Paralajmërimi për krizën energjitike/ Policia rikthen kontrollet dhe arrestimet për vjedhje të energjisë elektrike. Nisin hetimet për faturistin pranë OSHEE-së

Oct 14, 2021 | 15:32
SHPËRNDAJE

Pas paralajmërimit për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike dhe goditjes së vendit nga kriza e furnizimit me energji, Policia e Shtetit ka nisur së fundmi kontrollet e përbashkëta me OSHEE-në për parandalimin e vjedhjes së saj.

policia-e-shtetit-800x447_1-860x445-770x433

Burimet zyrtare policore, që për hir të së vërtetës nuk kishin raportuar prej kohësh aksionet për kontrolle të vjedhjes së energjisë, sot bëjnë me dije se kanë arrestuar dy persona, një në Tiranë dhe një në Lezhë.

Ndërkohë shtatë persona të tjerë janë proceduar penalisht në qytetin e Shkodrës.

Gjithashtu, policia thotë se në hetim penal është vendosur edhe një faturist i OSHEE-së, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Këto kontrolle dhe arrestime vijnë në një moment që qeveria ka shpallur emergjencën e furnizimit me energji elektrike të vendit.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet në bashkëpunim me OSHEE-në, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.

Si rezultat, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër janë proceduar penalisht shtetasit: G. A., E. B., L. H., Gj. Sh., L. H., S. P. dhe M. P., pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kishin bërë ndërhyrje në matësin elektrik në banesat e tyre.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., banues në Milot, Kurbin, më detyrë elektricist/faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.

Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura