Parlamenti francez vendos: Stop modeleve anoreksike

Apr 7, 2015 | 11:12
SHPËRNDAJE


Me mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë dhe propozuar nga deputetët socialistë, është bërë pjesë e Ligjit për Shëndetësinë, amendamenti që do të detyrojë agjencitë e modës të mos punësojnë modele nën peshë, çka deri më tani ka promovuar anoreksinë

Një revolucion në botën e modës. Për herë të parë, të premten deputetët francezë kanë adaptuar një amendament që ndalon punësimin e modeleve nënpeshë. Amendamenti është votuar si pjesë e Ligjit për Shëndetësinë, me mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë, Marisol Touraine, i cili e ka quajtur “shqetësues” prezantimin e modeleve tepër të dobëta. Me propozimin e deputetit socialist Olivier Véran, ky tekst tenton të modifikojë Kodin e Punës, duke detyruar agjencitë e modës që të provojnë me certifikatë mjekësore se modelet e tyre gëzojnë shëndet të plotë dhe nuk janë të kequshqyera. Gjithçka do të mbështetet mbi disa parametra. Nëse një modele është nën një peshë të caktuar, ajo do të jetë e detyruar të ndërpresë aktivitetin e saj. Do të jenë autoritetet shëndetësore që do të përcaktojnë këto parametra. Nëse ndokush do të kapet duke shkelur ligjin, do të dënohet me 6 muaj burg dhe 75 mijë euro gjobë. “Në asnjë rast nuk do të dënohet modelet, por punëdhënësit”, thotë për “Le Figaro” deputeti Veran. Ky amendament është kundërshtuar nga deputetët e UMP dhe UDI, të cilët e kanë konsideruar si diskriminues.
Nga ana tjetër, Sindikata Kombëtare e Agjencive të Modeleve është shprehur “pro” faktit që modelet duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të luftojnë anoreksinë. Por sipas tyre, “ky ligj harron porositësit që janë stilistët dhe dyqanet”. Sipas Isabelle Saint-Felix, sekretare e përgjithshme e sindikatës, në këtë histori duhet të përfshihen të gjithë aktorët. “Agjencitë e modeleve duhet të zbatojnë ligjin, ndërsa stilistët dhe dyqanet jo. Ato do të vazhdojnë të kenë kritere shumë të forta dhe me gjasë do t’i drejtojnë sytë nga agjencitë e huaja për të kënaqur shijet e tyre”, është shprehur ajo. Megjithatë propozuesit dhe miratuesit e këtij amendamenti janë të vendosur ta zbatojnë deri në fund për të luftuar anoreksinë, prej së cilës, sipas tyre vuajnë 30-40 mijë vetë në Francë.

Vizitorë nudo në ekspozitë

Të zhveshur, të qeshur dhe me një këndvështrim tjetër për artin. Ndodh edhe kështu. Një retrospektivë e artistit amerikan në Galerinë Kombëtare të “Canberra”-s në Australi, u ka ofruar vizitorëve një eksperiencë të paprovuar. James Turrell u ka kërkuar vizitorëve të zhvishnin rrobat dhe të linin trupat e tyre të thithnin dritën. Të parët që provuan këtë eksperiencë ishin rreth 50 vizitorë të rritur. “Ekspozita e Turrell zhvillohet rreth dritës. Lëkura përthith dritën dhe ne kemi menduar që i gjithë trupi duhet të marrë pjesë në këtë ekspozitë”, ka shpjeguar për “Le Figaro”, artisti bashkëkohor Stuart Ringholt, organizator i aktivitetit. Sipas artistit, edhe nëse vizitori në fillim tregohej pak i druajtur, me të hequr rrobat “ata buzëqeshnin”. Madje disa prej tyre janë shprehur për mediat se pas kësaj vizite, koncepti i tyre për artin ka ndryshuar rrënjësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura