Paralajmërimi për Qeverinë/ Pas FMN, edhe KE kundër amnistisë: Ka rrezik për pastrim parash e evazion

| 10:30
SHPËRNDAJE
 

Teksa qeveria shqiptare ka depozituar në Parlament projektligjin për amnistinë fiskale, Komisioni Europian, nëpërmjet një raporti konfidencial, që zotërohet nga “Panorama”, ka rreshtuar një sërë arsyesh duke kundërshtuar kështu nismën e qeverisë në Tiranë.1

Kjo nismë u bë fillimisht publike nga Kryeministri Rama në shkurt të këtij viti gjatë konferencës së Partisë Socialiste. Gjatë periudhës së pandemisë duket se humbi përkohësisht fokusi, por kjo temë u rikthye pak kohë pasi qeveria shqiptare shpalli suksesin me marrjen e borxhit të ri përmes EUROBOND-it të majit 2020.

MUNGESA E KONSULTIMIT

Mirëpo në një raport konfidencial, të siguruar nga “Panorama”, në lidhje me projektligjin, Komisioni Europian është tejet kritik ndaj qëllimit dhe frymës së projektligjit. Në raport nënvizohet mes të tjerash se ky projektligj “nuk ka përfituar nga konsultimi i duhur me partnerët relevantë përpara se të dërgohej në Kuvend”. Komisioni sqaron se ky është një projektligj që ka një impakt të madh në jetën e vendit dhe se një urgjencë e tillë nga qeveria është e pakuptueshme.

Në mars të vitit 2020 qeverisë shqiptare iu vendosën 15 kushte për të nisur procesin e integrimit të vendit në BE, një prej këtyre kushteve lidhet me zbatimin e sugjerimeve të organizatës “Moneyval”. Në raportin e tij Komisioni nënvizon se për “Moneyval” është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontekstin e një amnistie të tillë”. Sakaq KE-ja këmbëngul se Shqipëria duhet të sigurojë dhe të veprojë në bazë të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe ajo duhet të mos neglizhojë “legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe rekomandimet e ‘Moneyval'”. Shqetësimi në rritje për Shqipërinë është kthimi i saj në një qendër të pastrimit të parave.

RREZIKU PËR EVAZION

Projektligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale duket se nuk i ka tingëlluar pozitivisht Brukselit, në raport evidentohet gjithashtu se projektligji në fjalë “do të krijonte një ‘oportunitet të madh’ për evazorët fiskalë dhe pastruesit e parave”. Ky koment i referohet nenit 13 të projektligjit, i cili u jep mundësinë përfituesve të Amnistisë Fiskale jashtë Shqipërisë që të mos i kalojnë paratë përmes bankave, por t’i sjellin ato cash. Një tjetër kritikë e ekspertëve të BE-së lidhej me përfshirjen në ligj edhe të personave që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare, por kanë biznese në Shqipëri.

Jo vetëm kaq, por edhe gama e gjerë e produkteve që kjo amnisti fiskale dhe penale përfshin, e bën edhe më të rrezikshëm, sipas raportit, këtë amnisti në këtë kohë, dhe të dërguar me shpejtësi në Kuvend. Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie.

“Projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë”, lexohet në raportin në fjalë, ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Aq më tepër që sipas KE-së, ky projektligj do të sillte në rast aprovimi shqetësime të mëdha “në lidhje me kompetitivitetin e pandershëm nga ata që kanë mbajtur asetet e tyre jashtë sistemit deri më tani”.

Me sa duket, argumentet e qeverisë nuk kanë bindur plotësisht as Komisionin Europian, i cili ka rekomanduar që qeveria shqiptare dhe Parlamenti duhet të rishikojnë adaptimin e këtij draftligji. Sakaq, Brukseli ka udhëzuar Kuvendin se “nëse ka ndërmend të vazhdojë përpara me adaptimin e një ligji fiskal dhe penal, duhet të adresojë pikat e ngritura në këtë raport”.

SHTYRJA NË SHTATOR

Ligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale ka qenë tejet i sulmuar edhe nga opozita shqiptare për arsye të ngjashme. Në dy deklaratat e saj për shtyp, Partia Demokratike ka argumentuar se projektligji në fjalë është një mburojë për të inkriminuarit dhe gjithashtu e kthen vendin në një “Panama” të Europës. PD-ja u zotua se do të anulonte këtë ligj duke aplikuar dhe efekte prapavepruese në procesin e anulimit. Deklaratat e demokratëve u pasuan nga reagimet e qeverisë e cila artikuloi domosdoshmërinë që ka vendi për të vendosur në punë paratë e informalitetit, si dhe paratë e emigrantëve shqiptarë.

Kjo nuk është kritika e parë që vjen nga jashtë vendit nga organizma partnere të Shqipërisë, pasi opinione jopozitive kanë dhënë edhe BERZH, FMN, por edhe grupet vendase të interesit, si bankat apo shoqata të ndryshme. Ndërkohë, mësohet që Parlamenti ka shtyrë për në shtator diskutimin për këtë projektligj. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë në mbledhjen e djeshme gjykoi se do të duhet më shumë kohë për të votuar këtë nismë të rëndësishme ligjore.

DISA GJETJE NË RAPORT

1. Projektligji nuk është pasuruar nga konsultimet e duhura me të rëndësishme me palët e interesuara para se të dorëzohej në Parlament, pasi projektligji ishte paraqitur në Parlament më 9 korrik. Duke marrë parasysh ndikimin e gjerë të këtij legjislacioni, urgjenca me të cilën u miratua ky projektligj nuk është e justifikuar. Për më tepër, ligjit të propozuar i mungon një vlerësim i nevojshëm i pasurive që do të legjitimohen dhe i të ardhurat që do të gjenerohen nga ky legjitimim.

2. Shtrirja e kësaj amnistie fiskale dhe penale do të shkonte përtej ndikimit të ngjashëm në legjislacion e zbatuar në vendet e tjera. Ne këshillojmë për një rishikim të fushës së veprimit të ligjit, për të synuar vetëm evazionin fiskal të kryer nga persona me banim të besueshëm (vërtetuar) në Shqipëri, që nuk kanë arritur të deklarojnë pjesërisht ose plotësisht të ardhurat, transaksionet në lidhje me pasuritë e tyre. Është esenciale që projektligji të tregojë specifikisht llojet e taksave dhe periudhën kohore që do të përfshijë amnistia. Një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar, sepse përkufizimi i pasurive përfshin elemente të tilla si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë cash të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gurë të çmuar. Është e vështirë të garantohet se:

1) ato nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale ;

2) deklarohen nga pronari i tyre aktual ( përfitues);

3) rezultojnë nga të ardhurat të cilat nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklaratës tatimore, ose subjekt i një kontrolli tashmë të kryer tatimor.

5. Elementet thelbësore mbeten për t’u përcaktuar në lidhje me funksionimin e Njësisë Speciale, përfshirë mekanizmat e bashkëpunimit dhe koordinimit me agjencitë ligjzbatuese dhe bankat. Rikthimi i pasurive (neni 13) duhet të bëhet përmes transferimeve bankare ndërkombëtare në vend se të nënkuptohet që paratë cash mund të zhvendosen fizikisht.

Nëse fitimet janë jashtë vendit, transferta e tyre në një vlerë të caktuar duhet të deklarohet në zyrën doganore në kufi. Ka një rrezik që projektligji të krijojë hapësira për evazion fiskal dhe pastrimin e parave që vijnë nga jashtë. Neni 16/2, i cili përcakton se “çdo paqartësi në zbatimin e këtij ligji do të interpretohet në favor të subjektit”, është shumë i gjerë dhe lë hapësira për pasoja të shumta. Ndërsa parimi i prezumimit të pafajësisë ndaj të pandehurit është një parim themelor i sundimit të ligjit. Në këtë rast rrezikon përjashtimin nga ndjekja panele e subjektit në posedim të pasurive të jashtëligjshme.

8. Nuk jepet asnjë garanci që pas amnistisë fiskale, të ashtuquajturit “Viti Zero”, sistemi do të sigurojë zbatimin e duhur të legjislacionit fiskal në mënyrë që praktikat e evazionit fiskal të ndalojnë. Shqipëria, së pari, duhet të ndërtojë një administratë tatimore profesionale, e cila do të bllokonte mundësinë për pastrim parash dhe korrupsion.

9. Qeveria dhe Parlamenti duhet të rishqyrtojnë miratimin e këtij projektligji. Nëse Parlamenti synon të ecë përpara me miratimin e ligjit fiskal dhe penal të amnistisë, çështjet e trajtuara në këtë punim duhet të adresohen siç duhet.

PANORAMA

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.