Parandalimi i zjarreve në pyjet e vendit tonë

Aug 16, 2018 | 12:22
SHPËRNDAJE

fatmir lacejPROF. DR. FATMIR LAÇEJ*

Reshjet e rëna këtë vit, gjatë muajit qershor, kanë qenë një ndihmesë e madhe për zhvillimin e pyjeve në vendin tonë. Gjithashtu, temperaturat jo tepër të larta gjatë muajit korrik, të shoqëruara dhe me reshje të njëpasnjëshme, kanë bërë që deri tani zjarre  të mos përbëjnë rrezik për pyjet në vendin tonë.

Por, duke pasur parasysh temperaturat e larta të fillimit të muajit gusht, që sipas parashikimeve do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit dhe ndoshta edhe në shtator, duhet të mendojmë më seriozisht për rrezikun e zjarreve në grumbujt pyjore, për të mos u gjendur të papërgatitur në vijim. Këtë na e kujtojnë dhe diktojnë veçanërisht ngjarjet që ndodhën në muajin korrik në Greqinë fqinje, ku në zonën e Mati- se zjarret në bimësinë pyjore morën jetë njerëzish, dogjën banesa, pajisje dhe makina, duke sjellë krahas dëmtimeve të pariparueshme humane, edhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Është për t’u përshëndetur dalja e ministres së Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, gjatë muajit korrik në ekranet e disa stacioneve televizive, duke folur për një forcim të masave parandaluese dhe kontrolluese ndaj zjarreve në pyje. Por, me mendimin se në vazhdim duhet bërë akoma më tepër në këtë drejtim, dua edhe unë që nëpërmjet këtij artikulli të jap sadopak kontribut në parandalimin e zjarreve në grumbujt pyjorë.

Gjatë 15-20 viteve të fundit në pyje dhe veçanërisht në pyllëzimet artificiale me llojet pisha mesdhetare (të zonave bregdetare e kodrinore) apo llojin pishë e zezë (të zonave malore), zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke vënë në pikëpyetje për të ardhmen ekzistencën e këtyre pyllëzimeve të krijuara gjatë viteve 1970–1990. Kujtojmë këtu në veçanti vitet 2007, 2010 apo 2017 me vlera maksimale të sipërfaqes së djegur, pa lënë mënjanë dhe vitet e tjera.

Është e vërtetë se gjatë këtyre viteve kemi pasur një rritje të temperaturave veçanërisht gjatë verës, ku temperaturat maksimale gjatë ditës kanë shkuar edhe mbi 400 C, në periudhat e ashtuquajtura “i nxehti afrikan’. Kjo gjë ka ndikuar në tharjen e bimësisë barishtore dhe pakësimin e ndjeshëm të lagështisë të shkurreve apo drurëve gjatë verës, duke krijuar në këtë mënyrë kushte të favorshme për rënien e zjarreve. Duhet të dimë se që të kemi shfaqjen e zjarrit, është domosdoshmëri prania e tri elementeve, që janë: lënda djegëse, oksigjeni dhe burimi i nxehtësisë.

Mungesa e vetëm njërit nga këto elemente bën të pamundur shfaqjen e zjarreve. Kështu, prania e bimësisë barishtore të tharë apo bimësisë pyjore me përqindje të ulët të lagështisë, që përbën në këtë rast lëndën djegëse (elementi i I i zjarrit) të rrethuar nga oksigjeni, (elementi II i zjarrit), nuk shkakton zjarr në qoftë se nuk futet në lojë elementi III, që është burimi i nxehtësisë (apo energjia termike), nëpërmjet ndezjes së një shkrepëseje, çakmaku, hedhjes së një fishekzjarri, hedhjes së një cigareje të ndezur etj., me qëllim apo pa qëllim.

Në këtë rast, ndezja e zjarrit me apo pa qëllim dëmin e shkakton të njëjtë, në qoftë se zjarrvënësi nuk ndërhyn në moment për ta fikur zjarrin. Siç shihet, duke iu referuar tri elementeve të domosdoshme të zjarrit, ne, për parandalimin e zjarreve, kemi mundësi të ndikojmë kryesisht tek elementi i tretë që është burimi i nxehtësisë (duke shmangur zjarrvënien), ndërsa tek elementi i parë, që është lënda djegëse, ne mund të pakësojmë atë nëpërmjet punimeve përgatitore për mospërhapjen e zjarrit (si rrallime, krasitje, pastrim mbeturinash bimore, etj.).

Ne duhet t’u kushtojmë tepër rëndësi masave parandaluese të zjarreve, edhe për faktin që masat përgatitore kërkojnë investime të konsiderueshme, ndërsa mundësitë për masat kontrolluese i kemi të kufizuara për shkak dhe të terrenit malor, ku shtrihen kryesisht pyjet tona. Makinat zjarrfikëse që ne përdorim për kontrollin e zjarreve në zonat pyjore janë të destinuara për zonat urbane. Në zonat pyjore dhe rurale, ato shpesh dalin “jashtë loje” për shkak të mungesës së rrugëve për t’u futur në grumbullin pyjor të përshkuar nga zjarri. Po kështu, mjetet ajrore i kemi të pakta dhe veprimi i tyre kushtëzohet nga kushtet e relievit.

Me aspektet teknike donim të qartësonim te të gjithë lexuesit se parandalimi i zjarreve është i lidhur ngushtë me veprimin e zjarrvënies. Theksojmë që në kushtet e vendit tonë, nuk ka zjarr pa zjarrvënie. Zjarri nuk merr vetë, nuk merr nga temperaturat, sado të larta të jenë ato, (që të këtë zjarr, duhet që temperaturat të shkojnë rreth 2500 C). Duke iu referuar literaturës, në natyrë zjarri mund të shkaktohet vetëm nga vullkanet (në zonat vullkanike) apo nga rrufetë, por këto të fundit në vendin tonë, si shkak për përhapjen e zjarrit, janë tepër të rralla, pasi rënia e rrufesë në përgjithësi shoqërohet nga reshje dhe kështu rrufeja mund të dëmtojë (djegë) vetëm drurët që ajo godet dhe më pas reshjet fikin zjarrin.

Prandaj, ka ardhur koha që të merremi të gjithë më seriozisht me gjetjen e personave që ndezin zjarret, që bëjnë të mundur fillimin e tyre me dashje (përfitim toke, për hakmarrje, etj.), apo nga pakujdesia (duke djegur mbeturinat bimore, duke dashur të “përmirësojnë” kullotat nëpërmjet zjarrvënies dhe moskontrollit të mëtejshëm të zjarrit, hedhjes pa dashje të materialeve të ndezura, etj). Meqenëse burimi i nxehtësisë që realizohet nëpërmjet zjarrvënies (me ose pa dashje) është shkaku i rënies së zjarreve, pikërisht te ky element duhet të fokusohen edhe masat parandaluese ndaj zjarreve ne pyje. Disa nga këto masa i rendisim si më poshtë:

Masat ligjore, që nënkuptojnë forcimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit ndaj personave që ndezin zjarrin në sipërfaqet pyjore e kullosore, apo rreth tyre, dhe veçanërisht gjatë stinës së verës në periudhat me temperatura të larta. Ligji vërtet duhet të bëjë diferencimin e zjarrvënësve në të qëllimshëm e të paqëllimshëm, por duke i dënuar të dyja palët, pasi dëmi që shkaktohet mund të jetë i njëjtë.

Personi që ndez zjarr në zonat pyjore apo kullosore, aq më tepër në kushtet e temperaturave shumë të larta, duhet të jetë i vetëdijshëm për dëmin që mund të shkaktojë si dhe për çka e pret atë. Është detyra e personelit pyjor tashmë pranë bashkive, policisë, prokurorisë dhe gjykatave, të gjejnë personin zjarrvënës dhe të dënojnë atë sipas qëllimit që ka pasur dhe dëmit të shkaktuar. Nuk duhet të ketë as një zjarr “jetim”.

Pas çdo vatre zjarri është një person përgjegjës. Ndoshta ka ardhur koha të vendoset edhe një çmim nga ana e policisë për ata që denoncojnë personin zjarrvënës, siç bëhet edhe për rastet e grabitjeve të mëdha apo vrasjeve. Të mos harrojmë që kohët e fundit, zjarret, përveç pyjeve, kanë përfshirë shpesh dhe drurët frutorë, veçanërisht ullinjtë, duke rrezikuar jo në pak raste djegien e banesave apo dhe vetë jetën e njerëzve. Këtë e kemi të freskët nga ngjarjet e fundit në zonën bregdetare të Matisë– Greqi. Nuk e di se a ndodhet sot në burgjet tona, ku mund të ketë të dënuar për lloj-lloj veprash penale, ndonjë i dënuar për zjarrvënie në pyje.

Është krijuar përshtypja se personat e arrestuar vitet e fundit për vepra të tilla janë arrestuar në verë, në pikun e zjarreve dhe janë liruar në dimër me ftohjen e motit, kur janë harruar pasojat e zjarreve. Për Policinë Pyjore, Policinë e shtetit dhe Prokurorinë, një vatër zjarri me dëm ekonomik e mjedisor duhet të figurojë një çështje e pazbuluar sikurse një vepër penale, përderisa nuk është zbuluar zjarrvënësi. Vendosja e zjarrit me qëllim duhet të konsiderohet krim mjedisor, ekonomik dhe njerëzor. Kam mendimin që zbatimit të ligjshmërisë në mbrojtjen ndaj zjarreve në pyje e kullota, do t’i shërbejë rivendosja e studiuar e vrojtuesve të zjarreve gjatë periudhave të nxehta e të thata të verës, që me praninë e tyre do të minimizojnë apo do të diktojnë që në momentet e para shfaqjen e zjarreve, duke mos lejuar përhapjen e tyre.

Masat informative – propaganduese, që shërbejnë për informimin dhe paralajmërimin e popullsisë (vizitorëve të pyjeve, popullsisë lokale, punonjësve që kryejnë aktivitet në pyje etj.), mbi rrezikun e zjarreve në pyje. Këtu, një rol të rëndësishëm duhet të luajnë mediat nëpërmjet spoteve televizive, emisioneve televizive me specialistët përkatës, etj. Mediat duhet të jenë më aktive me veprimtarinë e tyre për parandalimin e zjarreve. Nuk mjafton që ato vetëm të japin lajme e kronika sesi u dogj këtu apo atje, por të organizojnë emisione të posaçme për parandalimin e zjarreve apo të japin spote për dëmin dhe rrezikun e zjarreve. Kështu, stacionet e fuqishme televizive, si TVSH, “Top Chanel”, “Klan”, “Vizion+”, mund t’i bëjnë këto spote edhe pa pagesë, pasi këto spote u shërbejnë në fund të fundit të gjithëve, i shërbejnë mjedisit ku ne jetojmë.

*Pedagog në U.B.T., Fakulteti i Shkencave Pyjore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura