Basha kandidon rektorin e Universitetit Gjergji Mero në Korçë, refuzon Lefter Maliqin për Beratin

Apr 15, 2015 | 11:47
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Partia Demokratike ka nisur zyrtarizimin e kandidatëve për bashkitë e mëdha të vendit. Mesditën e sotme, PD-ja ka njoftuar edhe kandidatin e saj zyrtar për Bashkinë e Korçes. Në garë në siglën e PD-së në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në Korçe do të jetë rektori i Universitetit te këtij qyteti, Gjergji Mero.

Gjergji Mero

Pak para tij, u zyrtarizua edhe kandidati demokrat për Kukësin, Bashkim Shehu.

Më herët, delia blu bëri të ditur se në qytetin e Beratit do të kandidojë Kasem Mahmutajn, duke lënë në këtë mënyrë jashtë gare ish deputetin Lefter Maliqi, i cili e kishte kërkuar kandidimin. 

Partia Demokratike ka vendosur të kandidojë Myslim Haxhin në Kuçovë dhe Gëzim Vatën në Fushë Arrëz.  

Partia Demokratike

Partia Demokratike ka zyrtarizuar dje tre kandidatë të rinj që do të garojnë në zgjedhjet e 21 qershorit për Bashkinë e Lushnjës, Përrenjasit dhe Maliqit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përzgjedhur dje Xhevdet Belishtën si kandidatin e opozitës për Bashkinë e Maliqit. Më 21 qershor, kandidati i PD-së Belishta do të përballet me rivalin e së majtës, Gëzim Topçin.

Për Bashkinë e Lushnjës, kreu i demokratëve ka zgjedhur kandidaturën e Darien Xhindolit, ky i fundit do të ketë përballë Fatos Tushën e Partisë Socialiste.

Ndërsa në Bashkinë e Përrenjasit demokratët do të garojnë me Bajazit Karriqin, i cili në këto zgjedhje do të përballet me deputeten e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Elbasanit, Miranda Rirën. Partia Demokratike ka zyrtarizuar deri tani 21 kandidatë, që do të garojnë me siglën e saj për bashkitë e vendit, ndërkohë që 40 bashkitë e tjera pritet të përzgjidhen gjatë kësaj jave për shkak të afateve të vendosura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për regjistrimin e koalicioneve.

Kodi Zgjedhor përcakton se koalicionet duhet të regjistrohen të paktën 60 ditë para në KQZ. Për këtë arsye, pritet që brenda javës selia blu të përfundojë marrëveshjet me aleatët, duke formalizuar kështu dhe emrat me të cilët koalicioni do të garojë në zgjedhjet e 21 qershorit.

PO NEGOCIOHEN
Bashkitë kryesore të vendit, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Kukësi dhe Vlora, kanë mbetur ende në proces diskutimi mes aleatëve të opozitës, në pritje të zyrtarizimit të kandidatëve. Edhe pse negociatat vazhdojnë burime bëjnë me dije se baza e PD-së dhe deputetët kanë propozuar disa kandidatura. Në Tiranë, Basha duket se do zgjedhë mes Grida Dumes, Halim Kosovës, Jorida Tabakut dhe Besnik Aliajt.

Në Shkodër, deputetja e PD-së Voltana Ademi ka deklaruar sfidën për të garuar për kryetare Bashkie, ashtu si dhe deputeti Helidon Bushati. Ndërkohë që Sokol Ramadani, Xhemal Bushati dhe Bardh Spahia mbeten kandidatura të mundshme për Shkodrën. Për Bashkinë e Fierit mësohet se kandidati më i mundshëm është deputeti Kozma Dashi, ndërsa në garë janë dhe Luljeta Seiko e Dritan Petova.

Një tjetër zonë e nxehtë është dhe Berati, ku ishdeputeti Lefter Maliqi ka kërkuar të garojë për këtë bashki. Në Berat përballë Lefter Maliqit qëndron dhe Hafize Skëndo, e propozuar prej degëve të PD-së. Ndërkaq, në Sarandë Kreshnik Bozho është përballë Ilir Nikollës, i propozuar si nga degët e PDsë, por dhe prej PBLD e Arjan Starovës, si dhe Arben Voglit të propozuar prej republikanëve.

Në Kukës Admir Sinamati dhe Arif Rexhmati janë dy emrat që kërkojnë të jenë kandidatë për Bashkinë. Ndërsa një tjetër emër i propozuar është dhe Bashkim Shehu. Në Krujë tashmë gara është hapur mes kryetarit të PD-së së rrethit Dragush Vogli dhe Shkëlzen Hoxhës. 

FATION BINJAKU

 

Emrat që përfliten në Shkodër, Berat dhe Sarandë:

Shkodër- Voltana Ademi, Helidon Bushati, Sokol Ramadani, Xhemal Bushati

Krujë- Dragush Vogli dhe Shkëlzen Hoxha

Sarandë- Kreshnik Bozho, Ilir Nikolla, Arben Vogli

Fier- Kozma Dashi, Luljeta Seiko e Dritan Petova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura