Paqartësi të Gjykatës së Posaçme

May 25, 2018 | 12:25
SHPËRNDAJE

FLORJAN KALAJAFLORJAN KALAJA*

Ndryshimet e vitit 2016 të Kushtetutës, që hynë në fuqi me datë 11.08.2016, parashikuan krijimin  e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, konkretisht në nenin 135 dhe 148 të Kushtetutës. Një ndër objektivat më të rëndësishëm që shpalli reforma në sistemin e drejtësisë, që në kryet e herës, ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky objektiv është ajo çka, më së shumti, i kërkohet Shqipërisë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe se ka qenë gjithmonë një kërkesë ndërkombëtare, që ka kushtëzuar dhe kushtëzon integrimit në Bashkimin Europian.

Pikërisht, krijimi i Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme u gjet si mjet nga ndërkombëtarët në analiza dhe sugjerime dhe më tej u pranua si zgjidhje unanimisht nga Kuvendi. Deri më sot, pas ndryshimeve të Kushtetutës, i vetmi ligj i miratuar me konsensus politik në Kuvend ka qenë pikërisht ligji organik i institucioneve, që do të luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar.

Sot, ka akuza për përpjekje për kontroll apo për pengim të krijimit të institucioneve të posaçme kushtetuese të drejtësisë penale dhe për shumëçka tjetër. Megjithatë, në opinionin publik nuk ka fare debat me qëllim për të zgjidhur paraprakisht paqartësitë eventuale të formulimeve të dispozitave kushtetuese apo ligjore, në të cilat, nën entuziazmin e unanimitetit të pashoq politik, mundet të jetë gabuar në formulime dhe parashikime defektoze.

Ajo që më tërheq vëmendjen dhe dua ta trajtoj në këtë shkrim, janë disa paqartësi dhe kontrasti kushtetues dhe ligjor i listës së veprave penale, të cilat do të duhet t’i hetojë Prokuroria e Posaçme dhe më tej do të duhet t’i gjykojë Gjykata e Posaçme, për ta dalluar sakaq rast pas rasti në mënyrë joekuivoke gjykatën e caktuar me ligj, si element thelbësor i së drejtës kushtetuese të kujtdo për proces të rregullt ligjor.

Për të përcaktuar juridiksionin penal të Gjykatës së Posaçme neni 135 i Kushtetutës parashikon se: “2. Gjykatat e Posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”.

Neni 148 i Kushtetutës simetrikisht i jep të njëjtat atribute Prokurorisë së Posaçme për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq. Me ligjin organik të institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u zgjerua rrethi i çështjeve, kompetencën lëndore të të cilave do ta ketë Gjykata e Posaçme, duke e ndarë kompetencën në dy lloje: kompetenca parësore, e cila përbëhet ekskluzivisht dhe taksativisht nga ato që parashikon neni 135 pika 2 e Kushtetutës; dhe kompetenca dytësore, ku përfshiheshin në të gjitha çështjet, të cilat për shkak të lidhjes me çështjet që përbëjnë kompetencë parësore, nuk mundet të ndahen dhe të gjykohen veçmas.

Deri këtu nuk ka asnjë që të ngjallë dilema kushtetuese, pasi është kushtetutshmërisht e pranueshme që kompetenca e posaçme të ketë përparësi karshi kompetencës së përgjithshme kur shtrohet nevoja për bashkimin e çështjeve kryesore apo aksesore. Ligji pasardhës që rregulloi kompetencat e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme ishte Ligji Nr. 35/2017, apo ndryshimi i nenit 75/a i Kodit të Procedurës Penale (në vijim KPP), ndryshim i cili hyri në fuqi me datë 01.08.2017, e miratuar jo me shumicë unanime sikurse dy ligjet e treguara më lart.

Kjo dispozitë parashikon se Gjykata e Posaçme gjykon të gjitha veprat penale të korrupsionit, pavarësisht se kush subjekt i kryen; të gjitha veprat penale të kryera nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal; akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, deputetëve, Kryeministrit dhe ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj; dhe akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Nga mënyra se si është formuluar neni 135 pika 2 e Kushtetutës dhe nga mënyra se si e ka detajuar atë neni 75/a i KPP, dalin paqartësi dhe kontraste.

Fillimisht, del e paqartë nëse Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme do të jetë kompetente për akuzat penale të kryera nga kushdo ish-Kryeministër, ish-deputet, ish-ministër, ish-President, ish-zëvendësministër, ishkryetar bashkie, ish-gjyqtar i GJL apo GJK, ishProkuror i Përgjithshëm, ish-drejtues i institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë apo në ligj? D.m.th. bëhet fjalë për këdo nga këto subjekte që është gjallë dhe ka pasur këtë cilësi apo për vetëm ish-at e më të fundit?

Duke qenë se më parë kanë ekzistuar komunat dhe, edhe pse nga viti 2015 janë suprimuar me ligj, akoma sot në Kushtetutë parashikohen si njësi bazë të qeverisjes vendore, që do të thotë në të ardhmen ndryshimet e ligjit mundet të krijojnë sërish komuna, pyetjet që ngjallin paqartësi janë dy:

së pari, a do të përfshihen edhe ish-kryetarët e komunave në kompetencën lëndore të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme?;

së dyti, nëse në të ardhmen do të krijohen sërish komunat, a ka kuptim që kryetarët e bashkive të hetohen dhe gjykohen nga këto institucione të posaçme dhe kryetarët e komunave jo, në një kohë kur ato lidhen nga e njëjta logjikë kushtetuese dhe ligjore?

Duke qenë se disa nga institucionet kushtetuese janë transformuar, shuar dhe krijuar të reja, me siguri, që para Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme do të shtrohet dilema se kush do t’i hetojë dhe gjykojë ishanëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishanëtarët e Këshillit të Prokurorisë, ishkryeinspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo ish-at më të fundit të tyre?

Nga leximi i kujdesshëm i nenit 135 pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 75/a të ndryshuar të KPP, vihet re një kontrast. Kontrasti bëhet nga ligji kundrejt Kushtetutës, duke pakë- suar kompetencën lëndore për Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme kundrejt kompetencës lëndore të gjykatave dhe prokurorive të zakonshme. Ndërkohë që, Kushtetuta parashikon se edhe të gjithë ish-ët funksionarë shtetërorë, më të fundit apo jo, do të ndiqen dhe do të gjykohen penalisht nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme për të gjitha akuzat penale që mundet të ngrihen, neni 75/a i ndryshuar i KPP parashikon se të gjithë ish-ët funksionarë shtetërorë, më të fundit apo jo, do të ndiqen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme vetëm për akuzat për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

Në fakt, neni 135 pika 2 e Kushtetutës është një dispozitë që nuk ka nevojë për një ligj, qoftë organik apo qoftë procedural për t’u bërë i zbatueshëm. Për më tepër, neni 135 pika 2 e Kushtetutës nuk mundet kurrsesi që të ketë nevojë për një ligj procedural që të ndryshojë përcaktimet shteruese të tij. Në rastin konkret, neni 75/a i ndryshuar i KPP e ka bërë. Këto paqartësi të nenit 135 pika 2 e Kushtetutës dhe ky kontrast ndërmjet ligjit procedural dhe Kushtetutës janë të afta për të konfuzuar prokuroritë dhe gjykatat, e zakonshme apo të posaçme, në të ardhmen.

Njëlloj ato janë të afta të krijojnë pasiguri te të gjykuarit, në mënyrën se si do të caktohet gjykata dhe trupa gjyqësore natyrale e tyre. Duhet pasur parasysh se gjykata e caktuar me ligj dhe gjyqtari natyral i çështjes janë elemente bazë të së drejtës për proces të rregullt ligjor dhe shkelja e të cilave sjell pavlefshmërinë e gjykimit. Ndaj, vlerësoj se do të duhet të ishte më e udhës që, pavarësisht entuziazmit të konsensusit politik unik në historinë e Shqipërisë, neni 135 i Kushtetutës të mos listonte në mënyrë shteruese kompetencat lëndore të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, pasi kjo duhet të ishte lënë në operativitetin e ligjit procedural.

Nën këtë logjikë, ndryshimet e eventuale të ardhshme të kompetencës lëndore nuk do të duhet të adresonin ndryshime të herëpashershme në Kushtetutë, por në ligjin zbatues të saj. Në këtë mënyrë, paqartësitë e normës kushtetuese sot do të zgjidheshin me ligj dhe ligji zgjidhës nuk do të kishte mundësi të tejkalonte apo ndryshonte parashikimet e Kushtetutës.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura