29 Gusht, 2018

Robert Berisha bën bilancin e martesës: Jam 40 vjeç dhe kam 12 vjet me Norën, si është ta kesh gruan të bukur

KLOTILDA HARKA/ “S’ka inat” ishte klipi ku çifti i famshëm i këngëtarëve nga Kosova, Robert Berisha dhe Nora Istrefi, u bënë bashkë për të na rrëfyer përmes vargjeve e muzikës një copëz nga historia e tyre 12-vjeçare e dashurisë. Tashmë prindër të vajzës Renee, ai, burri shumë i pashëm i një gruaje të bukur, rrëfen martesën me një grua si Nora.

Karriera si këngëtar po ecën mirë, duke qenë se ke axhendë të ngjeshur koncertore. Do e konsideroje këtë kulmin tënd?

Nuk e di. Nuk e mendoj asnjëherë të arrij kulmin. Shpresoj që do të kem shëndet dhe ta bëj këtë punë sa më gjatë, sepse e dua shumë muzikën!

Meqë këtë vit kishe 40-vjetorin, mendon se jeta nis 40 vjeç, apo në këtë moshë nis e bëhet e mërzitshme?

Mosha për mua është vetëm numër… Unë ndihem si 21-vjeçar. ”Robi plaket kur do vetë” është një këngë e vjetër dhe shumë e bukur.

Krahasuar me bashkëshorten këngëtare, Nora Istrefi, ti organizon më shumë koncerte. Ekziston konkurrenca brenda familjes suaj?

Është fillimi im dhe normal që këndoj më shpesh. Veç kësaj, duke marrë parasysh që unë këndoj më shumë muzikën folk dhe “live” me bandën, unë këndoj edhe në pub-e e jo vetëm në diskoteka, kështu që jam pak më shumë i angazhuar se Nora. Nuk e shoh Norën si konkurrencë, por vetëm si personin që e dua fort.

A është diçka e bukur të ndani të njëjtën skenë si burrë e grua?

Po, ka pasur raste të jemi bashkë dhe është gjë e bukur.

Ti bëhesh xheloz për Norën si një ndër femrat yje të muzikës, po ajo bëhet për ty?

S’do kishim qenë bashkë plot 12 vite po të kishim qenë xhelozë…

Si mashkull që je, si është ta kesh gruan të bukur?

Të kesh një partnere të bukur është fat dhe ndjenjë e bukur.

Tani prindër të lumtur të vajzës suaj Renee, kur do e bëni me vëlla ose motër?

Kur të jetë kismet do bëhet Renee me vëlla ose motër.

Sekreti për martesë të lumtur mes dy artistëve karrieristë dhe gjithnjë me udhëtime e koncerte?

Nuk ka sekrete, ka vetëm dashuri dhe respekt. Në shumicën e kohës jemi bashkë, përveç weekend-it, pra, një të shtune. Nga e diela deri të premten jemi bashkë, kurse çiftet e tjerë, të cilët kanë orar pune 8 orë çdo ditë nga e hëna deri te premten, shihen më pak se ne.

Jeni të kënaqur me paratë që fitoni nga muzika?

Pasuria s’ka kufi… Kemi një jetë normale dhe profesioni i vetëm është muzika… Jetojmë prej saj.

Kënga jote që ta kërkojnë shpesh në eventet ku je i ftuar?

Është kënga “Mia” normalisht, sepse është kënga ime e parë dhe është më ritmike… Kurse këngët që i preferoj unë dhe që i dua, nuk i këndoj asnjëherë sepse janë serenata dhe në ato vende ku këndojmë ne nuk i preferojnë të rinjtë e sotëm.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS