23 Gusht, 2018

“Xiaomi” prezanton celularin e ri që kërcënon luftë çmimesh në treg


Firma kineze e telefonave celularë, “Xiaomi” ka zbuluar një “smartphone” të ri me karakteristika të jashtëzakonshme dhe me një kosto të përballueshme, me prezantimin e markës së re.

“Poco F1” ka të inkorporuar çipin më të fundit “Snapdragon”, ka një bateri mbi mesataren prej 4.000 mAh, ndërkohë që RAM-i është plot 8 GB, duke qenë i ngjashëm për nga këto karakteristika me “Galaxy Note 9” të “Samsung”-ut.

Por, ndryshe nga produkti i kompanisë koreano-jugore, ai do të kushtojë ndjeshëm më pak sesa modelet më të famshme të markave “të përballueshme” rivale, kur të shitet në Indi.

Një ekspert thotë se lançimi në treg i këtij celulari mund të detyrojë firmat e tjera që të rishikojnë çmimet e tyre.

“Ky telefon ka procesorin më të mirë Qualcomm në qarkullim sot për sot, ndërkohë që thelbi është se mund ta marrësh për një çmim thuajse të përgjysmuar në krahasim me produktet e rivalëve të tjerë”, thotë Mike Lowe, i cili edhe e ka testuar pajisjen e re.

“Ai është shumë i fuqishëm, me një bateri që mban gjatë, ndërkohë që klientët që ka për objektiv nuk do të shqetësohen shumë nga fakti se është disi i rëndë. Ky është Xiaomi, i cili po përpiqet të ruajë dominimin që ka në tregun indian, e pse jo edhe për të tentuar zgjerim në territore të tjera”.

Modeli bazë i “Poco F1”, i cili ka një RAM prej 6 GB dhe një memorie të brendshme prej 64 GB, kushton 20.999 rupi (300 dollarë). Ndërkohë, versioni më i kompletuar, me pjesën e pasme prej fibre sintetike dhe me një RAM e memorie më të madhe, kushton 29.999 rupi (430 dollarë).

Sipas shtypit lokal, rivalët më të fortë në konkurrencë janë “OnePlus 6” dhe “Asus ZenFone 5Z”. Modelet e “OnePlusit” kushtojnë mes 34.999 dhe 43.999 rupi, ndërsa ato të Asusit midis 29.999 dhe 36.999 rupi.

Vetëm pajisja më e re e “Huaweit”, “Honor Play” e mposht për nga çmimi “Poco F1”, pasi kushton 19.999 deri në 23.999 rupi, por karakteristikat janë shumë herë më të dobëta, shkruan “top channel”.

“Poco F1” është konfirmuar aktualisht vetëm për tregun indian, ku do të hidhet në shitje më 29 gusht, megjithatë, prodhuesi kinez thotë se ka në plan ta tregtojë atë edhe në 50 shtete të tjera, mes të cilave edhe vende europiane.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al