Paralajmërimi i PD: Po përgatitet lirimi i një tjetër të dënuari, kush është ‘bosi i krimit’, e di edhe kryeministri

Jan 17, 2020 | 14:55
SHPËRNDAJE

bardhi

Partia Demokratike paralajmëron se është duke u përgatitur edhe lirimi i “bosit të krimit të organizuar Arben Grori”.

Lajmin e bëri me dije sot në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?

Teatri me deklarata të pavlera, pasi kriminelët ndihmohen të dalin nga burgu, duhet të marrë fund!”, tha Bardhi.

DEKLARATA E PLOTE E GAZMEND BARDHIT

Vendimi i Edi Ramës për të shpëtuar nga burgu kriminelët më të rrezikshëm të vendit, janë dëshmia më e rëndë e bashkëqeverisjes së tij me krimin.

Teatri i marionetave të Ramës, në rolin se qeveria nuk di çfarë bëjnë drejtorët e saj apo gjyqtarët e kontrolluar prej saj,është tallje e ulët me inteligjencën e qytetarëve shqiptarë.

Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës.

Shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut.

Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune.

Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar.

Njeriu që mbushi Parlamentin, bashkitë dhe administratën publike, me kriminelë apo përfaqësues të emëruar nga krimi i organizuar, sot po përdor pushtetin e tij mbi drejtësinë për lirimin e bosëve të krimit të organizuar.

Deklarata e sotme e Ministres së Drejtësisë, është një akt i përsëritur, ku reagimi nuk vjen para se të merret vendimi, edhe pse ajo është në dijeni për të paraprakisht, por gjithmonë një javë pas lirimit.

Ministrja Etilda Gjonaj dhe shefi i saj Edi Rama nuk guxojnë as t’u përmendin emrat bosëve të krimit të organizuar, të liruar me dijeninë e tyre.

Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?

Teatri me deklarata të pavlera, pasi kriminelët ndihmohen të dalin nga burgu, duhet të marrë fund!

Krimi i organizuar duhet të goditet me tolerancë zero! Por kjo as ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë, sa kohë vendi drejtohet nga regjimi i kriminalizuar i Edi Ramës.

E vetmja garanci që Shqipëria të çlirohet nga krimi i organizuar dhe bosët e tij të burgosen, është largimi i Edi Ramës!

KUSH ËSHTË ARBEN GRORI

grori

Ekzekutoi Naim Zyberin në Itali, Arben Grori rrëfehet nga qelia e burgut

Arben Grori, 46–vjeçar, emër i njohur për drejtësinë vuan dënimin për dy vepra penale. Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane për vrasjen e Naim Zyberit në 6 gusht 1997 në spitalin San Paolo, Milano, vrasësit të vëllait të tij, Artur Grori. Ndërkohë është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg në Shqipëri për trafik droge. Në një intervistë për ‘Shekulli’, ai rrëfehet pas më shumë se 17 vite nga arrestimi.

Arben emri yt është shumë i njohur për opinionin publik. Prej sa vitesh ndodhesh në këtë qeli?

Këtu ndodhem prej rreth 11 vitesh. Ndërsa prapa hekurave kam 17 vjet.

Kush është dita juaj?

Rutina e përditshme, ashtu sikundër je në shtëpi. Në mëngjes do dalësh, do lahesh, pi një kafe shkon në palestër, vjen në dhomë. Kemi mundësi të shkojmë edhe tek ndonjë shokë i sektorit. Dalim në ajrosje. Pjesën më të madhe të ditës e kalojmë duke parë televizor. Këtu lëvizjet janë të kufizuara, s’ka shumë mundësi për tu argëtuar.

Për çfarë mendon më shumë?

Për familjen. Ajo është kryesorja dhe na mban gjallë që ne vazhdojmë të shpresojmë. Bëjnë burg si ne, ashtu edhe ata që janë jashtë, pasi mendojnë se çfarë do i sjellin djalit, një javë para se të vijnë. Këtu në burg nuk të ofrohet asgjë. Gjithçka e bënë familja. Kam dy djem një 18 vjeç dhe tjetri 17.

A të vijnë shpesh në takim e çfarë i thonë babait?

Posi jo. Një herë në javë, ose një herë në dy javë. Tani që kanë shkollën pak më rrallë. Sipas mundësive. Ata nuk mund të rrinë këtu gjatë gjithë kohës. Tashmë janë lidhur me burgun. Nuk u bënë përshtypje jeta në burg, ose qenia ime këtu. Ata duket sikur janë rritur në burg. Ose nuk e shprehin.

Mendon se një ditë do e lësh këtë vend?

Atë nuk e dimë ne, e dinë gjykata, qeveria, institucionet. Ne po e vuajmë dënimin. Po e bëjmë burgun të gjithë. Do s’do, me dashje pa dashje, po e vuajmë. Kanë kaluar shumë vite. Të bëjnë një ligj si gjithë Europa. Nuk na kanë dhënë asnjë risi. Nuk kemi asnjë të drejtë të dalim prej këtu. Pasi të kesh bërë 15 ose 20 vite burg të shkosh pranë familjes, ose të shkosh të punosh e të kthehesh. Po bëre kaq vite burg ç’farë të ngelet më. Kaq është jeta. Ne mundësitë për punë i kemi, jem i akoma të rinj. I drejtohem ministrit të drejtësisë dhe që është njeri që i kupton ligjet. Të bëjë një ligj për ne të dënuarit e përjetshëm. Të kemi mundësinë të bëjmë diçka. Kam bërë 17 vite burg. Pse të mos shkojmë tani pranë familjes. Ose të gjejmë një punë jashtë. Pse duhet të vdesim në burg. Ndoshta jo si në Greqi e Itali, por si në Gjermani e Francë. Të integrohemi edhe ne, kemi ngel shumë prapa. Ashtu si bënë edhe reformën në drejtësi që e bënë për vete.

Pse mendon kështu?

Atë reformë e bëjnë vetëm për vete. Ndërrojnë vetëm emrat. Kjo reformë ndryshon sistemin e gjykatës prokurorisë, këshillit të lartë të drejtësisë gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, vetëm kaq. Pra do hiqen ca njerëz dhe do vihen ca të tjerë. Janë të njëjtat gjëra.

E ndjek politikën..si e sheh?

Si kjo që është tani nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Në ç’kuptim?

Pozitive apo negative nuk e di por, është shumë e koklavitur. Nuk mund të thuhet siç ishte para katër ose tetë vitesh që kuptohej. Sidomos kur ishte Fatosi ( e ka fjalën për ish kryeministrin Nano). Tani është shumë e ngatërruar . Pra, është shumë interesante. Korrupsion ka jashtë mase. Me sa shohim ne në televizor. Duket se ka edhe pak drejtësi, por prapëseprapë. Këtu zoti janë njerëzit, gjyqtarët , prokurorët, drejtorët, ministrat. Këta janë ata që duhet të vënë dorën mbi ne, dhe që duhet të bëjnë diçka.

Nëse do ktheheshim pas në kohë ç’farë do i thoshe Arben Grorit 20 -vjeçar?

Ç’farë do i thosha. Tani, Arben Grori është 46-vjeçar. Janë ca gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me 20- vjeçarin. Janë punët e lidhura me shtetin. Në Shqipëri atëherë nuk ka pasur shtet. Nëse do ishte ndryshe, unë nuk do ndodhesha këtu. Në atë kohë punoja gjithë ditën dhe nuk i bija në qafë askujt. Por ç’farë të thuash kur atij 20-vjeçarit i binin në qafë, si individi ashtu dhe qeveria. Unë në atë moshë kam qenë në Gjermani po ç’e do, erdha këtu, pasi jam shqiptar. Kjo është e keqja ime.

Kujt ia vë gishtin dhe thua, ky më solli këtu ku jam? 

Ia vë vetes sime. Fajin e kam vetë që erdha këtu. Pse erdha. Unë i kisha mundësitë të jetoja kudo, pasi kisha nënshtetësinë gjermane. Erdha për të jetuar pranë familjes. Pavarësisht se edhe të tjerët mund të kenë faj, kryesori bie mbi mua.

Ke kërkuar nga drejtësia që çështja jote të rigjykohet?

Unë kam kaq vite. Çdo njeri që është i dënuar kërkon të bëhet diçka për veten. Kam lëvizur të gjithë gurët. Kam shkuar edhe në Strasburg. Kam fituar çështjen. Por këtu jemi në Shqipëri, dhe kjo gjë nuk mund të diskutohet. Këtu është e keqja se, në ligj ka Maliq. Nuk është se vendos vetëm ligji apo gjykatësi.

Ju vuani nga në sëmundje. Prej sa kohësh jeni diagnostikuar dhe kush e mundëson mjekimin?

Që nga 2003-2004 vuaj nga dëmtimi i nervave, quhet sklerozë. Sëmundja më erdhi nga stresi i burgut. Vazhdojë të kurohem, pak vetë, e pak shteti. Pas dhjetë vitesh, shteti u kujtua të bënte diçka, vetëm pasi e detyruan të huajt pasi këtu s’ka asgjë. Ata kanë harxhuar 200 milion lekë që të më mbajnë në burg në vend që të më nxjerrin jashtë për tu shëruar. Para shtatë vjetësh gjykata europiane u shpreh me vendim që unë të shkoja në një spital civil. Por shteti nuk donte. Me dhunë shkova. Më çuan me 500 forca policie. Kishin frikë nga unë dhe më nxorën.

A është Ben Grori i rrezikshëm?

Atë e dinë njerëzit. Ti si mendon? Ke 15 vjet që shkruan për mua. A e kanë njohur njerëzit se kush është Arben Grori, a e din ata nga erdhi ky njeri ky kriminel, apo engjëll? Gjithmonë kam dashur ta di këtë. Se sa mirë keni shkruar për mua. Unë kam qenë një djalë i ri punëtor dhe tashmë përfundova këtu. Kam pasur lokale, hotele.

Çfarë të shtyu ty, të ndryshoje kursin dhe me kë i ke pasur kontradiktat më të mëdha?

Kështu ishte 1997. Çfarë të them më, a ka pas shtet atëherë? Ato janë bëmat, që ne vuajmë burgun tani. Kjo më shtyu mua të vija në Shqipëri për të punuar, nga mëngjesi deri në darkë. Nuk kam qenë tip problematik me njerëzit. Kam shkuar mirë me të gjithë. Këtu dalin shumë gjëra që tashmë nuk mund ta kthesh kohën mbrapsht. Sot, kushedi se ku do isha po të kisha qëndruar në Gjermani.

Si janë marrëdhëniet me institucionin, a ndodh që të kërkoni ndihmën e oficerëve?

Patjetër. Me ta i ndajmë të gjitha. Kërkojmë ndere, për takime shtesë, për të dalë diku, për ndonjë vizitë te mjeku, apo për të shkuar edhe në shtëpi. Para ca kohësh më dhanë mundësinë për dy orë të vizitoja prindërit, kisha mamanë sëmurë. Ajo është rropatur për mua nëpër burgje.

Atë vrasje në Itali nuk e kam kuptuar?  

Si ta kuptosh. Ç’lidhje ka Arben Grori nga Italia këtu. Por ky ishte shteti . Arben Grori duhej dënuar patjetër. Unë mora pafajësi një herë për atë.

Po ç’ndodhi?

Por, shkon Kryeministri dhe rreh kryetarin e gjykatës…dhe ja ku jam këtu.

Për kë e ke fjalën?  

Kryeministri i asaj kohe (viti 2002), shkon e i bën presion kryetarit të Gjykatës së Lartë të po asaj kohe (thotë emrin duke tundur kokën).

Sa shpenzon gjatë muajit dhe kush ti mundëson të ardhurat?

Familja, motrat që kam jashtë. Më japin 500 mijë lekë të vjetra në muaj. Varet se çfarë konsumon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura