25 Maj, 2020

“Skeçet me mamanë time që u bënë hit gjatë karantinës”- Aktori i humorit rrëfen: Ja çfarë më shpëtoi nga depresioni


Alex Seitaj është aktori shtatlartë i “Portokallisë”, që identifikimin me personazhin e Vezires e konsideron zhanër artistik, që kur ajo mori më shumë famë se vetë ai.

Por këtë periudhë të karantinës, Alexi u bë VIP në “Instagram”për skeçet me mamanë e tij, duke i luajtur vetë të dyja rolet.

Për “Panorama Plus”, aktori rrëfen jetën mes roleve dhe se si të qenit pjesë e showbizz-it e shpëtoi nga depresioni.

Aktor, këngëtar, Vezire janë tri zhanret e tua, me të cilat prezantohesh në “Instagram”. Të njihesh si Vezire në skenë, çfarë rëndësie ka për karrierën tënde si aktor i “Portokallisë”?

Deri diku, Vezirja është zhanër i veçuar artistik. Lindi thjesht si personazh dhe më pas u bë një produkt, me të cilin unë mund ta bëja live dhe ta marketoja në mënyra të ndryshme. Krijimi i Vezires, edhe pse deri diku aksidental, më dha një element të rëndësishëm në dorë. Shumë njerëz krijojnë personazhe dhe vendosin që këto personazhe të bëhen të famshme në vend të tyre. Për mua rastisi të ishte Vezirja. Është e rëndësishme, sepse solla pastër dhe qartë konceptin Drag në Shqipëri. Disa mbase nuk e konsiderojnë si art, po nuk ma ndien shumë për konsideratën e të tjerëve.

Një superfemër, dy metra, e vështirë të gjejë një partner me shtatlartësinë e saj, çfarë kategorie femrash përfaqëson në realitetin shqiptar?

Në krijimin e Vezires nuk jam ndalur vetëm te realiteti shqiptar. Më pëlqen të luaj me ekstremet. Atë e personifikon cinizmi, materializmi, por nga ana tjetër është një “grua” me personalitet dhe ky është një detaj shumë i fuqishëm. Deri diku, edhe fuqizues. Është si personazhi i Jokerit, një antihero që sigurisht dënohet për shumë gjëra negative që bën, por që në fund të fundit ka disa vlera të rëndësishme.

Shfaqesh me grimin perfekt, aq sa portreti yt është identifikuar tashmë. Sa kohë të merr grimi dhe si është të mësohesh me pamjen e një gruaje të tillë kur sheh veten para pasqyrës?

Në fakt, grimi i Vezires më ka ardhur në majë të hundës. Është një proces i gjatë, i lodhshëm dhe disa herë edhe i dhimshëm. Por do ishte joprofesionale dhe e padrejtë nga ana ime që t’i hiqja elemente, sepse fansat duan të shohin Veziren në maksimumin e saj. Me pamjen nuk mësohesh asnjë herë. Shpeshherë kur xhiroj dhe shoh xhirimet më duket sikur nuk jam unë, sepse në fakt nuk jam unë. Kjo është e bukura e profesionit tim.

Nëse do të duhej të shfaqeshe vetëm si Vezire edhe në rrugë, pse do ta bëje?

Nuk e di pse duhet të ndodhte kjo gjë. Ajo është dizenjuar për skenë dhe kamera. Grimi i rëndë nuk është edhe aq sharmant kur e sheh nga afër. Unë e konsideroj Veziren si një kloun sensual, por që në fund të fundit, kloun mbetet dhe funksioni kryesor është të performojë, të japë buzëqeshje dhe të krijojë sadopak një botë absurde, me ngjyra, të çmendur, tek e cila njerëzit të arratisen për pak minuta. Të dal si Vezirja në rrugë është njësoj sikur një polumbar të shkojë të blejë bukë me kostumin e zhytjes.

Cilat janë fantazitë më të çmendura të Vezires, ndërkohë që e keni ndërtuar si personazh aseksual

Nuk besoj se Vezirja do të kishte ndonjëherë tërheqje ndaj dikujt. Pikërisht ky detaj e bën atë të pavarur nga vartësitë e natyrës sonë. Dhe në momentin që ajo i afrohet dikujt, ka gjithmonë një qëllim paraprak. Po për fantazi të çmendura? Me thënë të drejtën, nuk e kam menduar kurrë (qesh). Zakonisht mendoj gjëra që janë në funksion të materialit apo parodisë që do performoj.

Gjatë periudhës së izolimit, të merrte malli për t’u transformuar në Vezire dhe a mund ta konsiderojmë alteregon tënde?

Gjatë karantinës kam xhiruar disa herë si Vezire. Sërish është një personazh i lodhshëm në përgatitje. Por publiku është mësuar dhe do ta shohë të kompletuar dhe nuk kam nga t’ia mbaj. Për këtë arsye, personazhin e mamit e kam sjellë aq të thjeshtë. Se nuk kam nerva për grim të rëndë.

Ndërkohë të shohim në “Instagram” me një përballje tjetër me vetveten, pasi përgatit skeçe ku luan djalin dhe nënën e tij. Si lindi kjo ide dhe ke plan të bësh skeçe me burrin dhe gruan?

Nuk e di, nëse më frymëzon mbase. Javën e parë të karantinës, mamaja ime u bllokua në shtëpinë time. Më vonë fitoi lejen për t’u rikthyer në qytetin tim të lindjes, por la pas gjithë ato ndodhi. Duke qenë se nuk kishim gjë për të bërë, vendosa që këto situata t’i përkthej në skeçe të shkurtra.

Si është jeta juaj brenda “Portokallisë”, me cilët aktorë shoqërohesh më shumë, duke qenë se je ndër më të rinjtë mes kastit?

Në fakt, kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Për marrëdhënie të ngushta shoqërore do të veçoja Algiona Agën, Arjola Demirin dhe Albana Perhatin.

Ke marrë ndonjë ofertë tjetër gjatë kësaj periudhe dhe për çfarë formati apo për kë do ta lije atë trupë?

Oferta vijnë gjithmonë, por momentalisht ndihem mirë në trupën e “Portokallisë”. Personalisht, nëse do të zgjidhja midis të qenit person publik në Shqipëri dhe një i panjohur diku jashtë vendit, do të zgjidhja opsionin e dytë.

Mendimet për vetëvrasje, me çfarë mendimesh janë zëvendësuar këto kohë?

Depresioni është një luftë e vazhdueshme, por kam kuptuar se kam ndryshuar. Showbizz-i më ka bërë gur. Nuk dua t’ia di më. Në momentin që familja ime, njerëzit e dashur dhe unë jemi mirë, nuk më intereson gjë tjetër. Asgjë.

/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al