Paqja i duhet jo vetëm Kosovës

Jul 24, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI leonidha-mertiri-150x150

Rifillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë sapo ka nisur, pas një ndërprerjeje të gjatë me vendosjen e tarifës njëqind për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Ai do të vazhdojë, sipas Brukselit, të mërkurën e kësaj jave, duke e parë atë fillimisht si dialog në nivel teknik. Në fakt, qëllimi është arritja në një marrëveshjeje të përbashkët për njohje të ndërsjellë të tyre, gjithëpërfshirëse, në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Kjo, sikurse është përsëritur dhe më parë, i sjell të dyja vendet më pranë Bashkimit Europian. Vetë ky i fundit, i interesuar për sa më lart, e gjykon vendimtare këtë marrëveshje. Çështja është sa konsekuent është dhe ai për të. Kosova, nga ana e saj, dhe shqiptarët në përgjithësi, e kanë respektuar BE-në, duke besuar tek ajo, mandej edhe duke marrë mbi shpinë rëndesa të dhimbshme. Kujtoj këtu Marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015 midis Prishtinës dhe Podgoricës për kufirin shtetëror, ku Kosovës, sipërfaqe të territorit të vetë i kalonin Malit të Zi, ratifikuar ajo dy vite më parë nga Kuvendi i Kosovës. Kështu, Kosova realizonte në të njëjtën kohë obligimin për liberalizimin e vizave për shtetasit e saj.

Por premtimet e BE-së, edhe pas kësaj, mbetën fjalë në erë, kur gjithë fqinjët e Kosovës kanë mbi dhjetë vite që e kanë realizuar atë. Është kjo temena për Beogradin? Standarde të dyfishta, dy kute të çuditshme, që për fat të keq kanë qenë të pranishme në qëndrimet e BE-së: Shqiptarët duhet të paragjykohen, kurse serbët, sikurse është vërejtur jo rrallë, të privilegjohen. Ndryshe, si mund të shpjegohet që, për krimet e kryera nga Serbia, BE hesht. Nuk mund të flitet më tej, sepse, siç pëshpëritet, kanë kaluar vite nga lufta midis dy vendeve(?!). Për t’u bërë qejfin serbëve, që të mos zemërohen dhe nuk shkulen nga prehri i Rusisë? Shqiptarët kurrkujt nuk i kanë rënë më qafë, teksa të tjerët kërkojnë t’i rrinë tevlik mbi krye. Si ata të ishin mbrojtësit e vetëm të paqes në rajon, kur të gjithë duhet të jenë të tillë. T’i luash syrin Serbisë dhe Kosovës t’i kërkosh të jetë tolerante? Siç duket, shqiptarët duhet ta paguajnë gjithmonë. Të mos ndalemi në historinë e dhimbshme të tyre, por në atë të këtyre viteve. Madje, të këtyre ditëve: Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj drejtuesve kryesorë të UÇKsë. Duket se ajo bëhet më tepër për të kompromentuar këtë të fundit. Ndryshe nuk mund të shpjegohen akuzat herë pas here ndaj figurave të njohura të Luftës, burgosja dhe thirrja e tyre në Hagë etj., si në rastet e Haradinajt, Limajt… Të ngjan më shumë provokuese. Strategjia e UÇK-së ishte një: Çlirimi i Kosovës. Platforma e saj ishte e qartë, pa kurrfarë ekuivokësh. Atë e jep kthjellët edhe një intervistë e luftëtarit dhe komandantit trim Fehmi Lladrovci për gazetarin anglez të BBC-së, qysh në maj të vitit 1998, tre muaj para se të binte në fushën e betejës, në Pikën Luftarake “Shkaba e Parë”, së bashku me Xhemen, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren e tij të pavdekshme: “…pushtetarët serbë le të tregojnë një rast të keqtrajtimit të tyre. Ne armët nuk i kemi marrë t’i përdorim kundër popullsisë civile, por kundër makinerisë vrasëse të Millosheviçit”.

Por le t’i kthehemi fillimit të këtij shkrimi, rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi. Bashkimi Europian, përmes Shefit të tij të Politikës së Jashtme, Josep Borell dhe Të Dërguarit të vetë të Posaçëm për Dialog, Mirosllav Lajçak, kërkon të nxitë arritjen e marrëveshjes midis dy palëve. Dje, në vend të tyre, emra të tjerë kërkonin shpejtimin e saj. Por, nëse vazhdohet sërish me inflacion deklaratash, aq më keq me paragjykime ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, besimi nuk ka si të mos lëkundet. Kjo mandej dhe për faktin që Borrel ka ardhur nga Spanja dhe Lajçak nga Sllovakia, dy vende këto, që me kokëfortësi vazhdojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës. Ana tjetër. Dialogu, në të njëjtën kohë, është në interes të BE-së. Flitet për dialog të qëndrueshëm, për angazhim serioz të të dy palëve. Siç thotë David James McAllister, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, çështja është që marrëveshjet e arritura midis dy vendeve t’i korrespondojnë një politike të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të stabilitetit rajonal. Ndryshe, nëse do të pohohet, pa filluar mirë bisedimet, sikurse bëri Aleksandar Vuçiç, se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën”, vështirë të arrihet në marrëveshjen e duhur.

Po kështu, nëse Gjermania dhe Franca, siç po vihet re, krijojnë përshtypjen për një qëndrim disi më serioz ndaj këtij problemi, duhet, megjithatë, ta vërtetojnë konkretisht. Së pari, nga duhet të fillohet? Siç përmendëm, Kosova ka qenë më e dëgjueshmja ndaj sugjerimeve të BE-së. Cilido të jetë impakti ndaj Serbisë, nëse siç besohet, si Gjermania dhe Franca, si lokomotiva të Europës do t’i hyjnë seriozisht krijimit të një situate tjetër në marrëdhëniet KosovëSerbi, për funksionimin e tyre si shtete të pavarura, atëherë mund të shpresohet me të drejtë. Ajo bëhet dhe më pranë realitetit, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pa të cilën nuk mund të kuptohet ekzistenca e Kosovës. Flasim për ndërmjetësim të fuqishëm të të dy palëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura