‘Paralajmërim’/ Tritol vëllait biznesmen të ish-gjyqtarit Bib Ndreca, detaje nga ngjarja

Apr 17, 2021 | 15:59
SHPËRNDAJE

bib ndreca

ELVIS HILA/ Një sasi eksplozivi shpërtheu në oborrin e një banese në Mamurras të Kurbinit. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 të së enjtes, ku objektiv ishte shtëpia e biznesmenit Shpëtim Ndreca.

Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Shpëtim Ndreca rezulton të jetë vëllai i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Bib Ndreca, ndërsa është pronar i një fabrike mielli dhe biznesi tjetër agroushqimor.

Ende nuk dihet sasia dhe lloji i lëndës shpërthyese, por Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorit.

“Më datë 15.04.2021, rreth orës 21:45, në Mamurras, Kurbin, në oborrin e banesës së shtetasit Sh.N., ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse, e cila ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku po vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi zyrtarisht Policia.

HETIMI

Dyshimet e Policisë janë se sulmi me eksploziv ishte një mesazh kërcënues për biznesmenin. Deri në këtë fazë të hetimit, Policia është duke kryer verifikime në dy pista, atë të biznesit dhe pistën tjetër të kërcënimeve, që mund të vijnë për shkak të punës që ka pasur vëllai i tij, Bib Ndreca.

Ekspertët e Policisë së Kurbinit kryen veprimet hetimore në vendngjarje dhe kanë marrë dëshmitë e familjarëve. Gjithashtu, janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes, çka mund të ndihmojë Policinë në identifikimin e autorit ose autorëve të tritolvënies.

BIZNESMENI

Shpëtim Ndreca, biznesmenit të ndërtimit që iu vendos një sasi tritoli në ambientet e shtëpisë së tij në Mamurras, është vëllai i gjyqtarit të dosjeve të forta në Gjykatën e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), mes tyre dhe të Avdylajve, Bib Ndrecës.

Bib Ndreca u shkarkua nga vetingu në 26 shkurt 2020, ndërsa më herët ka qenë edhe gjyqtar i mbrojtur nga shteti. Ngjarja e vendosjes së tritolit ka ndodhur në Mamurras dhe fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime në njerëz.

Sipas të dhënave, Shpëtim Ndreca është një biznesmen në zonën e Kurbinit pasi administron kompaninë “NDRECA – SH & P” SHPK, ku dikur ka qenë aksioner edhe gjyqtari Bib Ndreca. Njëherësh, Shpëtim Ndreca është aksioner dhe te kompania tjetër e quajtur “NDRECA SH KOMPANI”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura