Parcela me kanabis në tre qytete të ndryshme, zbulohen rolet dhe financuesi

Nov 10, 2019 | 9:06
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER/ BRIKENA META

Kultivonin kanabis në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, përfundojnë në pranga 11 persona, 4 në kërkim. Financuesi i grupit, një 45- vjeçar.

21

Pas gjashtë muajsh hetime, Policia arriti të identifikojë një grup të mirorganizuar personash, nga i gjithë territori i Qarkut Gjirokastër, të cilët kryenin veprimtari kriminale në drejtim të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Në përfundim të operacionit janë arrestuar 11 persona, 5 po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Personi më i rëndësishëm i grupit është Bujar Saraçi, 45 vjeç, nga Gjirokastra, i cili kishte rolin e organizatorit dhe financuesit, pasi ishte ai që siguronte farën e kanabisit. Të arrestuarit dyshohet se janë përgjegjës për mbjelljen e së paku 30 parcelave me kanabis në Qarkun e Gjirokastrës. Personat që janë pjesë e të njëjtit grup, kishin role të ndryshme për mbjelljen deri në transportimin e lëndëve narkotike.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, personat e përfshirë janë identifikuar përmes përgjimit të telefonave, ku nga bisedat janë zbuluar edhe rolet e secilit. Grupi kishte zgjedhur fshatin Picar, në Gjirokastër, Gusmarin, në Tepelenë, dhe disa fshatra në Përmet për të kultivuar lëndën narkotike. Një nga të arrestuarit është Erion Sheme, 41 vjeç, banues në Gjirokastër.

Burime pohojnë se Sheme, i lindur në Këlcyrë, siguronte punëtorët dhe tokën ku kultivohej kanabisi; B.K., 34 vjeç, dhe K.K., 33 vjeç, banues në fshatin Gusmar, në Tepelenë, akuzohen për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”; Trimosh Duraj, 35 vjeç, banues në fshatin Bënçë të Tepelenës, ndihmonte për transportimin e lëndës narkotike.

Mbi të rëndon akuza për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Dy të arrestuar të tjerë janë nga Tepelena. Bëhet fjalë për Mondi Elmazin, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës, dhe Florian Tahirin nga Gusmari i Tepelenës. Të dy këta persona kanë qenë më herët të proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Gjatë kohës kur Tahiri procedohej në gjendje të lirë, ushtronte edhe funksionin e kryeplakut të fshatit.

Gjatë kontrollit të kryer në banesat e tyre, Policia gjeti lëndë narkotike. Në banesën e Elmazit u gjet një sasi prej 3.5 kg kanabis, ndërsa në banesën e Tahirit, 750 g kanabis të thatë. Ndërsa për katër persona të tjerë, për të cilët kishte urdhër ndalimi, konkretisht për E.K., Gj.B., E.T., dhe J.S., gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa. Ata u shpallën në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tyre.

Po në kuadër të këtij operacioni janë proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” shtetasit: F.B., A.D., V.L., D.T., dhe G.E. Gjithashtu, pjesë e këtij grupi, që organizonte kultivimin e kanabisit në tri qytete të ndryshme, janë përfshirë edhe disa persona të arrestuar gjatë periudhës majnëntor. Ndërkohë, Policia bën të ditur se në lidhje me këtë operacion, mund të ketë arrestime të tjera.

VIDEO/ Ndalohen 5 persona, të tjerë në kërkim, policia jep detajet e operacionit të madh: Veprimtaria kriminale që kryenin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura