“Paralizohet” Tirana, e gjithë qendra pedonale për VIP-a, media e tifozë! Kush janë rrugët e bllokuara

May 25, 2022 | 11:31
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Ndeshja finale e “Europa Conference League” ka ndalur kohën për një ditë në kryeqytetin shqiptar, i cili i dedikohet sot tërësisht eventit më të rëndësishëm sportiv në kontinent.

ndeshja

Shkolla e institucione të mbyllura, asnjë makinë në qarkullim, ndërsa qytetarët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi, duke i futur kështu në një karantinë të dytë që pas asaj të 2020-ës. Policia e Shtetit, ajo Bashkiake e bluzat e bardha do të jenë të vetmit që punojnë sot nën masa ekstra sigurie e double kapacitet. Zemra e kryeqytetit është sot e gjitha pedonale. Asnjë hyrje lidhëse nga unaza e mesme në drejtim të qendrës dhe stadiumit nuk do të funksionojë për mjetet e zakonshme, përveç personaliteteve VIP, mediat dhe tifozët me bileta në stadium. Pavarësisht jetës kryeqytetase në kolaps për një ditë të tërë, 25 maji do të mbahet mend gjatë si një moment historik në historinë e futbollit shqiptar, pasi është hera e parë që luhet në vendin tonë një finale evropiane.

harta

NJË TIRANË NDRYSHE

Që të martën, një ditë përpara përballjes së madhe, Tirana u ndez nga tifozë të shumtë që mbërritën në Shqipëri nga Porti i Durrësit e Rinasi. Qindra mijëra italianë e holandezë mbushën rrugët e kryeqytetit të zbukuruar me banderola. Në pritje të orës së finales që luhet në “Air Albania”, ata shfrytëzuan të martën për të eksploruar vendet turistike rreth Tiranës. Sakaq, në dy lokacione relativisht larg njëri-tjetrit, janë improvizuar dy Fan Zona të dedikuara për fansat e dy ekipeve, një te shëtitorja “Murat Toptani” dhe një tjetër tek Amfiteatri në kodrat e liqenit artificial, ndërsa festimet do të kulmojnë sot me një aktivitet në qendër të qytetit, në sheshin “Skënderbej” me muzikë festive e DJ të njohur. Përpos hoteleve tërësisht të ezauruara me kohë, edhe ato që quhen “guest house” mbrëmë e sot janë zënë tërësisht duke bërë që bizneset të jenë në kulmin e punës së tyre. Midis tifozëve, ka edhe nga ata që kanë prerë biletën për më shumë se dy ditë, duke shfrytëzuar vizitën për të njohur më tepër Shqipërinë.

TIFOZËT, TË NDARË NË SPITALE

Edhe shërbimi mjekësor (në rast se do të jetë e nevojshme) për tifozëritë e dy ekipeve, do të jepet në dy zona të dedikuara. Ministria e Shëndetësisë ka menduar për këtë detaj, për të shmangur çdo lloj incidenti në ambientet spitalore. Në prezantimin e planit të masave nga ambientet e Urgjencës Kombëtare, ministrja Ogerta Manastirliu bëri me dje se “Shefqet Ndroqi” është përcaktuar për urgjencat nga radhët e tifozërisë holandeze, ndërsa Spitali i Traumës do të jetë në dispozicion për mbështetësit e ekipit të Romës. “E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati.

Qoftë Spitali i Traumës që tashmë ka vënë në dispozicion një pavijon me kapacitete të dedikuara. Po ashtu QSUT si dhe spitali ‘Shefqet Ndroqi’ ku dhe aty kemi pavijone të posaçme. Mbi të gjitha, ekipet janë në gatishmëri dhe anë përforcuar duke u dyfishuar”, vuri në dukje nr. 1 i shëndetësisë. Sipas planit të MSH, në dispozicion do të jetë edhe pavijoni i toksikologjisë në QSUT, ndërsa autoambulanca të shumta me ekipe mjekësore do të rrinë në gatishmëri pranë zonave të ngritura në Tiranë nga ku do të ndiqet direkt finalja Roma-Fejenoord.

MASAT E POLICISË

Pas informacioneve për 400-500 tifozë agresivë nga të dyja ekipet finaliste që pritet të jenë në stadium, Policia e Shtetit ka angazhuar 2800 forca blu që nga mëngjesi i së martës e deri të mërkurën në mbrëmje, me qëllim për të garantuar siguri. Në kuadër të planit të masave, në kryeqytet është shpallur dita pa makina për të shmangur çdo lëvizje në akset ku pritet të kalojnë tifozëritë e ekipeve respektive, ndërsa Policia e Shtetit ka bërë një listë me 54 rrugë e bulevarde me kufizime në lëvizje (sipas tabelës bashkëngjitur shkrimit) e një hartë dygjuhëshe që tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete.

Policia e Shtetit u kërkon drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në zonat përreth ku zhvillohet aktiviteti sportiv, si një ndihmë e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Autoritetet iu kanë bërë thirrje gjithashtu qytetarëve nga zonat jashtë Tiranës që më datë 25 Maj të mos udhëtojnë drejt kryeqytetit, nëse nuk kanë një biletë për të hyrë në stadium. Nga ana tjetër, veç institucioneve shtetërore, Ministria e Brendshme ka apeluar edhe bizneset ta bëjnë pushim ditën e sotme.

RRUGËT E BLLOKUARA
Rruga e “Durrësit”
Rruga e “Kavajës”
Rruga “Myslym Shyri”
Rruga “Ibrahim Rugova”
Rruga “Abdi Toptani”
Rruga “Xhorxh W Bush”
Rruga “Abdi Toptani”
Rruga “Ismail Ndroqi”
Rruga “Luigj Gurakuqi”
Rruga e “Dibrës”
Rruga “Urani Pano”
Rruga “Dedë Gjo Luli”
BLV. Zogu i Parë
BLV. Bajram Curri
BLV. Gjergj Fishta
BLV. Zhan D’ark
BLV. Dëshmoret e Kombit
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga Leke Dukagjini
Rruga “Faik Konica”
Rruga “Dervish Hima”
Rruga “Asim Zeneli”
Rruga “Ismail Qemali”
Rruga “Mustafa Matohiti”
Rruga “Jul Variboba”
Rruga “Fatmir Haxhiu”
Rruga “Gjergj Filipi”
Rruga “Pjetër Bogdani”
Rruga “Nikolla Tupe”
Rruga “Brigada e VIII
Rruga “Pashko Vasa”
Rruga “Çamëria”
Rruga “Ukraina e Lirë”
Rruga “Abdyl Frashëri”
Rruga “Skerdilajd Llagami”

RRUGË TË KUFIZUARA PËR EMERGJENCA DHE AUTORIZIM:
Rruga e Rinasit
Rruga interurbane Durrës-Tiranë
Rruga Fushë Krujë-Vorë
Rruga Elbasan-Tiranë
Rruga Durrës-Tiranë, nga
Ndroqi
Rruga “Dritan Hoxha”
Rruga “Teodor Keko”
Unaza e Madhe
Rruga e Elbasanit
Rruga “Muhamet Gjollesha”
Rruga “Sulejman Delvina”
Rruga “Asim Vokshi”
Rruga “Reshit Petrela”
Rruga “Ferit Xhajko”
Rruga Bardhyl
Rruga “Arkitekt Sinani”
Rruga “Sami Frashëri”
Rruga “Dëshmorët
e 4 shkurtit”
Rruga e Barrikadave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura