Parkimi me para, prefektja e Vlorës rrëzon Bashkinë: Koncesioni, kundër vullnetit qytetar

Mar 29, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Prefektja e Vlorës rrëzon kryebashkiakun Gjika për parkimet me pagesë në qytet. Në një dalje publike ditën e djeshme, gati 3 javë pasi mediat zbuluan këtë ngjarje të mbajtur fshehur për qytetarët vlonjatë, reagoi prefektja, Etjona Hoxha. U desh reagimi i opinionit publik që Hoxha të ketë një qëndrim për këtë çështje, duke u shprehur se në asnjë moment nuk mund të vendoset kundër qëndrimit qytetar.

Vendimi i Keshillit Bashkiak per parkimet (majtas) dhe harta e rrugeve me pagese sipas kontrates

Në deklaratën për shtyp, Hoxha e ka cilësuar koncesionin e parkingjeve në qytetin e Vlorës të miratuar nga Bashkia, në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e qytetarëve vlonjatë. Për të kundërshtuar këtë çështje, prefektja theksoi se “Kanë nisur konsultimet e nevojshme me instancat më të larta juridike për të rishikuar apo revokuar kontratën koncesionare të parkingjeve të automjeteve me lekë në qytetin e Vlorës, për 15 vite, dhënë kompanisë “Tis Holding LLCC+ On Tracck Innovations”, me vendim të Këshillit bashkiak Vlorë, ku 24 rrugë kryesore e dytësore do të jepen me një tarifë prej 50 lekë në orë”. Sipas saj, koncesioni është miratuar nga sekretari i Prefekturës për procedurë dhe jo për përmbajtje.

Ndërsa shtoi se “Sekretarit të Prefekturës i është kërkuar dorëheqja për shkak se ka firmosur hapjen rrugë të koncesionit, pa marrë parasysh vullnetin dhe interesin e qytetarëve të Vlorës, të cilët kanë kundërshtuar këtë koncesion”.

Megjithatë, prefektja e zbut reagimin e saj kur thotë se nga ana ligjore Bashkia e Vlorës është në përputhje me ligjin. “Por ne nuk do të miratojmë asgjë që bie në kundërshtim me vullnetin dhe interesat e qytetarëve. Ne kemi të drejtën morale për ta kundërshtuar këtë koncesion, por janë edhe institucionet më të larta të shtetit që e kundërshtojnë këtë koncesion dhe e bëjnë atë të pavlefshëm, edhe pse është miratuar nga Bashkia Vlorë”, theksoi prefektja vlonjate, Etjona Hoxha.

Pak muaj më parë, Këshilli i Bashkisë së Vlorës ka aprovuar me një vendim unanim koncesionin për 15 vite të parkingjeve të automjeteve në 24 rrugë, me një çmim prej 50 lekë ora. Koncensionin e ka fituar kompania “Tis Holding LLCC+ On Track Innovations”, e cila ka marrë përsipër të kryente dhe disa investime në fush- ën e sinjalistikës në qytet.

Vendimi u diskutua në muajin tetor të vitit të shkuar dhe në fillim të shkurtit është lidhur kontrata me firmën fituese, e cila ka adresë në adresë në SHBA. Gjithçka kaloi pa zhurmë, derisa fakti u zbulua nga buletini i Agjencisë së Prokurimit Publik, më 2 mars të këtij viti.

Sipas kontratës së lidhur mes Bashkisë së Vlorës dhe kompanisë së huaj, 13 nga rrugët e qytetit do të jenë me para nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Për rrugët që të lidhin me qendrën dhe me institucionet kryesore lokale, qytetarët duhet të paguajnë për makinën e tyre nga mëngjesi (ora 08:00) deri në mbrëmje,(ora 20:00).

Ndërkohë që mbeten vetëm dy rrugë në të gjithë qytetin, ku deri në orën 14:00, qytetarët do të paguajnë për parkimin 50 lekë për çdo orë. Me reagimin e qytetarëve pritet që qeveria të vendosë për kthimin e vendimit, siç deklaroi prefektja.

Ky vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak i Vlorës i kushtoi postin sekretarit të Prefekturës, Dritan Halilit, i cili mban përgjegjësinë për firmosjen e ligjshmërisë së vendimit për koncesionin e parkingjeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura