Paratë e Gërdecit, MEICO padit Delijorgjin

Sep 11, 2013 | 13:49
SHPËRNDAJE

TIRANE – Ndërmarrja shtetërore ushtarake e eksport-importit, “MEICO”, hedh në gjyq shoqërinë “Albademil”, shoqërinë private që bënte demontimin e municioneve në Gërdec para shpërthimit të fabrikës më 15 mars 2008. Padia ka të bëjë me një detyrim prej gati 405 mijë dollarësh amerikanë që Albademil duhet t’i jepte shoqërisë shtetërore që e furnizonte me municione. Detyrimet e ndërsjella mes njëra-tjetrës ishin formalizuar në marrëdhënie kontraktore, ku përcaktoheshin edhe detyrimet financiare. Por, pas shpërthimit të fabrikës së demontimit, këto detyrime nuk janë përmbushur nga ana e shoqërisë “Albademil”. Për këtë shkak, MEICO i është drejtuar Gjykatës së Tiranës. Padia civile është regjistruar në Gjykatën e kryeqytetit më 30 gusht 2013, më shumë se pesë vite nga mbyllja e fabrikës në Gërdec. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se kërkesë-padia është regjistrua me numrin 16461 në kryesekretarinë e institucionit. Palë paditëse aty është ndërmarrja shtetërore “MEICO”, ndërsa palë e paditur shoqëria “Albademil”. “Detyrimin e të paditurit për përmbushjen e detyrimeve konktraktore ndaj ndërmarrjes ‘MEICO’ në vlerën prej 404 947 dollarësh”, thuhet në objektin e padisë. Pas procedurave të regjistrimit, çështja është hedhur në shortin elektronik, që ka përcaktuar gjyqtaren Enkela (Bajo) Vlora, kryesuesen e gjykimit të saj. Seanca e parë e këtij shqyrtimi gjyqësor është caktuar në orën 9:30 të datës 14 shtator 2013. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për shpërthimin tragjik të Gërdecit, shoqëria “Albademil”, si person juridik, u deklarua e fajshme dhe u gjobit me 25 milionë lekë gjobë.         ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura