Paralajmërohet ngritja e akuzave në Gjykatën e Posaçme për Kosovën

Feb 24, 2020 | 21:25
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, paralajmëroi të hënën fillimin e ngritjes së akuzave.

135BA88B-BF39-413E-B54C-F031C2697108_w1023_r1_s

Në një njoftim të së hënës pasdite, thuhet se “Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”.

Në njoftim thuhet se kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Në korrik të vitit 2019 në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura