10 Nëntor, 2018

Rrëfimi i këngëtarit: Është ofenduese të vlerësohem nga Orinda Huta që s’më jep emocion në skenë


KLOTILDA HARKA/ Këngëtari i ri Reinaldo Gaçi merr pjesë këtë vit me këngën “Ku je” në festivalin “Kënga Magjike”, për të tretën herë.

Ai ka treguar rezervat e tij në lidhje me vlerësimet e Armend Rexhepagiqit dhe Orinda Hutës, dy anëtarët e jurisë së kategorisë së të rinjve. Edhe pse u klasifikua për gjysmëfinale me votimin e anëtëve të tjerë të jurisë, Reinaldo tregon për “Panorama Plus” prapaskenat e votimit dhe butonat e kuq që mori Rexhepagiqi dhe Huta.

Është viti i tretë që konkurron në kategorinë e të rinjve te “Kënga Magjike” dhe më në fund arrin të kalosh në fazën gjysmëfinale. Por i ftuar në “Kafe in” fole për kontradiktat me Orinda Hutën, e cila ishte për jo. Ç’mund të thuash më shumë?

E ç’të them?! Nuk e kam vetëm me Orindën. E kam me të gjithë ata si Orinda, që gjykojnë duke u bazuar në shije personale dhe nuk vlerësojnë me profesionalizëm profesionalizmin.

Me kë e kishe tjetër?

Nuk ishte vetëm Orinda ajo që më çuditi me butonin e kuq. Ishte edhe Armend Rexhepagiqi. Të dy bashkë më thanë se nuk iu dhashë emocion. Ndërkohë që emocionin njerëzit e perceptojnë në mënyra të ndryshme. Por kjo s’do të thotë që isha për buton të kuq. Për profesionalizmin tim nuk më thanë asgjë. Zgjodhën të jepnin vlerësim vetëm për emocionin që s’u dhashë.

Ndërkohë që ti vjen nga një eksperiencë e të kënduarit “live”. Ishin butonat e tyre të kuq një goditje për egon tënde?

Unë ndoshta jam i vetmi këngëtar që dal për herë të tretë përpara jurisë dhe në tre filtra të ndryshëm. E nuk mund të toleroj komente të tipit si këto… kur unë këndoj nga 3 orë Live dhe mbaj katër herë në javë një nga club-et më me emër të Tiranës. Është ofendimi më i madh që mund t’i bëhet një këngëtari që merret prej vitesh me performancat dhe muzikën “live”.

Po ti ç’mendon për këngët e Armend Rexhepagiqit dhe Orinda Hutës, të transmetojnë emocion kur i sheh në skenë?

Nëse do të isha në juri, dhe Orinda Huta në kategorinë “New artist”, e nëse do të bazohesha në shijen time personale, nuk do t’i jepja kurrë jeshile. Por s’do e bëja. Nëse do ta meritonte jeshilen për profesionalizmin, do t’ia jepja. Ndërsa Armend Rexhepagiqit nuk i kam dëgjuar kurrë asnjë këngë. Jam shumë i ri për atë brez.

Pas konkurrimit në “E diela Shqiptare”, munde të flisje me anëtarët e jurisë në paskuinta për t’u sqaruar?

Absolutisht jo, pasi nuk lejohet. Ndaj dhe fola në emisionin tjetër pas garës e po flas këtu, pasi nuk m’u dha mundësia të shprehem për shkak të kohës televizive. Mund të zgjidhja të heshtja, por unë nuk bëj muzikë për hobi. E kam profesion dhe nuk e lejoj dot atë ndodhi.

Pse këmbëngul kaq shumë për të kaluar sfidën e “New Artist”, kur mund të ndjekësh rrugën e shumë të tjerëve, pra, të bësh klipe dhe të vazhdosh karrierën pa nevojën e dritës jeshile nga ajo juri?

Kam besuar dhe besoj tek Ardit Gjebrea. Unë kisha mundësinë të merrja pjesë në garë në duet me një këngëtar BIG dhe nuk e bëra. Investova përsëri dhe mora guximin t’i dilja para për të tretin vit. Gjithsesi, karriera ime nuk është “Kënga Magjike” apo e kuqja që mora. Unë punoj, këndoj live, jap dhe marr atë që dua, mundësisht më shumë se më parë. Ndërsa klipet janë në planet e mia të afërta.

Kujtojmë që kënga jote “Ku je” është krijim i ish-anëtarit të kësaj jurie, Ulis Krajkës. E synoni finalen, duke qenë se keni të dy eksperiencën e kësaj gare?

Po, kënga është kompozim i Ulis Krajkës. Sigurisht që synoj finalen, pasi çdo këngëtar që merr pjesë në “Kënga Magjike” e synon finalen.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al