hapa galopantë dhe ishte shumë i rëndësishëm për Dajën.

Murataj

MBROJTJA – Daja e ka pranuar, reparti i mbrojtjes ka pësuar shumë gola, pasi janë rikrijuar nga e para dhe duhet pak kohë që të ambientohen me njëri-tjetrin. Vetëm Egzon Belica ka mbetur nga sezoni i shkuar, pasi Idrizaj, Mala, Hakaj, Dominguez dhe Bitri janë larguar. Megjithatë, Gligorov, Musta dhe Shehi kanë bërë performanca të mira para se të vinin te Partizani dhe pritet që shumë shpejt të jenë të rëndësishëm. As alternativat nga stoli nuk mungojnë, me Damçevskin dhe Sotën që janë gati për mundësinë e tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura