Partitë e reja si një “rilindje” për opozitën!

Oct 28, 2020 | 9:55
SHPËRNDAJE

Nga Alfred Pezaalfred peza

Krijimi i partive të reja politike, po përjetohet me emocione të përziera, nga grupe të ndryshme shoqërore në varësi të raporteve të tyre me mazhorancën dhe opozitën. Për shkak se ato po themelohen nga personalitete të spikatura politike brenda së djathtës, kjo ka prodhuar shumë më tepër reaksion negativ, brenda gardhit të “Opozitës së Bashkuar”.

Më të hidhëruarit për lindjen e partive të Jozefina Topallit, Myslim Murrizit, Rudina Hajdarit, Astrit Patozit dhe ndonjë tjetër që pritet të krijohet sëshpejti, janë brenda PD. Për një arësye fare të kuptueshme: Të gjitha këta liderë të rinj, kanë patur një karrierë me kontribute të spikatura personale apo edhe familjare, brenda saj. Frika se çdonjëri prej tyre, ka një pjesë jo të vogël të elektoratit blu që i mbështet, i bën që ta shohin që tani humbjen e PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Nëse e sheh gotën përgjysëm, është e kuptueshme që votuesit e Lulzim Bashës i kanë sytë tek pjesa bosh, ndërsa gjithë të zhgënjyerit prej tij tek ajo gjysëm plot. Duke patur më në fund, edhe ata një shpresë se vota e tyre nuk do të shkojë dëm, përderisa si zgjedhës të betuar të së djathtës, nuk do të votonin dot kurrë as PS dhe as LSI. Atë që demokratët e Bashës e shohin si vdekje, përkrahësit dhe mbështetësit e partive të reja të djathta, e shohin si një shans për rilindjen e së djathtës.

Nëse do të perifrazonim Steve Jobs nga fjalimi i tij i famshëm në Universitetin e Standfrodit, ai thoshte se “vdekja është ndoshta shpikja më e mirë e jetës. Ajo është shkaku i ndryshimit. Ajo pastron të vjetrën për ti hapur rrugën të resë”. Në këtë rast, nëse nuk do të krijoheshin partitë e rej, do të kishim të bënim me vdekjen e ngadaltë demokratike të një force të rëndësishme politike, e cila çdo ditë e më tepër po i falej vetëm Lulzim Bashës.

Gjëja e parë që bëri sapo ai u ngjit në krye të PD, ishte pastrimi i fushës rreth e rrotull tij nga konkurentët e mundshëm të së nesërmes. Duke grumbulluar çdo ditë e më tepër rreth vetes, profile që nuk ia dolën që të mbushnin boshllëkun e madh që la brenda saj Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arben Imami, Astrit Patozi, Ridvan Bode, etj. Kjo po çonte në vdekjen e demokracisë së brendshme të PD dhe asfiksimin e strukturave drejtuese të saj, duke u shndërruar dalëngadalë në një parti anonimësh të rinj që po futen me shpejtësi në listat përfaqësuese të saj për në Parlamentin e ardhshëm.

Kjo tendencë e rrezikshme më shumë sesa i volit PS, po kënaq pa masë LSI, e cila sheh tek atrofizimi i radhëve të PD shpresën e mbijetesës së saj. Sa më e dobët të jetë PD, jo domosdoshmërisht do kemi një PS më të fortë. Sepse elektorati i djathtë nuk do ta votonte kurrë mazhorancën e kryeministrit Edi Rama. Praktika ka treguar se të dëshpëruarit dhe të lëkundurit e PD, e kanë gjetur shpëtimin për votën e tyre, më së shumti tek LSI. Analiza e shifrave të zgjedhjeve të 2017, e tregojnë më së miri këtë, kur rritja e partisë së Metës ishte e barabartë me rënien e votave për Bashën.

Me krijimin e partive të reja nga spektri i djathtë i skenës politike shqiptare, fiton vetëm e djathta dhe jo e majta në pushtet. Një demokrat i pakënaqëur me Lulzim Bashën do ta kishte shumë herë më të natyrshme ta dërgonte votën e tij për Jozefina Topallin, sesa për Edi Ramën. Më mirë për Rudina Hajdarin, sesa për Elisa Spiropalin. Më mirë për Astrit Patozin, sesa për Taulant Ballën. Më mirë për Myslim Murrizin, sesa për Gramoz Ruçin. Ky nuk është një diversion, por një realitet i vërtetuar shkencërisht e praktikisht, përgjatë këtyre 30 viteve të pluralizmit politik në Shqipëri.

Në këto rrethana, qoftë nga pikëpamja politike qoftë edhe nga ajo elektorale, lindja e partive të reja e bën anën e djathtë të spektrit politik shqiptar, më të shëndetëshme. Sepse të gjitha votat mund të mbesin brenda rrjetës së opozitës, duke mos iu falur si deri dje, kundërshtarëve apo rivalëve të PD. Idealja do të ishte që Lulzim Basha, nën shembullin e Sali Berishës përpara zgjedhjeve të 2005, ta hapte partinë për të ftuar brenda saj të gjithë të ikurit e 30 viteve të fundit. E pasi të kishte maksimizuar potencialet e PD, të printe “Opozitën e Bashkuar” drejt një koalicioni të vetëm parazgjedhor me një listë të përbashkët, përballë listës së vetme të PS në mazhorancë.

Por, kjo as nuk ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur, sepse Lulzim Basha nuk është Sali Berisha dhe PD e tij, nuk mund ta përsërisi dot më historinë e 16 viteve më parë. E sigurtë është që PS do fitojë mandatin e tretë qeverisës. Ky nuk është skenari më i keq për PD. Sepse ka gjithnjë më keq. Skenari më ekstrem në këto kushte, do të ishte që PD të shkonte drejt rrudhjes së mëtejshme, duke majmur me vota dhe politikisht LSI e Ilir Metës. Duke e rikthyer atë, sërisht në garë, për lidershipin e opozitës.

Ndaj krijimi i partive të reja, mund të rezultojnë nesër, si një rilindje jo vetë për gjithë opozitën shqiptare, por edhe për Partinë Demokratike vetë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura