Parandalohet një vrasje në Fier, dy persona në pranga, u kapën me armë

Mar 28, 2015 | 19:55
SHPËRNDAJE

Dy persona që dyshohet se do ta kryenin një vrasje në qendër të Fierit janë vënë sot në pranga. Sipas policisë të arrestuarit janë shtetasit Ilirjan Panahori 27 vjeç dhe Meleq Isufaj 25 vjeç, banorë në fshatin Kurjan, të dy me precedentë penalë. 

Sendet e sekuestruara nga policia

Burimet nga policia e Fierit konfirmojnë për “Panorama Online” se në orët e para të ditës së sotme, banorë të Fierit kanë lajmëruar policinë për lëvizjet e dyshimta të dy personave, që dukeshin sikur po prisnin dikë.

Policia e mbërritur në vendngjarje, gjatë kontrollit të dy të rinjve u ka gjetur me vete armë dhe sende të tjera, duke krijuar dyshime se të arrestuarit ishin të përgatitur për të kryer vrasje.

Gjatë marrjes në pyetje mësohet se dy të rinjtë kanë thënë që e mbanin armën me vete për t’u vetëmbrojtur, duke pretenduar se “sot në vend nuk ka rend e qetësi”.

Sipas policisë Panahori ka qenë i dënuar në Greqi ku ka kryer 7 vjet burg për veprën penale të grabitjes me armë. Ai kishte 6 muaj që ishte kthyer.

Mësohet se në burgun grek Panahori ka pasur konflikte të shpeshta me të dënuarin shtetasin me iniciale B.N nga Fieri. Dyshohet se pikërisht shtetasi me iniciale B.N mund të ketë qenë edhe objektivi i vrasjes.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një automjet tip ‘Ford’, me të cilin po lëviznin dy autorët e dyshuar, një armë zjarri automatik me dy krehra dhe 43 copë fishekë, dy maska, letër natribani, 4 aparate telefoni celularë dhe një litar najloni.

Ndërkohë policia është ende duke punuar për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa po kërkohet shtetasi që dyshohet se ka qenë objekt i ekzekutimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura