Paralajmërimi/ Qeveria me “dorë të hekurt” ndaj ndërtimeve pa leje: Gjoba, burg dhe konfiskim

Jul 24, 2020 | 14:43
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Gjobë, burg e deri konfiskim objekti. Janë këto penalitetet që do të rëndojnë mbi ndërtuesit apo edhe qytetarët, që do të devijojnë nga leja e ndërtimit.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit paketën e re ligjore “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

gjonaj balluku lleshaj

Ndryshimet u prezantuan një ditë më parë nga tre ministra të kabinetit, ministri Lleshaj, ministrja Gjonaj e Balluku.

MASAT

Kodi i ri, me anë të së cilit synohet të vendoset kontrolli mbi territor, sanksionon masa nga gjobat deri te prishja, konfiskimi i objektit dhe dënimi me burg deri në 15 vite për ndërtuesit që do të shtojnë një apo më shumë kate nga leja që iu është miratuar.

“Nëpërmjet kësaj pakete ligjore synojmë të rregullojmë në mënyrë të qartë përcaktimin e përgjegjësive të zhvilluesit në rastet kur objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes, duke parashikuar prishjen e punimeve kur sipërfaqja totale ndërtimore pa leje është 2%, sanksionimin e gjobës së barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje, prishje të objektit kur rezulton si shtesë kati apo volum anësor, konfiskim për interes publik të të gjithë pronës nëse tejkalon masën 50% të sipërfaqes totale, krahas dënimeve penale për subjektin”, tha ministrja Gjonaj.

Pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë nxorën në dritë edhe problematikën e cilësisë së ndërtimit. Në paketën e re ligjore është përcaktuar burg deri 15 vite për ata ndërtues që vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Ndryshimet e Kodit Penal parashikojnë kriminalizim për herë të parë në rastet kur kryerja e çdo veprimi tjetër me dashje, që mund të sjellë rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtesave, objekteve qytetare, veprave industriale, të infrastrukturës ose të çdo objekti tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve, e cila dënohet me gjobë ose burg deri në 5 vjet. Dënimin me burg, nga 5–10 vjet, kur nga veprat penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale. Dënimin me 7– 15 vjet burg, kur nga vepra janë shkaktuar pasoja të rënda të shëndetit dhe jetës së njerëzve”, tha më tej Gjonaj.

Sërish nuk mbaron këtu, sepse ministrja përmendi dje edhe përfshirjen në “listë të zezë” të të gjithë zhvilluesve si pjesë e një veprimtarie tregtare në kundërshtim me ligjin. Ato do të përjashtohen po ashtu nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet.

BALLUKU

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj u ndal në problematikat e vërejtura kur tha se “një pjesë e mirë e ndërtesave nuk përmbushim kushtet për mbrojtjen nga zjarri, kushtet për lëkundjet sizmike. Të gjitha ndryshimet e bëra përforcojnë rregullat dhe përgjegjësit e atyre që janë pjesë. Projektuesi është përcaktuar për të mbajtur përgjegjësinë profesionale nëpërmjet një kontrate për çdo dëm që shkaktohet prej procesit të tij. Sigurimi i ndërtesave është një proces shumë i rëndësishëm, me të cilin ne po punojmë”.

LLESHAJ

Kontrolli mbi cilësinë nuk do të jetë i përqendruar te ndërtimet informate, por edhe tek ato që janë ndërtuar konform ligjit. Paralajmërimi erdhi nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Fokusi i punës, siç edhe u paratha nga kolegët, është jo vetëm ndërtimet pa leje, me të cilat tashmë jemi mësuar dhe kemi krijuar një farë tradite në adresimin e këtij fenomeni, por janë ndërtimet pa dhe me leje. Sepse kemi mësuar, kemi parë fatkeqësisht, që edhe ndërtimet me leje mund të na shkaktojnë probleme të mëdha kur ato nuk ndërtohen siç duhet. Për këtë arsye, IKMT, Policia dhe inspektoratet e tjera, qofshin ato të nivelit vendor apo të nivelit qendror do të përfshihen në një program të madh të koordinuar angazhimi, në mënyrë që këto fenomene të marrin fund një herë e mirë”, tha ministri dje.

Ndryshimet ligjore pritet të zyrtarizohen brenda muajit gusht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura