Panuçi e rikthen në Kombëtare, Basha: Italia më kaliti për 12 vite, jam gati për Greqinë

Aug 24, 2018 | 12:59
SHPËRNDAJE

Për 12 vite, Migjen Basha ka luajtur në kampionatet italiane të futbollit. Jo vetëm Kategoria e Dytë, por edhe në Serinë A, duke lënë gjurmë me karrierën e tij dhe profesionalizmin e treguar. Aktualisht, është pjesë e skuadrës së Arisit në Selanik dhe mesfushorit kuqezi i është dhënë çelësi për repartin e mesit të fushës. Së fundmi ka edhe një lajm të mirë, pasi në ekipin grek ka mbërritur ftesa me logon e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe që ka firmën e trajnerit Panuçi, për grumbullimin e parë të vlefshëm për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Në një intervistë për mediat greke, mesfushori tregon përshtatjen, si dhe diferencat mes futbollit në Itali dhe atij në Greqi.

Basha2

Greqia – “Do të jetë një sezon i vështirë. Kam parë disa skuadra, por më duhet ende që të kuptoj sesi funksionojnë gjërat. Skuadra ka bërë ndryshime dhe disa lojtarë kërkojnë ende kohë që të përshtaten. Mes tyre jam edhe unë, pasi është hera e parë që jam në këtë kampionat. Megjithatë, nëse gjithçka do të shkojë si gjatë ndeshjeve miqësore që kemi bërë, jam i bindur që do të bëjmë një sezon pozitiv”.

Diferencat – “Nuk ndihem i lodhur, por biseda me trajnerin më ka ndihmuar shumë. Ai më ka kërkuar që të jem unë njeriu i mesit të fushës për të komanduar manovrën. Nuk kemi vendosur ende se çfarë moduli do të kemi gjatë këtij sezoni, nëse do të luajmë me 4-3-3 apo 4-2-3-1. Unë kam punuar për 12 vite në Itali dhe jam mësuar me stërvitje të forta, ndaj edhe këtu nuk kam pasur probleme në këtë start. Jam gati për këtë sezon që t’i kënaqim tifozët tanë”.

Skuadra – “Jam mbetur i mahnitur nga afrimiteti që kanë futbollistët mes tyre. Jashtë fushës këtu janë miq dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë që të kuptoj se çfarë është ky ambient. Si janë bashkëlojtarët e tjerë dhe çfarë na duhet”. Rivalet – “Pas Janina luan me kundërsulme, Larisa në presing të plotë ndërsa PAOK, Olimpiakos dhe AEK janë skuadra të forta për të cilat më duhet t’i shoh më tepër që të krijoj një ide”, ka deklaruar Migjen Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura