Parashikimi i FMN-së, Vasili: Jemi para katastrofës, qeveria ka zgjedhur të gënjejë

Sep 30, 2020 | 14:43
SHPËRNDAJE

petrit vasili

Pas parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, se ekonomia shqiptare pritet të tkurret me 7.5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili thotë se jemi në një krizë të rëndë.

“Shqipëria ndodhet në pragun e një gremine ekonomike shumë të rrezikshme e me pasoja katastrofike për vendin, por dhe për çdo qytetarë në veçanti”, tha Vasili.

Vasili tregoi disa fakte që sipas tij janë të pakundërshtueshme e tregojnë se kush është gënjeshtari më i madh në këtë vend.

Sipas Vasilit, “mjaftojnë apelet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të gjithë institucionet ndërkombëtare, të gjitha apelet që po bën opozita për të kuptuar qartë të vërtetën nga mashtrimi”.

“Shifrat janë këto:
Ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë ka një rënie të 10.2%, rënie e paparë në 20 vitet e fundit.
70% e bizneseve të vogla e të mesme, pra do të thotë mijëra biznese të vogla e të mesme rezultojnë me humbje, pra janë drejt dështimit, drejt falimentimit, drejt zhdukjes së tyre.
32 mijë biznese të vogla e të mesme deri tani janë mbyllur që do të thotë 1/3 e bizneseve të të gjithë vendit e bashkë me ju secili nga ju qytetarë bën llogari shumë shpejt sesa mijëra vende pune të tjera humbasin.

Ne kemi dëgjuar dje sesi kryeministri, ky mashtrues profesionist dhe i pacipë, tha se kemi vetëm 11 mijë të papunë nga pandemia. Kur ne dimë me shifra zyrtare të tatimeve, po të tyre që vetëm prej muajit të parë të izolimit e të mbyllës, pra në fund të majit ishin 66 mijë vende pune e në vijimësi situata u rëndua e mijëra biznese të tjera u mbyllën.

Pra të papunët reale, ata që vuajnë, atyre që u mungon buka në tavolinë dhe nuk kanë mundësi, siç e keni parë të çojnë dhe fëmijët në shkollat e tyre.

Janë me mijëra dhe nuk ka Zot nëne që këto të vërteta t’i shuajë apo të tentojë t’i deformojë me propagandë siç bën kryeministri.

FMN, vlerësues i paanshëm i pranuar botërisht dhe që ndjek Shqipërinë prej dekadash, nga parashikimi se rënia ekonomike do të ishte 5%, parashikon një rënie që shkon në 7.5% në totalin e tij sepse të gjithë paketat, mënyrat e ndërhyrjes, shpenzimi i parasë publike që bëri qeveria ishte kundër qytetarëve për pandeminë dhe në vend t’i ndihmonin ata të rimëkëmbeshin apo të rimerrnin disi veten, apo të ruheshin nga falimentimi dhe asgjësimi i tyre bëri të kundërtën. Të gjitha skenarët, e gjithë ecuria shkon keq edhe më keq.

Borxhi publik, një peshë që po thyen kurrizin e ekonomisë shqiptare dhe po rëndon xhepin e çdo shqiptari. Vetë zyrtarisht është mbi 80%, konfirmuar edhe nga FMN. Pa llogaritur këto qindra dhe miliona para borxhe të papaguara dhe pa llogaritur këtu qindra e miliona euro të humbura nëpër arbitrazhet për shkak të mbylljes, pezullimit, shkatërrimit të kontratave në mënyrë të njëanshme për qëllime klienteliste. Të gjitha bashkë e çojnë borxhin publik afër 100%, që do të thotë një katastrofë ekonomike e pashembullt për Shqipërinë, e cila normalisht që është një vend me shpatulla të dobëta, por kjo do të thotë që ta këpusin në mes Shqipërinë dhe secilin shqiptar.

Përkundrejt një situate të tillë katastrofike, qeveria ka zgjedhur të gënjejë, të jetë e pamëshirshme dhe me njerëzit në nevojë edhe me ata që e vuajtën më shumë se gjithë të tjerët nga pasojat e tërmetit, kundrejt mashtrimit të ndonjë shtëpie të vetmuar, janë me qindra dëshmi tronditëse ku qytetarë të ndryshëm aktivë, të moshuar, janë sot e kësaj dite në çadra. Përkundrejt këtyre mashtruesve, ndërtuesve të rishkatërrimit, sepse ky nuk është rindërtim, por një rishkatërrim më i keq sesa vetë tërmeti, sepse është i shoqëruar me mashtrim, me vjedhje të fondeve publike dhe me përçmim dhe kërcënim të njerëzve. Në vend që të gjenin para për këto, sepse paratë janë, ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Paratë e shqiptarëve shkojnë për koncesione, me miliona për incerenatorë ku edhe kilja e plehrave vazhdon të rritet vetëm e vetëm që qindra e milionë euro të futen nëpër xhepa, shkon në tendera pafund për të vazhduar dhe të pajisin zyrat në mënyrë luksoze, pra Stambolli digjet e këta krihen, më tej të arrijnë të shpenzojnë në mënyrë të paturp dhjetëra milionë për të blerë stilolapsa, siç bën Bashkia e Tiranës për të paguar media për reklama dhe propagandë boshe. Pra qindra milionë lekë që në vend që të ndërtojnë shtëpi, në vend që t’u japin mundësi qytetarëve të çojnë fëmijët në shkollë, pranojnë që të moshuar të rrinë në shi, fëmijët të mos shkojnë në shkolla dhe lotët e tyre të jenë një dëshpërim i madh për çdo shqiptar, por këtyre të mos u lëvizë asgjë nga qimja.

Oligarkët, koncesionarët, të trashë, të lumtur, të shëndetshëm, dhe qytetari gjithmonë e më shumë në mjerim, këto shifra tronditëse që janë fakte publike nuk janë fjalë apo numra për diskutim sepse dhe ashtu të shtrembëruara janë të tyre prap, janë një dëshmi për çdo shqiptarë që jemi para katastrofës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura