5 Prill, 2022

Pasi u bë aksionieri kryesor në Twitter, Elon Musk paralajmëron ndryshimet e para


CEO i kompanisë “Tesla”, Elon Musk ka blerë së fundmi 9.2% të aksioneve në platformën Twitter, duke u bërë kështu aksioner krysesor. Menjëherë pas kësaj miliarderi ka nisur planet për ndryshimet e para në rrjetin social.

Ai ka pyetur përdoruesit e Twitter nëse duan që të shtohet një opsion editimi ose më saktë ndryshimi në platformë, diçka që ata e kanë kërkuar prej kohësh. Musk e bëri pyetjen përmes një postimi nga llogaria e tij.

Në një postim në Twitter të martën, shefi ekzekutiv i kompanisë, Parag Agrawal tha” “përmes bisedave me Elon në javët e fundit, u bë e qartë për ne se ai do t’i sillte vlerë të madhe Bordit tonë. Një besimtar i pasionuar dhe kritik intensiv i shërbimit është pikërisht ajo që ne kemi nevojë”.

Më vonë Musk u përgjigj duke thënë se mezi priste të bënte ndryshime në gjigantin e rrjetit social.

9.2% e aksioneve të Musk në kompaninë e mediave sociale mund të tingëllojë diçka e vogël, por Dan Ives, nga firma analitike Wedbush, e përshkruan atë si “aksionerin kryesor” – i barasvlefshëm me 73.5 milionë aksione në rrjetin social.

Si rrjedhojë aksionet e Twitter u rritën me 25 për qind. Bazuar në çmimin aktual aksionet e Musk kapin vlerën e rreth 2.89 miliardë dollarë (2.6 miliardë euro).

Aksionet e CEO-s së “Tesla” janë katër herë më të mëdha se ajo e themeluesit të Twitter, Jack Dorsey, i cili u largua nga posti i shefit ekzekutiv në nëntor.

 

 

© Panoramaplus.al