Paralajmërimi i Bankës: Tani nis ndikimi i krizës greke

Aug 13, 2015 | 12:54
SHPËRNDAJE

Shqipëria nuk është imune ndaj krizës greke dhe si e tillë, nuk mund t’u shpë- tojë efekteve negative të saj. Banka e Shqipërisë gjykon se rritja ekonomike mund të jetë reduktuar me 0.25 për qind si rezultat i situatës problematike që po kalon vendi fqinj. Dy janë aspektet kryesore që ndiejnë dhe transmetojnë këtë reduktim: e para lidhet me shkëmbimet tregtare dhe e dyta me remitancat.

Banka e Shqiperise
Banka e Shqiperise

RAPORTI
Raporti i Politikës Monetare i Bankës së Shqipërisë thekson se sektori bankar shqiptar është i sigurt nga zhvillimet në Greqi, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ekonominë. Pjesa e parë e këtij viti duket se ka shënuar një ecuri dukshëm më të mirë nga sa pritej, por në pjesën e dytë të vitit, BSH pret që rritja ekonomike të ndikohet nga situata në shtetin fqinj dhe konkretisht, ky reduktim parashikohet me 0.25 për qind.

“Ngadalë- simi i eksporteve dhe i remitancave nga Greqia vlerësohet të reduktojë me rreth 0.25 pikë përqindje rritjen ekonomike për vitin 2015. Megjithatë, në vlerësimin tonë, ekonomia do të regjistrojë një normë më të lartë rritjeje sesa ajo e vitit të kaluar. Rritja ekonomike në gjashtëmujorin e dytë të vitit pritet të ndikohet negativisht nga një rënie e mundshme e eksporteve dhe e remitancave nga Greqia”, thuhet në raportin e BSH-së. Arritja e marrëveshjes në korrik duket se ka stabilizuar disi situatën pasi kriza greke në Shqipëri, të paktën sipas Bankës së Shqipërisë, ka dhënë efekt edhe në pjesën e normave të interesit. Sakaq, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë e qëndrueshme me një tendencë nënçmimi ndaj dollarit amerikan.

EUROBONDI
Problemet e Greqisë mund të kenë shtuar pasiguritë në tregjet e kapitalit dhe nuk përbën aspak çudi që edhe për Shqipërinë sigurimi i eurobond-it të bëhet më i vështirë. Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë e nënvizon faktin që efekti i krizës greke të jetë edhe te pjesa e eurobond-it. “Rezultatet e ankandeve në muajin qershor sugjerojnë frenim të prirjes rënëse të yieldeve. Ngjarjet në Greqi mund të kenë rritur pasiguritë e tregut lidhur me rifinancimin e eurobond-it shqiptar në tregun ndërkombëtar, duke ndikuar këtë zhvillim”, thuhet në raport.

Në fakt, qeveria pritet që të dalë këtë vit në treg për të rifinancuar eurobond-in ekzistues, i cili është marrë në vitin 2010. Afati i përfundimit të këtij eurobond-i është në tetor të këtij viti dhe qeveria ka deklaruar se mund të marrë sërish 300 milionë euro, ose mund të rrisë këtë nivel në bazë të normës së interesit dhe nevojës deri në 500 milionë euro. Në përgjithësi, tregjet kanë shfaqur tendenca të ndryshme gjatë kësaj kohe dhe BSH analizon se një faktor favorizues mund të jetë stimuli që ka dhënë Banka Qendrore Europiane, duke injektuar vlera të mëdha euroje në treg.

“Ngërçi i arritjes së marrëveshjes me Greqinë ka shqetësuar agjentët financiarë, duke ndikuar në rritjen e yield-eve për shumë instrumente borxhi në treg. Gjithsesi, politika e lehtë- simit sasior nga ana e BQEsë ka dhënë efektet e saj. Duke përjashtuar Greqinë, niveli i yield-eve gjendet në vlera më të ulëta sesa në periudhën para fillimit të kësaj politike”, vlerëson BSH.

Bie konsumi, qytetarët ulin shpenzimet për të paguar energjinë

Konsumi privat në pjesën e parë të vitit ka ardhur në rënie. Edhe pse të dhënat e INSTAT-it treguan se rritja ekonomike të paktën për tremujorin e parë ishte 2.8 për qind, kjo nuk është mbështetur nga konsumi privat.

“Ekonomia shqiptare u rrit me 2.8% në tremujorin e parë, e mbështetur nga rritja e investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me vendet e huaja. Nga ana tjetër, konsumi privat shënoi rënie, ndërsa konsumi i sektorit publik ishte pothuaj i pandryshuar”, thuhet në raportin e BSH-së.

Por cila është arsyeja e rënies së konsumit? Burime pranë Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se kjo rënie ka ardhur si efekt i aksionit të pagesës së energjisë. Qytetarët që kanë pasur detyrime të prapambetura ndaj kompanisë kanë nisur të orientojnë të ardhurat e tyre për pagesën e dritave në kuadër të aksionit që ndërmori qeveria. Kjo është reflektuar menjëherë në sasinë e parave që shpenzohen për konsumin e përditshëm.

Aksioni për energjinë filloi në tetor të vitit të kaluar dhe duket se që nga ajo kohë janë dhënë edhe shenjat e para të rënies së konsumit privat, i cili edhe gjatë këtij viti është evident. Sakaq, lidhur me investimet e biznesit dhe individëve, ka pasur një ecuri të ngadaltë dhe kjo lidhet edhe me pasigurinë në ekonomi dhe një pjesë e saj lidhet me situatën në shtetin fqinj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura