6 Shtator, 2017

Risia e Volkswagen-it në Britani: Më jep makinën e vjetër, të të jap një të re!


Prodhuesi i makinave ofron deri në 6,000 £ (7,750$) britanikëve të cilët janë të gatshëm të blejnë një Volkswagen të ri dhe ta çojnë rrangallën e tyre të vjetër për skrap. Ky stimul, i faturuar nga kompania si një program mjedisor, vjen si pasojë e presionit gjithmonë e në rritje te kompanitë e makinave për të bërë më shumë për të ndihmuar në luftën kundër ndotjes së ajrit në Europë.

Britania dhe Franca kanë vendosur tashmë afatet për heqjen graduale të automjeteve me benzinë dhe naftë dhe disa qytete gjermane po e konsiderojnë ndalimin e veturave me naftë. Shoferët britanikë, të cilët do të këmbejnë çdo lloj makine që punon me karburant për një Volkswagen të ri do të përfitojnë një ulje prej 1,800 £ (2,300$) në linjën Compact, 4,000 £ (5,170$) për modelin Golf, dhe 6,000 £ (7,750$) për minifurgonët.

Në këtë program po marrin pjesë edhe markat Audi, Skoda dhe SEAT të zotëruara nga Volkswagen. Toyota (TM) njoftoi një skemë të ngjashme ditën e enjten, duke ofruar deri në 4,000 £ (5,170$) për automjetet e saj.Volkswagen do të heqë makinat e vjetra me naftë. Motorët do të shkatërrohen për të parandaluar rishitjen e tyre në vende të tjera. Disa pjesë të tjera do të riciklohen./Money/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al