Paradokset e Politikës së Jashtme Shqiptare

Mar 27, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

AGIM NESHO_1AGIM NESHO

Kur mbaron mandati i një qeverisjeje, shumëkush ndalon për të analizuar arritjet dhe çfarë do t’i mbetet si “trashëgimi” kësaj Qeverie në tranzicionin e gjatë të shtetit Shqiptar drejt demokracive perëndimore. Veçoritë janë të qarta tashmë: Propaganduese në idenë e të bërit shtet, por realizon shtet që  funksionon me korrupsion dhe jo në respektim të ligjit; në përkushtimin për realizimin e një Rilindjeje kombëtare që përfundon me kriminalizimin e politikës dhe kanabizimin e vendit; në përkushtimin ndaj demokracisë dhe Shqipërisë së gjeneratës së re dhe përfundon në një regjim autoritar që mban dhe ndan pushtetin me oligarkët.

Thjesht Projekti i Rilindjes mbeti projekt i një sekti të nënshtruar ndaj një lideri populist që jeton me idenë e madhështisë se mund të ndryshojë çdo gjë dhe realizojë atë shtet që ai mendon. E njëjta pamje qëndron në Politikën e Jashtme të Shqipërisë, ku qeverisja e z. Rama, me protagonizmin dhe amatorizmin naiv, e ka kthyer politikën e jashtme në një politikë plot paradokse dhe kundërshti, më të dështuarën në 25 vjet të pluralizmit shqiptar.

1. PARADOKSI I PARË: EUROPIANISTI I ZELLSHËM, NACIONALIST I FSHEHUR

Ideja për të qenë europianist i thekur nuk qëndron vetëm në realizimin e aspiratave popullore për integrim europian, por edhe në nevojën për të qenë i pranishëm në politikën europiane si protagonist rajonal. Qëndrimet e tij (Z. Rama) ndaj euro-skeptikëve europianë që përbëjnë 25% të parlamentit europian si “idiotë” (Intervista në Top Story, leksioni në Gjermani me Fondacionin Konrad Adenauer etj.), e vënë Shqipërinë në 2017 në një pozicion të vështirë, kur parti ideologjike të ekstremit të djathtë apo të ekstremit të majtë mund të vijnë në pushtet në Europë.

Si do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me këta “idiotë” në parim, të cilët mund të vijnë në pushtet dhe si do të marrim votat e tyre për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE?! Ideja e militantit europianist për integrim u shtri edhe në Ballkan me protagonizmin e një lideri rajonal. Mbledhjet e përbashkëta midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës filluan me vrullin e një iniciative të madhe, por shpejt përfunduan me shijen e një dekori të bukur artistik. Kushtet për Maqedoninë në Samitin e Wells-it, si dhe takimi në Tetovë flisnin për një vëmendje ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe marrje të rolit të paofruar të garantuesit të Marrëveshjes së Ohrit, por në fakt ajo që ndodhi ishte acarimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Vizitat në Beograd dhe miqësia me kryeministrin Vucic, në funksion të një iniciative të njëjtë me idenë madhështore të Francës dhe Gjermanisë për themelimin e Europës së Bashkuar, u përdor më shumë nga Vucic në realizimin e politikave të tij nacionaliste antikosovare, justifikuar politikat lindje-perëndim të Beogradit dhe realizimit të aspiratave serbe për dominim ballkanik. Prandaj kjo politikë prodhoi shpejt trenin e Mitrovicës, si dhe ngërçin në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Por protagonisti në politikë ka hapësira të pakufizuara për të vepruar kur nuk mendohen pasojat për vendin. Ato që nuk realizohen në proces normal mund të realizohen nën presion.

Patriotizmi – thotë Oscar Wilde – është atribut i njerëzve me qëllime të dobë- ta (Patriotism is the virtue of vicious men). Në një kohë kur luanim europianistin e thekur, në Ulqin apo Prizren ngrinim staturën e patriotit të madh. Spektakli propagandistik dhe protagonizmi me partitë shqiptare në Maqedoni, duke nënshkruar platformën në zyrën e tij kryeministrore në prezencën e mediave, pavarësisht shitjeve patriotike, mund të kishin sjellë një konflikt dhe pasoja për destabilitetin e të gjithë rajonit.

2. PARADOKSI I DYTË – NGA “ZERO PROBLEME ME FQINJËT” NË “ZERO MARRËDHËNIE ME FQINJËT”

Pas katër vitesh në pushtet, nuk ka më mjerim se të shikojmë që marrëdhëniet me fqinjët kanë arritur në nivelin më të ulët të mundshëm. Me Greqinë në një impass të krijuar nga deklaratat elektorale partiake që nuk patën kurrë vizion dhe kapacitet për t’i tejkaluar. Për më tepër, kjo paaftësi për të zgjidhur problemet thellohet me deklarata të panevojshme në funksion të “paritetit të munguar të shtetit shqiptar”. Politika e jashtme ofron ura bashkëpunimi dhe zgjidhje problemesh në interes të popullit jo deklarimeve romantike nacionaliste në funksion të nxitjes së patriotizmit të panevojshëm.

Patriotizmi i sotëm është mirëqenia e popullit. Me Maqedoninë një paternalizëm i panevojshëm dhe qesharak. I panevojshëm se dëmton çështjen e drejtë të shqiptarëve dhe krijon përshtypjen se axhenda e tyre politike drejtohet nga jashtë. Qesharake se ato konsultime, në qoftë se janë dhe duhet të jenë të nevojshme, nuk duhet të bëhen me pompë dhe me media në funksion më shumë të protagonizmit të individëve sesa të rëndësisë së çështjes.

Për më tepër, çështja e emrit me Greqinë duket një çështje që u intereson më shumë protagonistëve shqiptarë sesa lidhet me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Çështjet nacionale zgjidhen në momentin dhe kohën e duhur e jo në funksion të liderit që mendon se mbetet në histori në qoftë se provokon zgjidhjen e kësaj çështjeje. Provokimi në momente të gabuara nuk është gjë tjetër veçse mungesë vizioni dhe miopi politike. Në demokraci askush nuk është pronar i sakrificës njerëzore dhe mund të luajë me të. Me Serbinë, dashuria e parë midis dy qeverive ishte sipërfaqësore dhe u shpreh në lëvizjet nacionaliste të Serbisë dhe provokimet me trenin në Mitrovicë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mund të variojnë nga preferencat dhe dëshirat midis dy funksionarëve të dy shteteve. Ato duhet të pasqyrojnë zhvillimet aktuale dhe në funksion të çështjeve e prioriteteve që duan të realizojnë shtetet përkatëse. Për më tepër që këto marrëdhënie u ngritën duke anashkaluar Republikën e Kosovës.

3. PARADOKSI I TRETË – MIDIS POLITIKËS MODESTE TË NJË SHTETI TË VOGËL DHE ROLIT PROTAGONIST TË LIDERIT GLOBAL

Përcaktimi që z. Vucic i bëri kryeministrit Rama si lider global nuk do të ishte qesëndi e momentit në qoftë se nuk do të besohej kjo gjë nga vetë protagonisti shqiptar. Deklaratat e z. Rama në shtypin ndërkombëtar për cilësitë e z. Trump, si dhe përcaktimi i tij si “turp i civilizimit” ishte një papjekuri politike e përmasave gjigante, me kosto të lartë për vendin tonë, sidomos në rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partneri politik kryesor i Shqipërisë. Ky protagonizëm grotesk, që pritet të lërë pasoja serioze në marrëdhëniet midis dy administratave, dëmton interesat e popullit shqiptar sidomos në një kohë të rikalibrimit të rendit botëror.

4. PARADOKSI I KATËRT – PRAGMATIZMI DHE JO VLERAT E MORALIT PERËNDIMOR PËRCAKTOJNË POLITIKËN TONË TË JASHTME

Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera bazohen në disa parime e vlera të njëjta me Bashkimin Europian dhe civilizimin perëndimor ku ne bëjmë pjesë. Por këto marrëdhënie në shumë raste për Shqipërinë janë konjukturale dhe të paqarta, sidomos me fuqi rajonale, të cilat krijojnë marrëdhënie e lidhje jo vetëm me vendin, por dhe me lidershipin e tij. Marrëdhëniet me Turqinë janë një rast i tillë.

Asnjë qëndrim ndaj regjimit autokratik të Erdoganit që ka arrestuar dhe mban në burg me dhjetëra mijëra gazetarë, profesorë e intelektualë, asnjë qëndrim në mbrojtje të demokracisë siç mban Gjermania, SHBA dhe vende të tjera europiane. Ne mbetemi në heshtje dhe presim rastin që të mbyllim shkolla apo të ngremë xhami të reja në Shqipëri, sipas dëshirës së autoriteteve turke. Duam të jemi europianë si Gjermania dhe Europa dhe nga ana tjetër, pranojmë si alternativë pragmatiste edhe neo-otomanizmin që mund të na mbajë më gjatë pushtetin dhe përfitimet personale.

Rritja e influencës Ruse në Ballkan, si dhe një vëmendje e vogël e SHBA dhe BE ndaj rajonit mund të sjellë si rezultat rritjen e rolit të Turqisë në një pjesë të vendeve ballkanike, që Davutoglu i përcakton si vende me traditë dhe kulturë të përbashkët otomane. Pra, nuk është vetëm Rusia që z. Rama ngre alarmin për Ballkanin, por edhe Turqia ku politika jonë e jashtme ka mbetur në rolin e një dasmori sharmant, përuruesi entuziast të urave mbi Bosfor apo vasali të bindur.

5. PARADOKSI I PESTË – MUNGESË VIZIONI DHE ORIENTIMI ME PARTNERËT NDËRKOMBËTARË

Zgjedhjet në SHBA dhe rikalibrimi i politikës së jashtme të Amerikës kanë rritur vëmendjen dhe pritshmërinë për të përshtatur politikën e jashtme të Perëndimit në një strategji të re. Një nga prioritetet e politikës së jashtme të SHBA është dhe sjellja ndaj Republikës Islamike të Iranit, politikave të saj bërthamore, konflikteve fetare që ajo përhap në Lindjen e Mesme, si dhe ideologjisë së saj antiamerikane.

Pikërisht në këtë kohë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë zhvillon vizitë zyrtare në Iran?! Shkaku: Zhvillim i marrëdhënieve tregtare dhe investimeve në turizëm. Investim në turizëm kur rojet revolucionare të Iranit vazhdojnë të ulërasin “vdekje amerikanëve” si devizën e tyre kryesore. Kjo është një varfëri e vizionit politik, diplomaci turizmi e shëtitje diplomatike apo turizëm në funksion të superprodhimit të kanabisit. Në përfundim, mund të thuhet se për katër vite Projekti i Rilindjes e ka futur vendin në një eksperiment të plotë, duke përfshirë dhe politikën e jashtme të Shqipërisë, ku eksperimentohet protagonizmi i liderit dhe mungesa e vizionit të politikës së jashtme. A mund të vazhdojmë kështu?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura