Para samitit, Trump paralajmërim vendeve të NATO-s

Jul 4, 2018 | 20:28
SHPËRNDAJE

Gjermania, Belgjika, Norvegjia, Kanadaja… dhe partnerët tjerë në NATO, kanë marrë në qershor nga një letër nga presidenti Trump. Por asnjë prej tyre nuk ka qenë aq e ashpër sa letra dërguar kancelares Merkel.

Trump

Presidenti amerikan Donald Trump shkruan për rritjen e zhgënjimit të amerikanëve, sepse partnerët nuk i janë mbajtur premtimit të tyre për një kontribut më të madh financar për NATO-n. SHBA vazhdojnë të paguajnë më së shumti para për mbrojtjen e Evropës, ndërsa ky kontinent – duke përfshirë edhe Gjermaninë – i ka punët mirë ekonomikisht dhe nuk ka probleme sigurie. Gjermania jep fare pak para për mbrojtjen dhe kjo e cënon sigurinë e aleancës. Të tjerët e shohin Gjermaninë si një shembull, siç shkruan Trump, e ndihen të konfirmuar duke mos iu përgjigjur detyrimeve të tyre. Kjo gjendje nuk mund të pranohet gjatë – as nga qeveria amerikane  dhe as nga Kongresi.

Presienti amerikan ashpërson tonin para samitit të NATO-s, i cili javën që vjen zhvillohet në Bruksel. Pas dështimit të samitit të G7-s në Quebec, partnerët në NATO kanë frikë se do të shtohen edhe më shumë mosmarrëveshjet me presidentin amerikan. Kjo vlen në radhë të parë për evropianët. Se në ç’drejtim do të shkojë NATO, nuk mund ta thotë askush me siguri. Ndërsa Trump në një intervistë për televizionin Fox ka deklaruar: “Vitin e kaluar ata kanë pasur një suficit tregtar me SHBA prej 151 miliardë dollarë. Ndaj ne kemi pasur deficit në raport me BE. Ndërkohë që ne japim shumë para edhe për NATO-n, për t’i mbrojtur ata“.

Lufta tregtare

Presidenti Trump do të mund të shfrytëzonte luftën e nisur tregtare mes SHBA dhe BE për t’i detyruar vendet evropiane që të paguajnë më shumë për NATO-n. Të gjithë partnerët në NATO janë të detyruar që të ndajnë 2% të prodhimit bruto për mbrojtje dhe për armatat e tyre. Gjermania dhe disa vende të tjera e kanë kuptuar këtë si një projekt afatgjatë. Në Berlin thuhet, se ministri i Financave Scholz do të ndajë vitin e ardhshëm për sektorin e mbrojtjes 43 miliardë Euro. Kjo do të thotë se për mbrojtjen do të ndahen 4 miliardë Euro më shumë, por në nivelin e përgjithshëm, kjo shumë edhe më tej përbën vetëm 1,31 % të prodhimit bruto. Ndërsa vitet e ardhshme kjo shumë do të bjerë sërish në 1,3%. Më së shumti kundër kërkesave amerikane janë socialdemorkatët, ndonëse vet ata kanë qenë në pushtet kur është rënë dakord për këtë shumë.

Takimi Trump-Putin

Trumpi po kërcënon evropianët sërish, në radhë të parë Gjermaninë. Por njëkohësisht po punon për përmirësimin e raporteve me Rusinë dhe Putinin. Këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton, saktësoi të dielën (01.07) se kush paraqet rrezik të vërtet për SHBA: “Nëse ju besoni se Rusia paraqet rrezik, atëherë duhet shtruar pyetja: pse Gjermania ndan më pak se 1,2% të prodhimit bruto për mbrojtjen? Kur flitet për rrënimin e NATO-s, atëherë duhet të shikoni në drejtim të tyre, sepse ata po e dobësojnë NATO-n”.

Pas samitit të NATO-s, presidenti Trump, do të takohet në Helsinki me presidentin rus Vladimir Putin.

/DW/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura