Para tre vitesh i ekzekutuan djalin mbi kalë/ Masakra me katër të vdekur në Shkodër, kush ishte biznesmeni që mbeti i vrarë (DETAJE)

Jun 27, 2021 | 7:49
SHPËRNDAJE

Katër të vdekur dhe dy të plagosur, është bilanci tragjik i ngjarjes që ka tronditur gjatë orëve të mesnatës Velipojën, ku u shënua një përplasje me armë mes pjesëtarëve të familjeve Ferracaku dhe Gocaj.

kujtim ferracaku

Shkak për sherrin u bë vendosja e shezlongëve në hapësirat e dy hoteleve që janë të vendosur 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.

Njëri prej viktimave është edhe 57-vjeçari Kujtim Ferracaku, si dhe dy pjesëtarë të familjes Gocaj, dhe punonjësi 20-vjeçar i shezlongëve. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, të cilit iu bë atentat në vitin 2018. Mësohet se Kujtim Ferracaku është pronar i hotel “Fantazia”.

Sjellim në vëmendje që djali i tij Arjan Ferracaku do të ekzekutohej më 1 shtator 2018, teksa po kalëronte i shoqëruar nga miqtë e tij. Babai i dy fëmijëve të mitur u qëllua nga një person, i cili i zuri pritë. Sipas hetuesve, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metra.

Arjan Ferracaku dhe personat e tjerë ishin mbi kuaj, duke bërë hipizëm dhe parapërgatitje për kampionatin me kuaj, që ishte parashikuar me 15 shtator në plazhin e Velipojës.

VIKTIMAT 

Të vdekur kanë mbetur biznesmeni Kujtim Ferracaku, 59-vjeç, babai i Arjan Ferracakut të ekzekutuar në Shkodër tre vite më parë. Po ashtu kanë humbur jetën dy pjesëtarë të familjes Gocaj, Xhovani Gocaj, 25-vjeç dhe Edmond Gocaj 38-vjeç, si dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç.

Ndërkaq të plagosur kanë mbetur dy shtetas të tjerë, Hasan Ferracaku, 54-vjeç, vëllai i të ndjerit, si dhe 17-vjeçari Elmedin Dyli.

Dyshohet se konflikti mes palëve ka nisur pasditen e djeshme. Pjesëtarët e familjes Ferracaku kanë shkuar pak pas mesnatës në hotelin e Gocajve për sqarim. Por aty ka nisur një sherr verbal që degjeneroi në konflikt me armë.

I ndjeri, Kujtim Ferracaku
I ndjeri, Kujtim Ferracaku

Njoftimi i plotë

Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.

Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura