Paratë e “fshehura”, gati ligji i ri për t’i legalizuar

Jul 24, 2016 | 15:55
SHPËRNDAJE

Biznesi përsëriti dje në Komisionin e Ekonomisë kërkesën për amnistinë e kapitaleve.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi se në rast se do të ketë konsensusin e opozitës, ai është i gatshëm të nisë hartimin e ligjit. Kreu i Financave, Ahmetaj, solli në vëmendje se amnistia e propozuar në vitin 2011 nuk u miratua, për shkak se nuk gëzonte konsensus të gjerë.

Komisioni i Ekonomise
Komisioni i Ekonomise

“Nëse do të bënim amnisti të gjerë kapitalesh, për mua do të ishte shumë mirë, duke përjashtuar zyrtarët e lartë apo një set me individë që i kanë paratë nga korrupsioni, pjesa tjetër do të ishte vërtet shumë gjë e mirë dhe unë e kam hedhur si ide, por theksoj ajo kërkon një konsensus të gjerë. Le të kthehen në grup, ta pranojnë propozimin tim, të vijnë të thonë po, e shkruajmë të hënën”, u shpreh Ahmetaj.

Deputeti i opozitës, Ridvan Bode, e mbështeti qeverinë të hartojë një amnisti më të gjerë, duke përfshirë edhe atë të kapitaleve.

Bode shpjegoi se qeveria duhet të vendosë kur është koha e duhur. Pavarësisht se opozita e cilë- soi të domosdoshme amnistinë e kapitaleve, nuk dha konsensusin për ta votuar atë në rast se do paraqitej drafti.

Deputeti Bode i kujtoi maxhorancës se për amnistinë e kapitaleve në vitin 2011, nuk mori konsensus nga opozita e atëhershme, ndërsa kërkoheshin 84 vota për ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale.

Bode u shpreh se maxhoranca duhet ta miratojë amnistinë e kapitaleve me votat e saj dhe për këtë nuk ka nevojë të bëjë një marrëveshje me opozitën.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura