Partizani, frikë për Torasën, Jurgen Bardhin e pëlqen Krasnodari

Aug 27, 2016 | 11:55
SHPËRNDAJE

Që nga janari deri në gusht, Partizani e ka prezantuar tri herë mesfushorin me tipare sulmuese, Agustin Torasa. Fillimisht u zyrtarizua për pjesën e dytë të sezonit të shkuar, më pas ai rinovoi për pjesëmarrjen e Partizanit në Europë dhe dy ditë para ndeshjes së fundit me Krasnodarit, klubi njoftoi se argjentinasi ka rinovuar me të kuqtë edhe për sezonin e ri.

torasa2

Por lajmet që vijnë nga mediat argjentinase kanë kthyer frikën dhe pasigurinë për të ardhmen e Agustin Torasës te Partizani i edicionit të ri, që nis më 7 shtator. Merkatoja e futbollistëve në Argjentinë është mbyllur të mërkurën në darkë dhe skuadra e Atletiko Tukuman e ka regjistruar lojtarin e Partizanit në listën e lojtarëve për sezonin e ri futbollistik.

Drejtuesit e klubit argjentinas kanë bërë me dije se janë në bisedime edhe me Agustin Torasën, i cili është i përfshirë me Partizanin. Trajneri i skuadrës, Huan Manuel Azconzabal, e llogarit Torasën në planet e skuadrës së tij, por sipas lajmeve që vijnë nga Argjentina thuhet se javës që vjen pritet të më- sohet e ardhmja e 27-vjeçarit tek Atletiko Tukuman.

torasa

Klubi argjentinas e ka regjistruar emrin e Torasës në listën e federimeve për kampionatin që nis nesër. Por kalimi i Torasës te skuadra argjentinase është në dorë të Partizanit, pasi të kuqtë kanë njoftuar se 27-vjeçari ka rinovuar edhe për një edicion.

Precedenti

Partizani ka rinovuar me Agustin Torasën, ku argjentinasi do të përfitojë një rrogë mujore 9 mijë dollarë. Por rinovimi i argjentinasit mund të vërtetohet vetëm kur të nisë sezoni i ri, pasi të kuqtë janë djegur nga e shkuara. Mosbesues bëhen precedentët e Xhevahir Sukajt dhe Renato Arapit, që u njoftuan si rinovime, por dihet tashmë që ata janë larguar nga klubi.

Çfarë tha Torasa

Para ndeshjes me Krasnodarin, Torasa ka folur edhe për rinovimin, duke treguar edhe arsyet pse zgjodhi Partizanin. Në këto kushte, lajmi që vjen nga Argjentina mund të mbetet thjesht si një dëshirë e drejtuesve të Atletiko Tukuman.

Ja çfarë tha Torasa për rinovimin me “demat”: “Sigurisht që jam i kënaqur me rinovimin. Për këtë arsye firmosa edhe kontratën, pasi në të kundërt nuk do kisha rinovuar me Partizanin. Kam në mendje vetëm që të dal kampion me të kuqtë dhe ky është objektivi primar, ndaj qëndrova edhe për një vit. Shpresoj dhe kam besim se në fund do t’ia dalim”.

Jurgen Bardhi, në orbitën e Krasnodarit

Trajneri i Krasnodarit, Oleg Kononov, pas hedhjes së shortit ku u mësua që do të luante ndaj Partizanit, pohoi se kishte ndjekur disa ndeshje të Partizanit. Në darkën e parë mes drejtuesve të klubeve në Rusi është mësuar nga pala ruse që trajneri i tyre kishte pëlqyer Jurgen Bardhin për aq minuta sa kishte luajtur ndaj Slazburgut.

bardhi

Duke ditur këtë fakt, drejtuesit e aktivizuan si titullar 18-vjeçarin në ndeshjen e parë në Rusi, në mënyrë që të shikohej ndonjë mundësi transferimi. Burime të ndryshme pranë klubit bëjnë me dije se Bardhi gëzon ende simpatinë e trajnerit të Krasnodarit, kështu që nuk është çudi që në klubin kryeqytetas të mbërrijë ndonjë ofertë nga klubi rus për mesfushorin nga Fushë-Kruja.

Bardhi u aktivizua edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Krasnodarit dhe paraqitja e tij ishte disi më pozitive se ajo që tregoi para një jave në Rusi. Para një viti lojtari ka nënshkruar kontratë si profesionist me Partizanin për një afat pesëvjeçar. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë çmimi që do të vendosin “demat” për transferimin e Jurgen Bardhit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura