PATENTAT/ Test kush humbet pikët apo bën tri shkelje brenda vitit

Feb 17, 2015 | 11:11
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata që për shkak të zbritjes së vazhdueshme të pikëve si rezultat i shkeljes së rregullave të qarkullimit humbasin 20 pikët apo kryejnë tri shkelje me të paktën 5 pikë brenda vitit, do kalojnë në test. 


Mbajtësi i lejes së drejtimit është i detyruar që të paraqitet pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor për të dhënë provimin teorik.

Kthimi i lejes së drejtimit të pezulluar dhe sasisë së 20 pikëve bëhet kur mbajtësi i lejedrejtimit fiton provimin e kualifikimit. Pyetjet e provimit të kualifikimit teorik do të jenë me përmbajtje nga kapitulli V i Kodit Rrugor (normat e sjelljes) dhe do të publikohen në faqen zyrtare të internetit të DPSHTRr-së së bashku me përgjigjet respektive.

“Provimi teorik i kualifikimit fitohet kur përgjigjet gabim nuk janë më shumë se 10% e sasisë së pyetjeve”, bëhet me dije nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Ajo së cilës duhet t’i druhen të gjithë ata që kanë një automjet është kryerja e shkeljeve të rënda që kanë edhe pasoja që shkojnë përtej heqjes së lejes.

Të tilla sipas Ministrisë së Transporteve konsiderohen aksidenti dhe largimi nga vendi i ngjarjes ose drejtimi në gjendje të pirë, shkelje që kalojnë direkt në sanksione si heqja e lejes së drejtimit apo dhe heqja e lirisë së individit.

Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të sistemit, të gjithë ata që kanë një leje drejtimi do të kenë 20 pikë dhe po kaq do të kenë edhe ata që marrin një leje drejtimi për herë të parë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura