17 Nëntor, 2018

Olta Gixhari fshin foton me aktorin e “Kosem”, frika e prishjes së planit për të luajtur në serialet turke


Është padyshim një nga aktoret më të përfolura në median rozë, si një nga personazhet e njohura të showbizz-it shqiptar. Së fundmi, në “Instagram”, Olta ka postuar një foto me aktorin e njohur turk, Caner Cindoruk.

38-vjeçari simpatik është i njohur në Shqipëri për rolin e Silahtar në serialin e famshëm, që po transmetohet aktualisht në “Tv Klan”, “Kosem”. Olta thjesht përshëndeti ndjekësit me këtë foto pa dhënë asnjë detaj nga takimi me Caner, madje pa treguar as nëse ajo ndodhet në Turqi apo diku tjetër.

E duke qenë se direkt pas postimit të fotos, mediat online nisën hamendësimet se çfarë fshihet pas këtij afrimiteti me aktorin e famshëm, Olta ka vendosur ta fshijë direkt foton nga frika e prishjes së planeve që po bën aktualisht për të depërtuar në serialet turke, me ndërmjetës mikun e saj të ngushtë, Nik Xheliaj.

Dihet që Nik i ka forcuar mjaftueshëm pozitat në Turqi, pasi ai po luan në disa projekte të rëndësishme, krah emrave më të njohur të kinemasë dhe televizionit turk. Ai sa herë që vjen në Tiranë, takon Oltën, si një nga mikeshat e tij më të afërta, të cilës, mesa duket, i ka premtuar ta marrë me vete për një karrierë ndryshe në vendin që renditet ndër kryesorët në prodhimin e serialeve më të shitur në të gjithë botën.

Kështu, Gixhari sapo na futi në dyshime se mbase shumë shpejt mund ta shohim në një nga serialet e ardhshme turke, një ambicie kjo që ka mundur ta arrijë deri diku ish-Miss Shqipëria, Almeda Abazi. Para pak kohësh, Olta vendosi t’i jepte një ndryshim tjetër jetës, duke i hyrë biznesit të pronave të patundshme, që është dhe angazhimi i saj kryesor për momentin.

Kujtojmë që ngacmimi i fundit që Olta i bëri audiencës ishte ai i pozave topless në mes të dëborës në Dardhë. Qëndrimi i saj në Korçë ishte për provat e shfaqjes “Vetëvrasësi”. Olta luante Kleopatrën në veprën e Nikola Erdman me regji të Sulejman Rushitit, një tragjikomedi shumë dinamike.

Shfaqja bëri bashkë aktorët Neritan Licaj, Elia Zaharia, të cilët interpretuan me aktorët e Teatrit të Korçës; Zamira Kitën, Ligoraq Rizën, Mateus Frrokun, etj.. Shfaqja, për të cilën Oltës iu desh të linte Tiranën për për pak kohë, u pëlqye nga publiku korçar duke e rikthyer atë në skenën e teatrit, duke qenë se gjatë karrierës së saj numëron dhe disa role në kinema.

U fol se këtë vit ajo do të ishte pjesë e kastit të filmit me metrazh të gjatë “Një jetë me ty”, me regji të Erion Kames, projekt që ajo e braktisi një ditë para xhirimeve. Edhe pse nuk u thanë arsyet e vërteta të largimit nga kasti i filmit, mësohet se Gixhari u sqarua duke thënë se “kishte ndërruar mendje”. Roli i Olta Gixharit u zëvendësua nga Ajsi Xhaxhaj, ish-protagonistja e “Kripëmjaltëzave”. Nuk dihet nëse planet e fshehta me kinemanë turke e kanë detyruar Oltën të hiqte dorë nga ky produksion shqiptar.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al