13 Shtator, 2018

Skandal në Angli, një lojtar i Premier Ligës akuzohet për përdhunimin e një të miture


Një lojtar i Premier Ligës angleze akuzohet për përdhunimin e një të miture në Francë. 23-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye ligjore, po pret vendimin e gjykatës, së bashku me kushëririn e tij, i cili tashmë është në moshën 25-vjeçare.

Lojtari i kishte mohuar akuzat, sepse nuk dëshironte që të mërziste të dashurën e tij. Ndërkohë, tani ata do të gjykohen për shkak të veprës së kryer në Nimes të Francës. Të dy mund të dënohen deri në 15 vite burgim, edhe pse i mohojnë akuzat. Sipas burimeve nga policia, vajza e mitur ishte gjetur nga shoqet e shkollës në një gjendje të rëndë në korrik të vitit 2012.

Vajza, e cila tani gjendet në moshën 21-vjeçare, pretendon se dy personat në fjalë, e kishin sulmuar seksualisht pasi kishin përfituar nga gjendja e saj e dehur. Ajo thotë gjithashtu se të dy kushërinjtë, e dinin se ajo ishte nën moshë. Edhe viktima e ka pranuar se kishte qenë nën ndikimin e alkoolit atë ditë, por ajo thotë se dy të akuzuarit i kishin ofruar asaj shumë pije alkoolike me qëllim. Tani, futbollisti është duke pritur nga gjykata franceze për të marrë vendimin përfundimtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al