“Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën”- Izet Haxhia: Ekzekutimi u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se…

Nov 26, 2021 | 12:01
SHPËRNDAJE

Një prej vrasjeve që lidhet me ngjarjet në Tropojë është edhe ajo e Azem Hajdarit, ku pas më shumë se 20 vjetësh ka rinisur procesi për një prej të akuzuarve si të përfshirë në këtë krim. Në Gjykatën e Tiranës ka dëshmuar dje Izet Haxhia në lidhje me vrasjen e Hajdarit, duke treguar disa nga prapaskenat e vrasjes së bujshme.

ay

Sipas “News 24”, gjatë fjalës së tij para togave të zeza, Haxhia tha se nuk e nxori ai në pritë Hajdarin. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, mësohet të jetë shprehur në gjyq Haxhia.

Ai tha se vrasjes i parapriu një takim i datës 1 shtator të vitit 1998, një takim midis Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt. Sipas Izet Haxhisë, Azem Hajdari e kishte informuar plakun e Haklajve se urdhri për vrasjen e djalit të tij kishte ardhur nga zyra e katit të dytë, duke nënkuptuar Sali Berishën.

Ish-truproja e Berishës ka pretenduar se dispononte edhe një kasetë të regjistruar në mitingun e 21 qershorit. Për të siguruar këtë kasetë, Fatmir Haklaj i kishte kërkuar Haxhisë që ta ndihmonte për të takuar Myftar Lumneshin dhe Dem Dollapin, takim i zhvilluar në një lokal në zonën e Linzës, i cili shërbente edhe si bazë e Shërbimit Informativ Shtetëror. I pandehuri tha se takimi nuk u realizua pasi Lumneshi kishte udhëtuar me Azem Hajdarin drejt Fierit.

Ditën e ngjarjes Haxhiaj tha se ndodhej në një bilardo pranë shtëpisë kur mbërriti një makinë që drejtohej nga Jaho Mulosmani dhe në të ishte edhe Halil Haklaj. “Më morën dhe shkuam në një lokal te liqeni ku ndodhej Fatmir Haklaj, xhaxhai i tij, Elezi dhe Naim Zangu. Ata po darkonin kur Jaho doli jashtë dhe po bisedonte të blinte një makinë të blinduar. U nisëm, unë, Halili, Elezi dhe shoferi Agim Logu dhe shkuam në një lokal te 9-katëshet. Fatmiri me Jahon dhe Naimin, me makinën e blinduar, morën drejtimin për te Drejtoria e Policisë”, ka deklaruar gjithashtu Izet Haxhia.

Ai tregon gjithashtu edhe momentin kur dëgjuan të shtënat. “Halili u lidh në radio e kërkonte Fatmirin dhe Jahon. Pamë një makinë të zezë dhe e ndoqëm nga pas. Fatmiri dhe Jaho nxorën një të plagosur. Ishte Naim Cangu. E çuam te Nehat Kulla dhe e transportoi për në spital. Pas këtij momenti Izet Haxhia pretendon se ka shkuar në shtëpi dhe lajmin e vrasjes së Azem Hajdarit e ka marrë vesh nga bashkëshortja, duke pretenduar se nuk ishte ai që e nxori në pritë deputetin e PD-së. Izet Haxhia thotë se ka shkuar në selinë e Partisë Demokratike dhe mësoi se Shpresa Breçani kishte pasur dy takime me Sali Berishën.

Ajo, sipas dëshmisë, kishte informuar Mentor Dajën se një makinë e blinduar ishte e mbushur me eksploziv jashtë PD-së dhe do të sulmohej selia e kësaj partie. Mentori telefonoi në zyrën e Azemit, por i pandehuri tha se ai ndodhej në zyrën e Berishës, i cili po e pyeste për mitingun në Fier. Ishte këshilltari i deputetit Hajdari që shkoi pranë tyre dhe në praninë edhe të Genc Pollos e informoi Azemin për makinën jashtë selisë. Izet Haxhia deklaroi se ishte Sali Berisha që i tha Azem Hajdarit që të dilte dhe t’i sqaronte, duke shtuar se Fatmir Haklaj i tha pas ngjarjes se nuk kishte shkuar për të vrarë deputetin demokrat.

“Kur Azemi trokit te xhami i makinës, Fatmiri doli dhe e qëlloi, duke e vrarë atë, truprojën e tij dhe Besim Çerën dhe plagosi Naim Cangun. Jaho Mulosmani nuk qëlloi pasi u bllokua nga truproja e Azem Hajdarit”, shton më tej ai. Izet Haxhia mësohet të ketë deklaruar se për ngjarjen u përdor, pasi përmes tij akuzohej për ngjarjen edhe Sali Berisha. Ai thekson se vrasja e Azem Hajdarit u krye për të rrëzuar Fatos Nanon nga pushteti. Haxhia pretendon se nuk është përfshirë në vrasjen e Hajdarit dhe se duhet të dënohet vetëm për përfshirjen në ngjarjet e 14 shtatorit, pasi ka sulmuar me armë institucionet.

Tri ditë më parë, Izet Haxhia pati dhënë shpjegime në Gjykatë duke folur për njohjen me Azem Hajdarin e marrëdhëniet e tij me Sali Berishën. Në seancën e datës 23 nëntor ai dha shpjegimet e tij për deri në vitin 1997 dhe pjesa tjetër u vendos të rifillonte në seancën e radhës që u zhvillua dje. Në 2006-ën Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj 2020 ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

DËSHMITARI

Zenel Neza iku në Belgjikë dhe mori atje statusin e azilantit, duke refuzuar thirrjet e Prokurorisë për të dëshmuar në procesin e zhvilluar më parë. E vetmja gjë nga Neza është një dëshmi që ai ka dhënë në Gjykatë përmes një video-konference, ku nuk është shprehur qartë mbi ngjarjen, edhe pse ai ishte dëshmitari kyç. Në atë video-konferencë, i pyetur nëse ka qenë Jaho Salihi autori i atentatit, dëshmitari ka thënë se edhe mundet, por pa qenë i sigurt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura