Para në këmbim të votave, policia arreston katër persona në Maqedoni. Të dielën mbahen zgjedhjet

Oct 16, 2021 | 14:43
SHPËRNDAJE

Policia maqedonase ka arrestuar katër persona të dyshuar për blerje votash për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 17 tetor.

policia maqedoni

Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se personat janë arrestuar të shtunën në lagjen Dracevë të Shkupit, teksa dyshohet se po u shpërndanin njerëzve para në këmbim të votës.

Me këtë rast Policia ka konfiskuar 121 mijë denarë (2 mijë euro) dhe 250 euro.

“Të ndaluarit akuzohen për veprën penale ‘ryshfet në zgjedhje dhe votim’. Rasti i ka kaluar Prokurorisë publike për procedim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërkohë, Policia ka njoftuar për arrestimin edhe të një personi tjetër në qytetin e Prilepit për kërcënim ndaj një kandidati për kryetar të komunës.

I ndaluari i moshës 21-vjeçare në procedurë urgjente është dënuar me tetë ditë burgim.

Të shtunën, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me koronavirus.

Në zgjedhjet e së dielës, Maqedonia e Veriut zgjedh kryetarët e 80 komunave dhe këshillave komunalë, si dhe kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Në garë janë 10,653 kandidatë të partive politike, koalicioneve si dhe kandidatë të pavarur.

Të drejtë vote kanë 1,824,863 qytetarë.

Gara kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike, LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet, dhe partive opozitare VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura