Papagjoni tregon bisedat me Aleksandër Lalon: Kur e çuan për “riedukim”

Nov 22, 2017 | 15:00
SHPËRNDAJE

JOSIF PAPAGJONI/

Josif Papagjoni
Josif Papagjoni

TI ISHE DHE MBETESH MUZIKË …

Isha duke u marrë me punët e mia, po shkruaja diçka për ekspozitën e Gazmend Lekës kushtuar piktorit tjetër Anastas Kostandinit, kur ime shoqe më thotë se në titrat e televizionit po jepej lajmi se Aleksandër Lalo kishte vdekur nga një atak kardiak. Ouuuuu!, klitha befas.

Sepse po ndiqja shkarazi një transmetim të Tv “Klanit” “C’est la vie”, ku Aleksandri ishte në juri dhe fliste “serbes”, ashtu troç siç dinte të fliste ai, duke e qëndisur mendimin edhe me vlerësime kritike dhe analitike të një formati profesional. Befas, programi qe ndërprerë. Kishte ndodhur kjo më parë edhe me disa artistë që kishin vdekur në skenë duke interpretuar ose gjatë provave.

Ikja e Sandrit qe e beftë, sa dhe tronditëse, e pabesueshme. S’po më besohej. Kisha një moshë me të, kishim mbaruar në degë të ndryshme Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1972. E njihja qysh student. Qe i spikatur. Ashtu i imët, por me humor. I binte shumë mirë fizarmonikës, e ngulte kokën mbi tastierë dhe humbte aty. Ne ishim të etur për pakëz muzikë angleze apo italiane dhe ai u binte atyre mrekullisht, i humbte gishtat e hollë në tastierë, na ngopte.

Lalo-2

E kishte mësuar fizarmonikën nga kompozitori dhe fizarmonicisti Agim Krajka. E mbaj mend pastaj nëpër zboret ushtarake, kur pas një stërmundimi nëpër marshime, me zvarritje, vrapime, qitje, na ulnin më në fund diku nëpër lëndina dhe na bënin “orë të edukimit” ose mbërthim-zbërthim armësh. Dhe në kësi rastesh, kriste humori, anekdota, ngacmimet. Aleksandri ishte një i tillë… …Vitet iknin shpejt.

Mua më emëruan pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa Aleksandri kishte hedhur disa hapa të mëdha përpara qysh student. Në vitin e fundit të shkollës së mesme ai drejtoi formacionin orkestror të cirkut amator. 1968-1972 kreu studimet e larta në ILA në degën Teori-Kompozicion, në klasën e kompozitorit Çesk Zadeja.

Rininë studentore e mbushi përplot pasion dhe qysh atëherë, Aleksandri krijoi dhe drejtoi formacionin orkestror pranë Radio Tiranës, me të cilin shoqëroi këngët e anketave muzikore. U bë një emër i njohur falë talentit të tij të padiskutueshëm. Studentët më të mirë, gjithnjë angazhoheshin në radio apo televizion asohere, të dyja këto institucione kishin shumë “uri” për krijimtari të re e të freskët.

Sandri ishte aty dhe qysh në vitin 1970, ai qe redaktor muzike në Radio Televizion, dhe sakaq talenti si kompozitor e afroi natyrshëm me skenën e Estradës së Shtetit duke shkruar këngë gazmore dhe gjithë dritë, të cilat u bënë stili dhe fryma e tij. Ato buronin nga vetë natyra e tij, sepse ai dinte ta respektonte vetveten në gjithçka, pra dhe në muzikë. Ishte vërtet vetvetja, ashtu i bërë, prandaj dhe guximtar për ta thënë hapur atë që mendonte. Mori pjesë në festivalin e IX të këngës në RTSH, me këngën “Shoqja e bankës” 1970, ndërsa në Festivalin e 11, në vitin 1972, konkurroi me këngën “Vajza dhe kompozitori”, duke qenë njëkohësisht dirigjent i formacionit orkestror.

Por ja… viti i mbrapshtë 1973, kur nisën anatemat për artistët që bënë Festivalin XI, shumëkush u dëbua nga sofra e artit, u fshikullua, diku shuplaka e fortë e partisë-shtet i degdiste artistët periferive të humbura për “edukim” e diku tjetër i ngujonte burgjeve apo i zhgërryente fshatrave nëpër internime.

Asaj kohe, Aleksandrin e çuan në Kukës, në Shtëpinë e Kulturës së rrethit, si drejtues muzike dhe qëndroi aty 7 vjet. Pikërisht diku në mes të këtyre viteve, kur dhe unë punoja në rrethin e Pukës, i dëbuar nga Instituti i Lartë i Arteve, përherë me frikën në bark si mjaft të tjerë të humbur maleve, pata rastin të shkoja disa herë në Kukës. Mbaj mend njërin nga takimet tona në Kukës.

Unë isha mësuar sakaq me borën, por asaj dite në Kukës qielli kishte shkundur goxha borë. E megjithatë, në atë dhomëzën e vogël të muzikës të Shtëpisë së Kulturës në Kukësin e vjetër, tashmë i mbytur nga liqeni i Fierzës, kam ende në sy flokët e hirtë të Sandrit se si tundeshin mbi kokën e tij, teksa dirigjonte orkestrën dhe i binte pianos. Ulej dhe ngrihej nga pianoja, bëhej njëherësh instrumentist dhe dirigjent, s’rrinte rehat, vërc-vërc. Pastaj linte pianon e vogël dhe merrte fizarmonikën.

E linte dhe atë dhe gati futej tek instrumentistët ose rrinte përbri këngëtarëve, këndonte tok me ta. Shkrihej dhe humbte aty. Ato ditë do të jepej premiera dhe ai kishte kompozuar disa këngë me motive nga veriu. Si mbaruam provat, atyre rrugëve të ngushta të Kukësit të vjetër, një qytet çuditërisht intim, i ngrohtë, tejet njerëzor, nëpër trotuaret e ngushtë, ne u rrasëm në një gjellëtore. S’më kujtohet se çfarë hëngrëm aty, por nga mendja s’më hiqet biseda e ngrohtë.

Në vend që të qanim hallet, rrasur atyre maleve që të dy, se si do ktheheshim në Tiranë, përkundrazi, bëmë bisedë veçse për muzikë. Muzikë, muzikë, muzikë… Sandri ishte i gjithi muzikë. Punoi atje me aq dashuri dhe ngulm. Dukej sikur e kishte harruar Tiranën, ose mua m’u duk ashtu, sepse ai nuk e la veten në dëshpërim, i dha kuptim dhe energji jetës së tij edhe atje, në një vend të largët dhe jo siç donte ai. Edhe në Kukës, ai la pas muzikën e tij. Veç muzikë, muzikë, muzikë…

Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të ankohej për vendin apo njerëzit e atij qyteti, sepse i donte. Nëse “bora” diku mbi kokën time nuk kishte shkrirë ende, “bora” në mendjen e Sandrit kishte shkrirë prej herit. E kishte “shkrirë” muzika. Dashuria për muzikën. Prandaj dhe me motivet e folklorit muzikor të rrethinave të Kukësit, ai bëri shumë këngë dhe e mbajti atë si një të “dashur” thellë vetes. Aty krijoi dhe formacionin orkestror dhe korin a capela… Pastaj Sandri erdhi në Tiranë dhe nga viti 1980 deri në vitin 2000, njëzet vjet, ai punoi me përkushtim në estradën e Tiranës.

U bë një nga autorët më të dashur të kohës dhe rinisë duke kompozuar shumë këngë midis të tjerash: “Grurë dhe këngë”, “Kur jemi bashkë ne të dy”, “Zgjodha njerinë”, “Kompozitori dhe fëmija”, “Gëzimin njerëzve t’ua shtojmë”. Nuk ishte si shumëkush, ca më pak skematik. Muzika e tij ishte plot dritë. Spikati për profilin e tij, melodikën e frymëzuar, harmonizimin e natyrshëm të poezisë me muzikën, tematikën e pasur dhe të larmishme. Unë nuk e kisha ndër miqtë e mi më të afërt.

Ai ishte më shumë tek unë se sa unë tek ai, sepse Sandri e imponoi personalitetin dhe muzikën e tij gjithkund. Dhe këtë e mbërriti, po aq bukur sa kënga dhe gjinitë muzikore serioze, edhe në muzikën e filmit. …Këtë verë, diku në mes të gushtit, unë e takova Sandrin në plazhin e Bunecit poshtë fshatit Piqeras të Sarandës. Vetë unë jam bregas dhe kam dëshirë t’i shkel herë vetëm e herë me miq fshatrat e Bregut. E pra, dhe asaj dite u bëra me disa miq, ndër ta me kritikun dhe shkrimtarin Miho Gjini dhe poetin Stefan Martiko, dy individualitete të spikatura të letërsisë së krahinës së Bregut.

U takuam me Sandrin në Piqeras pasi ai ka aty një shtëpi, pronë e së shoqes që është nga Piqerasi, dhe kishte kaq vite që verën e kalonte në Piqeras, madje-madje, gjithë ditën e kalonte në plazhin e Bunecit. Ishte një drekë aq e bukur, me peshk, verë, por më shumë se këto, me bisedën e ngrohtë, shaka pa fund, anekdota, të qeshura, kujtime… Dhe teksa flisnim e flisnim për muzikën, sepse ai gati na e imponoi gjithë bisedën vetëm për muzikën, kaq ngulmues dhe pasional ishte, i thashë :

“Sandro, mbase jam paksa i zhvendosur në kohë, por pse keni hequr dorë ju, kompozitorët me emër, nga muzika serioze, ç’është ky rrënim që po ndodh. Ja për shembull, Limoz Dizdari, miku im, është aty në Ksamil dhe kur ti shkon në qendrën e tij kulturore, ai i bie pianos dhe të këndon kantatat e tij të shkëlqyera, ndër to “Këputa një gjethe dafine” me zërin e mrekullueshëm të Gaqo Çakos. Pse s’shkruan më, o Sandri”, e pyeta! “Çfarë të shkruaj, ma ktheu ai me dëshpërim, në këtë gjendje që është muzika, duhet shkruar vetëm ‘tallava’ dhe për mejhanet…”.

“Jo, këmbëngula unë, ti Sandro duhet të shkruash diçka si “Dimri i fundit”, për shembull, që është aq e bukur, sikur shkrin bora, gjithë optimizëm, jetë, një kurorë për filmin shqiptar!”. Sandri, dinamik siç qe, më bëri një kundërpyetje: “Të shkon në mendje ti se sa kam shkruar unë?”. I thashë një shifër. “Jo, ma preu, daç besoje, daç mos e beso, unë ka shkruar 1500 njësi të ndryshme muzikore: këngë, pjesë instrumentale, madje edhe gjini më të mëdha. Po si t’i realizoj, ku t’i vë në skenë, me kë, kur? Kush do t’ia dijë për muzikën serioze sot?!”. Dhe lëshoi një psherëtimë.

Pastaj mori gotën dhe ne të gjithë sa qemë aty, në plazhin e Bunecit, e trokitëm. Dhe folëm e folëm për artin, por siç thashë, ndonëse qemë më shumë të letërsisë dhe arteve të tjerë, na mbyti muzika në tavolinë, sepse muzika ishte brenda Sandrit, ishte shenjë, frymë, tapi e shenjtë, vetë qenia e tij…

Unë i përmendja disa filma, të cilëve ai u kishte bërë muzikën, dhe saora Sandri niste dhe komentonte se si lindi ky ai apo ai motiv, ç’karakter kishte, pse ashtu dhe jo ndryshe. Dhe bujti tek ajo tavolinë miqsh një opus muzikor nga filmat e tij: “Dimri i fundit” 1976, “Tomka dhe shokët e tij”, 1977, “Vajzat me kordele të kuqe” 1978, “Emblema e dikurshme”, 1979.

Unë e njihja pak a shumë, edhe nga profesioni im si kritik i artit, krijimtarinë e begatë të Sandrit në këtë zhanër, njihja dhe vlerësoja te muzika e tij qartësinë e figurës artistike, zbërthimin në planin emocional të çasteve më të rëndësishme të subjektit, prej ku portretizimet e personazheve dhe përshkrimet e ngjarjeve paraqiteshin në përputhje aq elegante e të menduar me dramaturgjinë e filmit.

…S’di pse ajo drekë aty në Bunec më ka mbetur aq shumë ngulur në mendje. Ndoshta llokoçitja e dallgëve aty rrëzë këmbëve tona, ndoshta ai peizazh i bukur bregdeti dhe shtë- pia e Sandrit aty sipër mbi fshatin Piqeras, ndoshta ajo drekë miqsh dhe biseda e pangopur për artin së toku, ashtu me trupa të zhveshur për plazh siç qemë, pa petka dhe pa “seriozitet”, ndoshta ajo ftesa e Sandrit për të shkuar në shtëpinë e tij dhe ai diçka të gatuante enkas për ne (sepse ai gatuante shumë mirë), apo… apo… ndoshta dashuria dhe pasioni i tij i pafund për muzikën, që na e ktheu atë tavolinë miqsh veçse në muzikë. Sepse ai ishte muzikë, shpirti i tij qe muzikë, emri i tij qe muzikë.

Dhe kujtimi i tij është e do të mbetet muzikë, muzikë, muzikë… Lamtumirë i shtrenjti mik, ti bëre muzikë dhe muzika të priste. Shko, pra, në muzikën e amshimit dhe kujtesës kombëtare! Shko! Ti ishe dhe je MUZIKË !…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura