Para për zgjedhje, Rama ia kalon Berishës

Mar 24, 2015 | 23:12
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare, mbledhje

Në vite zgjedhore qeveritë nuk i shpëtojnë dot tundimit për të lëshuar dorën tek investimet publike dhe mesa duket as qeveria Rama nuk ka bërë përjashtim. Nga një dorë tërësisht konservatore për kontrollin e shpenzimeve kapitale gjatë 2014, në dy muajt e parë të këtij viti për investime kanë shkuar 80 milionë dollarë.

Kjo është një rritje e dukshme që ka tejkaluar tri shifra, dy të kësaj qeverie dhe një të paraardhëses. Kështu, një vit më parë, pra janar, shkurt 2014, investimet publike ishin vetëm 26 milionë dollarë. Viti 2015 sheh një rritje me 3.5 herë krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, qeveria kishte planifikuar që në dy muaj të shpenzonte gati 50 milionë dollarë nga zëri i shpenzimeve kapitale.

Krahasuar me këtë shifër, qeveria ka tejkaluar vetëm me gati 30 milionë dollarë. Një ndër krahasimet që shpesh është bërë në lidhje me investimet ka qenë ajo me qeverinë paraardhëse, e cila akuzohej se shpenzonte pa kriter para zgjedhjeve. Një nga këto vite, që u cilësua edhe si më problematiku, ishte viti 2013.

Në fakt, nëse krahasimin e bëjmë me shifrat dymujore vihet re që qeveria Rama ka tejkaluar atë Berisha në shpenzime në vite elektorale. Në vitin 2013, gjatë janar-shkurtit u shpenzuan 70 milionë dollarë, pra 10 milionë dollarë më pak sesa janë shpenzuar aktualisht.

 TË ARDHURAT

Treguesit fiskale

Paketa fiskale e këtij viti rriti tri taksa, por efektet e tyre duket se nuk po ndihen. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë për një rritje në disa zëra, por në totalin e vet, rritja e të ardhurave krahasuar me një vit më parë ka qenë minimale.

Në fakt duket se efekti i rritjes së taksave është shuar nga ulja e çmimit të karburantit dhe kjo më shumë ndihet te pjesa e TVSH-së.

Në fund të shkurtit, në buxhet u arkëtuan 52.5 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë 52.3 miliardë lekë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin në fund të shkurtit të këtij viti 34.6 miliardë lekë, kurse një vit më parë për të njëjtën periudhë 34.4 miliardë lekë.

Vihet re një përmirësim tek akciza, e cila nga 3.6 miliardë lekë që ishte një vit më parë tashmë në shkurtin e këtij viti ishte 4.3 miliardë lekë.

Rritje vihet edhe te tatimi mbi të ardhurat personale, por jo te tatimi mbi fitimin, i cili mbetet më poshtë se një vit më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura