22 Gusht, 2018

“S’e ndaj veten mes aktorit dhe opozitarit”, Jul Deda flet për projektin e ri: Pse u zhvendosëm në televizion tjetër

KLOTILDA HARKA

“Dublex” është spektakli i ri i humorit në ekranet shqiptare, bazuar në improvizimin, me drejues artistik Julian Dedën. E njëjta trupë, i njëjti format si “Apartamenti 2 Xl”, me situata të reja, por jo aktorë të rinj. Për surprizat e show-t që nis në vjeshtë dhe realitetin shqiptar të parë me syrin tragjikomik, Jul Deda zbulon për “Panorama Plus” detaje të pathëna deri tani.

Pas shumë vitesh largoheni nga “Vizion Plus” për t’u shfaqur në një tjeter ekran, atë të “Klan”. Ishte e vështirë të hidhnit hapin e ndryshimit, pra, të bini në një mendje për t’u zhvendosur si trupë?

Po, është e vërtetë. Ne kemi filluar në “Vizion Plus” në vitin 2009 me “Apartamenti 2 XL” dhe sigurisht që janë vite të konsiderueshme për të mos qenë aq e lehtë e për t’u shkëputur. Në fakt, ishte një vendim që duhej marrë dy ose tre vite më përpara, por tani ishte momenti. Ndryshimi erdhi pas një oferte që na u bë nga “Klan” dhe ne e pranuam me shumë kënaqësi për të qenë pjesë e tij. Unë personalisht e kam rikthim në këtë televizion, duke qenë se kam punuar më parë këtu. Për pjesën tjetër të stafit është eksperiencë krejt e re dhe shpresoj që do ia dalim me sukses të gjithë! E lehtë s‘ka qenë ta merrnin vendimin, por edhe më e vështirë do të jetë të fitojmë një profil komik apo profil televiziv në një televizion të ri sa i përket marrëdhënies mes televizionit dhe spektaklit.

Akomodimi nga “Apartamenti 2xl” te “Dublex” do të jetë i njëjti, me banorët e vet apo do t’i shtohen të tjerë aktorë të rinj? 

Po, siç e përmendët dhe ju, spektakli i ri titullohet “Dublex”, pra, ia kemi ndërruar emrin nga “Apartamenti 2 XL”. Ndërsa formula do të jetë e njëjtë, pra, do vazhdojë formula e spektaklit e bazuar mbi improvizimin, do jetë gjithmonë dikush që do të na japë urdhra dhe ne ata që do t’i zbatojmë. Do të ketë një zgjerim dhe pamje të re të shtëpisë, do të ketë marrëdhënie e situata të reja, karaktere të rinj e ndryshime në raportet mes nesh dhe publikut. Për sa u përket aktorëve të rinj, ende nuk kemi vendosur për të hapur audicione të reja. Në të ardhmen ndoshta, por deri tani mendojmë se jemi një trupë e konsoliduar dhe do të vazhdojmë kështu.

Çfarë do të sillni ndryshe në këtë program, duke qenë se në spotet e deritanishme të kemi parë duke ngrënë djathë e domate në varreza. Pra, janë situatat ekstreme pika juaj më e fortë?

Formati do të jetë i njëjtë, siç e thashë më sipër, një spektakël i bazuar mbi improvizimin. Shumë njerëz më kanë pyetur për këtë, pasi duke parë spotet, duket si qasje nga “skeç show”. Nuk është e vërtetë se ato janë thjesht spote që i kemi bërë për të reklamuar produktin e ri, që po vjen në “Klan” me logon “Së shpejti” për të promovuar “Dublex”. Kjo s’do të thotë që të mos ketë edhe xhirime jashtë skene, pasi këtë mbetet ta shohim si pjesë e suprizave. Por formati do të jetë 90-95 për qind i njëjtë me “2 XL”.

Kur uleni në mbledhjet tuaja, mbi ç’aspekte të jetës që bëjmë ndërtoni situata të vërteta humori?

Është e vërtetë që kur ulemi përballë njëri-tjetrit e fillojmë të krijojmë, sigurisht jeta na ofron shumë materiale. Aq më tepër jeta në Shqipëri, ajo politiko-sociale nga të katër anët ofron situata sa komike, aq edhe tragjike. E pikërisht këtu fokusohemi te tragjikomizmi i jetës sonë, te përballja jonë me shtetin, njëri-tjetrin, institucionet, shërbimin, privatësinë etj. Të gjitha këto marrëdhënie përpiqemi t’i përkthejmë me humor, për të dhënë një mesazh për secilën dhe për të bërë kritikë, pse jo. Kryesisht jemi të përqendruar te marrëdhënia e njeriut me njeriun, njeriut me institucionet etj., pra, këto janë vendet ku ne elaborojmë.

Në këtë format, përveç roleve të tjera, ti provon si aktor nga roli i burrit tek ai i dashnorit. Cili është më i vështiri për t’u realizuar?

Në këtë format nuk është se provoj vetëm rolin e burrit dhe dashnorit, pasi unë kam provuar lloj-lloj rolesh, situatash e karakteresh, nga burri, dashnori, djali, gjyshi, babai, polici, doktori, infermeri, etj. Te të gjithë unë ndihem komod, përsa kohë i krijoj vetë dhe i nxjerr nga vetja. Sa për pyetjen, shumë më komod ndihem te roli i burrit të them të drejtën, se është diçka që e provoj për çdo ditë.

Në lidhje me partneret femra në spektakël, me cilën ndihesh më mirë në role, me Elionën apo Cubin?

Të them të drejtën, unë me të dyja ndihem mirë. Sigurisht, Cubi është aktore profesioniste dhe e njeh më mirë profesionin, por të mos harrojmë që Eliona ka kohë që punon me ne dhe ia ka marrë dorën punës. Kështu, edhe ajo është bërë pjesë organike e jona. Unë nuk bëj dallime as mes aktorëve meshkuj e as atyre femra. Ndihem mirë me të dyja e ndihem mirë me të gjithë. Dhe në fund të fundit, ndihem mirë me veten në atë spektakël dhe kjo është shumë e rëndësishme.

“Portokalli” dhe “Al Pazar” janë programet e tjera paralele. Si do e përkufizoje konkurrencën mes jush?

Unë nuk mund ta them ende se cilin nga këto dy programe do të kemi përballë, duke qenë se njëri transmetohet të shtunën dhe tjetri të dielën. Jo se nuk është vendosur dita e transmetimit të “Dublex”, por duam ta lëmë surprizë. Sa për spektaklet, të dyja kanë vlerat e tyre për punën që bëjnë. “Portokalli-në” e respektoj si ishpjësëtar i asaj trupe ku kam punuar dhe “Al Pazar”, po ashtu, është një punë e shkëlqyer e bërë nga Agron Llakaj dhe gjithë stafi i tij. Dua të them që ne nuk kemi asnjë lloj rivaliteti njerëzorarmiqësor, përkundrazi, i shohim si dy puzzle të një mozaiku të madh të humorit të Shqipëri. “Apartamenti 2XL” i ka qëndruar në mënyrën më perfekte këtij mozaiku dhe shpresoj që “Dublex” të jetë po njësoj dhe të jetë në vendet e para të humorit në Shqipëri. Unë e shpresoj dhe e besoj shumë këtë!

Ti, nga njëra anë, ke profilin e aktorit në televizion, dhe nga ana tjetër bën opozitarin në çështje të nxehta politike. Ku nuk aktron 100 për qind në këto dy pozicione?

Unë, t’ju them të drejtën, nuk e ndaj veten në këtë formë. Por unë them se shpreh atë që ndiej, atë që mendoj se është gabim, por shpreh dhe atë që mendoj se është mirë, edhe ka pak raste të tilla, për fat të keq. S’e ndaj veten mes aktorit dhe opozitarit, pasi, për mua, të ngresh zërin për shqëtësimet që ka shoqëria jonë nga politika jonë, nuk është e thënë të jesh opozitar më flamur në dorë. Megjithatë, asnjëherë nuk i kam fshehur bindjet e mia e qasjen time politike. Sa i takon pyetjes se te cila pjesë nuk aktroj 100 për qind, mund t’ju them se unë nuk aktroj tek asnjëra, pasi të dyja i bëj sinqerisht. Edhe në profesionin tim nuk aktroj, e bëj sinqerisht. Vërtet është aktrimi profesioni im, por unë aty nuk aktroj, pasi e bëj seriozisht punën time. Është pyetja pak me kleçkë, dhe përgjigjja po me kleçkë. (qesh)

T’i hysh politikës pasi ke bërë humor në televizion, është plus apo minus për profilin e një politikani të ardhshëm?

Kjo është një pyetje që duhet të ma bëni kur unë t’i futem politikës, në mënyrë që të bëj dallimin. Realisht, tani nuk e kam idenë se si është t’i futesh politikës pasi ke bërë humor. Unë, për momentin, po bëj humor, jam në një kontratë të mirë, të cilën nuk munda ta refuzoja dot. Dhe duke pasur parasysh këtë, do t’i përkushtohem punës sime, skenës, humorit dhe çdo aspekti që ka marrëdhënie me publikun. Kur të vendos të lë këtë punë dhe t’i hyj politikës, do t’ju larmëroj të gjithëve dhe do ta merrni vesh ndryshimin sipas vendimit tim. Por, për momentin, nuk e di nëse është plus apo minus karriera si aktor humori në profilin e politikanit.

Ndërkaq, në televizionin ku do të shohim këtë sezon të ri, do përballesh shpesh me dy ish-kolegët e “The SHBLSH”, Ermal Mamaqin dhe Gent Zenelajn. Për ç’arsye do e refuzoje ribashkimin me ta në një projekt?

Po, është e vërtetë që aty punojnë dy kolegët e mi, secili në emisionet e veta. Përsa i përket pyetjes për çfarë arsye do i refuzoja, unë jam një njeri që nuk njihem për refuzime. Nëse refuzoj dikë, e refuzoj përjetë, por ama nuk refuzoj kot. Por, njëkohësisht, jam shumë i vështirë për të ma mbushur mendjen, kështu që do u duhet shumë punë për të ma mbushur mendjen. S’e di, flisni me Ermal Mamaqin! (qesh)

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS