20 Tetor, 2021

Pse nuk duhet të përtypni kurrë akull? Ja çfarë thonë dentistët

Një dentist ka zbuluar arsyen pse nuk duhet ta përtypni kurrë akullin me dhëmbë. Përveç faktit që është irrituese për njerëzit përreth jush, nëse bëhet zakon, përtypja e akullit mund të shkaktojë një sërë problemesh.

akull

Sipas “The Sun”, përtypja e akullit madje mund të jetë një shenjë e një problemi të shëndetit mendor. Matthew Cooke, Profesor i Stomatologjisë dhe Anesteziologjisë Pediatrike, Universiteti i Pittsburgh Health Science, tha se prindërit dhe të rriturit shpesh pyesin nëse përtypja e akullit është diçka e sigurt për shëndetin.

Ai tha: “Pavarësisht nga shkaku, ky është një zakon që dueht hequr. Përtypja e akullit është diçka e keqe për shëndetin oral dhe mund t’ju kushtojë shumë para.”

Përtypja e akullit mund të shkaktojë çarje në smaltin e dhëmbëve, tha Prof Cooke, duke i bërë dhëmbët më të ndjeshëm. Gjithashtu ky veprim mund të thyejë pjesë të dhëmbëve, duke shkaktuar një vrimë që përveçse duket keq nga pamja e jashtme, mund të bëhet edhe shkak për dëmtimin e dhëmbëve të tjerë.

Në varësi të problemit, riparimi mund të kërkojë një mbushje të thjeshtë ose edhe anestezi për ndërhyrje,“- tha Prof Cooke.

Kur dikush nuk mund të ndalojë së ngrëni akull, atëherë ai vuan nga “pagofagia”. Pagofagia mund të jetë shenja paralajmëruese e një gjendjeje shëndetësore, shpjegon “Healthline”.

Pagofagia mund të jetë rezultat i një çrregullimi në të ngrënë, i cili i detyron njerëzit të hanë gjëra që nuk konsiderohen ushqim, të tilla si akulli, papastërtia, pluhuri ose flokët.

Si mund të ndaloni së ngrëni akull?

Ka disa mënyra për të hequr qafe këtë zakon, thotë Prof Cooke. Ai sugjeron:

Shkrijini kubet në gojë: Në vend që t’i shtypni, provoni t’i mbani në gojë dhe t’i lini të shkrijnë.

Ndaloni së konsumuari akull: Nëse nuk është në gotën tuaj, atëherë nuk mund të tundoheni. Në këtë mënyrë, do të shmangni edhe bakteret që mund të gjenden tek akulli.

Zgjidhni alternativa të tjera më të buta: Zëvendësimi i kubeve të zakonshëm me akulli të thërrmuar, mund t’ju ndihmojë. Mundohuni të kufizoni ose shmangni akullin e aromatizuar, sepse ka shumë sheqer, i cili është i keq për dhëmbët.

Bëni diçka më të shëndetshme: Ngrënia e karotave të papërpunuara, mollëve të prera në feta ose frutave dhe perimeve të tjera të freskëta mund t’ju ndihmojë. Këto ushqime mund të kënaqin dëshirën tuaj për tu përtypur, duke stimuluar rrjedhjen e pështymës, e cila mbron gojën tuaj. Materiali fijor gjithashtu mund të ndihmojë në mbajtjen e dhëmbëve të pastër.