Parku i Lurës drejt identitetit, fund masakrës mjedisore

Jun 28, 2016 | 14:55
SHPËRNDAJE

Parku Kombëtar i Lurës do të kthehet sërish në destinacion turistik. Si pasojë e prerjes së pyjeve në këta 25 vjet, ky park ka pësuar dëme të konsiderueshme, deri në masakër mjedisore.

Gjatë aktivitetit të djeshëm në Lurë
Gjatë aktivitetit të djeshëm në Lurë

Pikërisht për këtë shkak dje është zhvilluar një aktivitet, në kuadër të projektit “Rivitalizimi i Parkut Kombëtar të Lurës”, organizim i Agjencisë për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Ministrinë e Arsimit dhe Bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Mirditë dhe Mat.

AKTIVITETI

Ky aktivitet i parë konsistonte në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj ruajtjes së vlerave mjedisore dhe trashëgimisë natyrore e kulturore. Më shumë se 200 të rinj të shkollave të mesme të Bashkive Peshkopi, Rrëshen, Burrel dhe Bulqizë i janë bashkuar aksionit të nisur në zonën e Liqenit të Madh të Parkut të Lurës për pastrimin e tij. Përveç kryetarëve të njësive përkatëse të pushtetit vendor, ka marrë pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Sandër Lleshi, i cili shprehu mbështetjen për realizimin e këtij projekti.

lura2

“Jemi rritur dhe kemi jetuar në një vend ku Lura përmendej si një nga perlat e natyrës shqiptare. Për fat të keq, dëmtimet e këtyre 25 vjetëve kanë qenë të mëdha, por unë jam këtu për të shprehur mbështetjen e kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për të iniciuar një projekt që do ta kthejë Lurën në një destinacion turistik dhe për t’i dhënë vendin që i takon këtij parku”, u shpreh këshilltari i Kryeministrit Rama.

lura1

Gjithashtu, kryetarët e bashkive kanë shprehur kënaqësinë dhe falënderimet për këtë nismë të iniciuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal Tiranë për Lurën. Pas aktivitetit, përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë nënshkruar me Agjencinë për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë nismën e përbashkët për rivitalizimin e Parkut të Lurës.

PASTRIMI

Kjo nismë parashikon pastrimin e mbetjeve drusore dhe mbeturinave, mbjelljen e farave të llojeve të bimëve të instaluara në park, fushata sensibilizimi në komunitetin që jeton në zonë dhe në të gjithë opinionin publik, pjesëmarrje të komunitetit të zonës në rivitalizim, por edhe të të gjithë aktorëve dhe opinionit; politika e projekte për nxitjen e turizmit malor në çdo stinë; përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe asaj akomoduese turistike; marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet bashkive dhe agjencive për projekte konkrete e mbështetje financiare nga donatorë të ndryshëm për të realizuar kështu fillimin e një ripërtëritjeje të organizuar të zonës.

lura

Për konkretizimin e mëtejshëm të kësaj nisme është parashikuar edhe hapja e një llogarie bankare, me të cilën ftohen të kontribuojnë të gjithë njerëzit, institucionet shtetërore, biznesi privat dhe institucionet financiare në vend. Kjo llogari do të menaxhohet nga strukturat përkatëse vendore që kanë përgjegjësinë direkt për ruajtjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të këtyre burimeve natyrore të pazëvendësueshme.

Nga një monitorim i kujdesshëm janë identifikuar zonat më të ndjeshme dhe të prekura nga degradimi mjedisor për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme. Parku i Lurës, deri para pak vitesh i famshëm për pasuritë e mëdha që ka në drejtim të diversitetit, të florës dhe faunës, që më parë konsiderohej unik në llojin e vet, është tjetërsuar dhe gjendet në prag të degradimit të plotë.

Aktualisht, sipas vlerësimeve nga specialistë të mjedisit, pothuajse 50 për qind e sipërfaqes së parkut është dëmtuar nga ndërhyrjet e një shfrytëzimi pa kriter të sipërfaqes pyjore që rrethon liqenet e famshme të kësaj zone. Dëmtime të mëdha të florës kanë dhënë pasojë të drejtpërdrejtë edhe në reduktimin e ndjeshëm të faunës së kësaj zone, duke rrezikuar edhe zhdukjen e disa specieve krejtësisht të veçanta.

Projekt për rikonstruksionin e rrugës Rrëshen-Lurë

LURË – Kryetarët e Bashkive Mirditë, Mat, Klos, Bulqizë e Dibër, Ndrec Dedaj, Nezir Rizvani, Basir Çupa, Melaim Damzi e Et’hem Fida kanë nënshkruar dje një marrëveshje përmes së cilës kërkojnë asfaltimin e rrugës Rrëshen-Lurë, 17 km gjatësi. Një veprimtari me karakter sensibilizues për rivitalizimin e Parkut Kombëtar është organizuar në Lurë. Këshilltari i kryeministrit, Sandër Lleshi, tha se kjo është një ditë e fortë reflektimi dhe angazhimesh për ta ribërë Lurën e shkatërruar prej 25 viteve.

“Dhe ribërja e Lurës fillon nga projekti i rrugës, por dhe nga ndërgjegjësimi e aksioni human për ta riveshur me katet e duhura bimore sikurse ka qenë këtu e vite të tëra”, nënvizoi Lleshi. Aktualisht gjendja e rrugës Rrëshen-Kurbnesh-Lurë paraqitet në gjendje kritike për shkak të mungesës së investimeve, terrenit malor e agjentëve atmosferikë. Është e lodhshme, stresante dhe gati e pamundur të udhëtosh drejt Parkut Kombëtar të Lurës. Fondi i Zhvillimit Shqiptar po kryen hartimin e projektit dhe ndoshta brenda një kohe të shpejtë kjo kërkesë e kryebashkiakëve do të bëhet realitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura