Pantallona me Facebook

Dec 24, 2012 | 14:17
SHPËRNDAJE

Është një nga gjetjet e fundit interesante, sa të botës teknologjike, edhe të asaj të veshjeve. Marka e njohur italiane për prodhimin e pantallonave xhins “Replay” ka hedhur para pak ditësh në treg një lloj të ri pantallonash. Ndryshe nga ato që jemi mësuar të mbajmë veshur në trup, xhinset e reja kanë të instaluar në njërin nga xhepat e përparmë të tyrin një pajisje të vogël bluetooth-i. Funksioni i kësaj mini-pajisjeje teknologjike bën të mundur komunikimin përmes valëve me aparatin celular të individit që i mban veshur, kështu ndërsa jeni duke ecur rrugës, apo gjendeni në një ambient të hapur bari a restoranti, ju sërish mund të jeni aktiv në rrjetet sociale duke postuar gjithçka dëshironi në kohë reale, në Facebook, Twitter, Instagram etj. “Social Denim”, kjo kategori e re e aplikuar në xhinset e markës “Replay” lejon që përmes pajisjes në miniaturë, ju ta keni më të lehtë përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale, duke ndarë kështu me shokët ose të dashurin tuaj gjendjen emocionale, vendndodhjen, një mendim personal, thënie të spikatura etj. Fabrika e prodhimit të xhinseve ka cilësuar se tonalitetet e ngjyrave të këtyre lloj pantallonave do të jenë fillimisht e zeza, bluja, dhe këto të specifikuara si për meshkujt edhe për femrat. Ka nisur shitja e tyre në mbarë Europën, ndërsa çmimet variojnë nga 160 euro deri në 230 euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura