11 Shkurt, 2018

Triumfoi dhe ngriti Italinë në këmbë, por çfarë tha Ermal Meta për “Panorama” dy vite më parë


Eramal meta arriti që të triumfonte në këtë edicion të Sanremos duke rrëmbyer çmimin e parë, edhe pse rruga e tij ishte e vështirë pasi rrezikoi të penalizohej pasi e akuzuan se kënga ishte plagjiaturë.

Por pas shqyrtimit, u vendos që Ermali dhe Fabrizio ishte më se korrekt dhe duhej të vazhdonin garën.

Por si nisi karriera e Ermal Metës, nga Fieri drejt Italisë, atje ku sot po merr vlerësimet maksimale?

Më poshtë mund të lexoni se çfarë ka rrëfyer në një intervistë të dhënë dy vite më parë për PANORAMA:

Ermal Meta: Historia ime, si arrita nga Fieri deri në “Sanremo”

I urren përrallat, se për një artist të jetosh është më fantastike, sesa të imagjinosh brenda një guacke. Është kantautor, dhe për të nuk ka muzikë për njerëz të ndryshëm, por muzikë për gjendje të ndryshme shpirtërore.

Deri para kualifikimit në Sanremo 2016 me “Odio le favole” (I urrej përrallat), Ermal Meta, 34 vjeç (në prill mbush 35), nuk njihej në Shqipëri, edhe pse në Itali është miku i ngushtë i Laura Pauzinit dhe ka shkruar këngë për të famshëm si Marko Mengoni, Emma Marrone, Chiara, Annalisa, Patty Pravo etj.

Generated by IJG JPEG Library

Kënga e tij u rendit në vendin e parë në platformën “Timmusic”, dedikuar muzikës dixhitale, duke u konsideruar për momentin më e kërkuara në seksionin e këngëtarëve të rinj, “Sanremo Giovanni”.

I lindur në Fier, Meta, një nga autorët më të vlerësuar në muzikën bashkëkohore italiane si autor i shumë këngëve të suksesshme, rrëfen botën e një artisti të panjohur për shqiptarët, por që ka ditur si të hyjë në zemrat e italianëve…

ermal-meta-640x470

Finalist në “Sanremo” në kategorinë e të rinjve me këngën “Odio le favole” (I urrej përrallat). Cila është filozofia e vargjeve të kësaj kënge?

Muzika zakonisht nuk ka filozofi, por frymëzim dhe ky i fundit ka të bëjë me jetën. Përrallat nuk më kanë pëlqyer kurrë, për mua jeta është shumë herë më interesante dhe ka më shumë fantazi në të.

Ke një karrierë prej disa vitesh si muzikant në Itali, por shqiptarët të njohën nëpërmjet “Sanremos”. A mund të na tregosh si ishin fillimet e tua?

Fillova duke kënduar në disa grupe në qytetin e Barit në Puglia. Me një në veçanti, grupin “La Fame di Camilla”, publikuam tri albume nëpërmjet etiketës diskografike “Universal”. Njëkohësisht kompozoja këngë dhe shkruaja tekste për këngëtarë me famë në Itali.

Dimë që je autor i mjaft këngëve të suksesshme të artistëve me famë në Itali, si Marko Mengoni, Emma Marone, Chiara, Analisa apo Patty Pravo. Si ke arritur të krijosh lidhjet e duhura dhe të fitosh besimin e tyre?

Lidhjet zakonisht i krijon muzika dhe këngët. Kompozimet e mia mbase u pëlqyen nga ata. Më pas lidhëm miqësi të fortë me njëritjetrin.

Është e vështirë të depërtosh në tregun muzikor italian? Ti si ia ke dalë?

Tregu muzikor italian është i vogël dhe për këtë arsye edhe shumë i vështirë. Dua të them që nuk ta lë njeri vendin e vet. Ndryshe nga ata që kanë lindur dhe janë rritur në Itali, ti ke lindur në Shqipëri, madje në Fier.

Si ka qenë fëmijëria jote larg kryeqytetit?

Kam lindur në Fier dhe kam pasur një fëmijëri si pjesa më e madhe e fëmijëve shqiptarë në ato vite. Në Tiranë kam qenë pak herë kur isha i vogël dhe jo për arsye të lidhura me muzikën.

Kjo është hera jote e dytë në “Sanremo”, duke kujtuar pjesëmarrjen në vitin 2010, kur me grupin muzikor “La fame di Camilla” konkurrove në “Sanremo Giovani”. Atëherë u eleminuat që në raundin e parë të votimit. Pse vendose t’i rikthehesh “Sanremos”?

Sepse “Sanremo” nuk është garë për mua. E rëndësishme është të jesh në atë skenë.

Pjesëmarrja në “Sanremo” është fitorja e vërtetë. Për ty cila është kënga më e bukur e festivalit këtë vit?

Nuk i kam dëgjuar të gjitha, vetëm këngët e të rinjve njoh.

Sa i sigurt ndihesh për performancën live, dhe si do t’i përshkruaje ndjesitë e asaj skene?

Skena është vendi im, por “Sanremo” ka tej mase tension. Teknikisht ka shumë kurthe. Pra duhet të jesh i përgatitur dhe të kesh pak fat.

Ndërkaq po publikon albumin tënd të ri, që është rikthim i viteve ’80 në muzikë. Për çfarë kategorie publiku janë këngët e tua?

Albumi përmban 9 këngë. Nuk di që publiku të ndahet në kategori. Më pëlqen të mendoj që secili ndjek një lloj muzike, sipas gjendjes shpirtërore në atë moment. Rock, Beat, Blues, Electronic, Rock ‘n Roll, etj., janë vetëm fjalë. Përfaqësojnë shpirtin e atyre që e ndjejnë muzikën, jo vetëm ata që e bëjnë.

E ndjek muzikën shqiptare dhe cilët janë artistët që do të veçoje?

Për fat të keq nuk e kam ndjekur. Njoh Elsa Lilën dhe Elhaida Danin. Të dyja këngëtare shumë të mira.

Sanremo-Giovani-2016-Ermal-Meta

Si do ta nisje një përrallë dashurie?

Di si të nis një këngë, por jo një përrallë.

Kënga më e bukur që ke dëgjuar për një ndarje?

“Wicked Game” Chris Isaac.

Alkooli më i fortë për të mbytur dhembjen?

Rhum.

Nata më e gjatë që ke kaluar?

Nata në të cilën më thanë që ime më ishte në koma. M’u duk e gjatë një vit.

Zgjimi më romantik si mund të ishte për ty?

Çdo zgjim është romantik kur fle me dikë që ke në krevat dhe në zemër.

Mesazhi më mbresëlënës që të ka ardhur në celular?

Një mesazh në celular nuk e konsideroj mbresëlënës.

Martesa që do të ëndërroje?

Ajo që bën i moshuari mbas një jete të gjatë dhe të lirë.

Vdekja më e ëmbël si do të ishte?

Ajo pas martesës së mësipërme.

Cila është italiania më e bukur?

E dashura ime.

Nga KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al