Paradë, kalorës dhe ushtarë me uniformë osmane/ Pas takimit me Ramën, Erdogan i rezervon një pritje madhështore mes borës Vuçiçit në Turqi 

Jan 18, 2022 | 15:12
SHPËRNDAJE

Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pritur me ceremoni madhështore homologun serb Aleksandër Vuçiç në Ankara. 

erdogan vucic bore

Në videon e publikuar nga presidenti Erdogan në rrjetet sociale vihet re parada e forcave ushtarake turke dhe kalorësit me kuaj dhe ushtarët e veshur me uniformën e vjetër osmane.

Me gjithë reshjet e borës ceremonia vijoi normalisht, ku pas himneve Erdogan dhe Vuçiç u drejtuan drejt Presidencës për mbajtjen e takimit.

Kujtojmë që të njëjtën pritje Erdogan e kishte rezervuar një vit më parë për kryeministrin Rama në Turqi. Vuçiç do të zhvillojë sot një vizitë njëditore në Turqi,  ku do të marrë pjesë në seancën e tretë të Këshillit të Lartë për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Turqisë.

Me atë rast do të nënshkruhen disa marrëveshje me rëndësi për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, njoftoi Shërbimi për Bashkëpunim me Median i presidentit serb.

Në mbledhje do të shqyrtohen në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi-Serbi dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura